Ti je ketu: Ballina > Opinione >

Po u përmend Ana Frank, artdashësve të dikurshëm të artit dramatik, patjetër do t’u shpërfaqet aktorja Leze Qena, rolin e së cilës e luajti me aq përkushtim në moshë rinie, si të ishte vetë Ana! Një rol i ëndërruar, që, veç të tjerash, i përshtatej edhe fizikut të saj… Nga ajo kohë kanë kaluar shumë vjet, mbi pesëdhjetë, sikurse shumë përjetime jete, që nuk i sjell veç aktrimi. Lezja është një grua e hareshme, përherë e qeshur, e gëzueshme, veti këto që i dhanë përmbajtje e kuptim jetës së saj…

Sanije Gashi

Kur njeriu kalon 56 vjet punë në një profesion, çfarë është aktrimi, dhe kur ndodh që shpesh të paraqitet në medie, të bëhet sikur nuk ka mbetur më gjë për t’u thënë e për t’u shkruar! I thuhet kjo Lezes, porse, megjithatë, kur preken edhe anë të tjera të personalitetit të saj, dalin momente të çmuara, të pathëna, të karakterit të saj… Pastaj, rrallë ndodh që dikush, para se të flasë për veten, të flasë për koleget, të shprehë kështu admirimin dhe mallin e aktrimit të ditëve të rinisë. Akoma pa u ulur mirë, sikur shpërthen lezjançe:
- Katarina Josipi dhe Meriban Shala kanë qenë dy shoqe dhe dy kolege që rrallë mund të gjenden! Se, aktorët janë si fëmijët, janë edhe xhelozë, edhe… Unë nuk kam parë njerëz të jenë pa fije smire mes tyre, por, thjesht, të vuajnë njëra për tjetrën. Kur ka vdekur Meribani, shumë e re, 24 vjeçe, Kati vuante për të dhe shpesh qante. Unë e Xhevati shkonim, e dinim pse ishte e mërzitur. Meribanin unë e kam parë te shfaqja “Besa” e Sami Frashërit, o Zot, si aktronte, e kam parë edhe te “Mirandolina”, ndërsa në shfaqjen “Nuk martohem me pare” kam aktruar me të. Mirëpo, e rrëmbeu sëmundja e rëndë dhe nuk mundi të aktronte më... Me Katin, ndërkaq, më ka rënë të luaj më shpesh. Kati është e pazëvendësueshme! Kush e ka parë në shfaqje, e di, kush nuk e ka parë – gjynah! Kur u hap televizioni, kjo u sëmur dhe nuk pati rast të linte gjë të xhiruar, vdiq edhe kjo herët, 46 vjeçe.
Në mars të këtij viti (2010), Lezja u shpreh hareshëm para kamerave televizive: unë i mbusha 75 vjet jetë dhe 56 vjet punë!, - shoqëruar me qeshjen e saj të përhershme, grua akoma plot freski dhe për lakmi! Derisa këto ditë marsi bisedohet për këtë freski moshe, në kujtesë më kthehet një shkrim i hershëm, mbase para mbi dyzet vjetësh, që e kisha bërë me të, titulluar “Kur qesh e qan Lezja…”. - Uaaa, sa shumë vjet paskan kaluar…, plotëson kujtimin e përbashkët. Fillimin në aktrim e kujton me shumë mall, i duket sikur të kishte ardhur dje në teatër, vetëm ‘ikja’ e njerëzve, e kolegëve, e bën të kthejë kokën prapa dhe të shohë se ka ndryshuar shumëçka. - Përndryshe, kurrë nuk më shkon mendja sa vjet i kam! Më duket se hala jam axhami, po njeriu dy herë në jetë bëhet axhami: një herë në fëmijëri, e një herë në pleqëri… E them pa shaka, se, njëmend, vitet po kalojnë shumë shpejt, vetëm kur njerëzit po të lënë, atëherë po e di…

Leze Qena është thuaja aktorja e fundit e brezit të saj të ndritshëm. Megjithatë, kur i kujton kohët e shkuara, aktoren e rrëmbejnë kujtimet, ndërsa përgjigjet: Shumë shpesh më kujtohet e kaluara, gati çdo mbrëmje kur bie të fle, kujtoj kolegët, punën në teatër, brezat e dikurshëm…
Lezja tregon t’i ketë kaluar jeta shumë shpejt, ngase ka qenë grua e lumtur! Edhe nëse ka ndodhur të ketë ndonjë brengë, telash, këtë ia ka zbutur vetes, e kjo zbutje ka ndikuar të bëjë jetë më të hareshme dhe ta kalojë më lehtë… - Se, kurrgjë nuk fiton me mërzi, me nervozë, vetëm sa e shkatërron veten. Ndoshta dhe mua më ka mbajtur qejfi! I dua njerëzit, i dua shtazët, dua gjithçka dhe gjithçka më gëzon. Një therrë po të ma dhurojë dikush, unë kënaqem! Vërtet, jeta është përplot mbresa!...

(***)

Nga libri  `Ecje nëpër kujtesë’

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
276

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version