Ti je ketu: Ballina > Opinione > VISHUNI ME SHIJE DHE STIL
VISHUNI ME SHIJE DHE STIL
Jeta zyrtare sot është më dinamike se kurrë, prandaj dhe përshtypja e parë është vendimtare për krijimin e ‘pasqyrës’ që ka të bëjë me ju. Moda, në fakt, sot është shprehje e identitetit personal...

Shkruan Antigona Kaçaniku

Dikur në Kosovë, në të gjitha qytetet, ne femrat e ndiqnim modën, donim gjithsesi të visheshim si në Evropë e në Botën e civilizuar. Nëse nuk gjenim të blinim veshje të gatshme, atëherë i qepnim sipas modeleve nga revista gjermane “Burda”, që ishin më të kërkuarat, po edhe udhëtonim në qytetet përreth, bile deri në Stamboll, Trieste e Selanik, për t’u veshur sa më me stil. As atëherë e as tash, nuk kushton shumë shtrenjtë të vishesh me shije. Dhe sot, me siguri mundësitë për veshje dhe ndjekje të trendëve janë edhe më të mëdha, posaçërisht për femrat e punësuara në institucione, shumë zyrtare - politikanet tona, gazetaret, moderatoret, këngëtaret, aktoret... Prandaj, pyes, pse janë të rralla femrat që vishen me shije e stil, përshtatur gjithsesi profesionit të tyre?
Sado që, ndoshta, nuk është fah imi që të shkruaj për këtë temë, mund ta shfrytëzoj përvojën time shumëvjeçare nga të jetuarit në Norvegji, ku, këto ditë revista “Henne”, solli një hulumtim të një grupi gazetarësh e disenjatorësh, floktarësh e makeup-artistësh, si një propozim, apo përpjekje për t’i “edukuar” femrat e profesioneve të ndryshme, se si duhet të vishen në punë e në raste të ndryshme. Nuk duhet mençuri e madhe, që të kuptojmë se kodi i të veshurit ndryshon sipas profesionit: ndryshe vishemi në ambiente zyrtare, në shkollë, në çerdhe, në bankë... Pra, kodi i të veshurit duhet respektuar në çdo profesion. Është bërë një trend i gabuar tek ne, ndoshta edhe në gjithë Ballkanin, të shihen në rrugë po edhe në vende shumë serioze të punës, vajzat të veshura, si kopje e keqe e: Britney Spears-it, Reihana-s, Beyonce apo të disa këngëtareve tona nëpër klipet e tyre, me minifunde tejet të shkurtra, me taka tejet të larta, dekolte të tepruara, materiale të vizlluara (temë më vete është edhe makijazhi apo stajlingu, siç po e quajnë tash, gjithsesi i gabuar), sado që, me siguri, e kanë të qartë se kostumet e përdorura nëpër klipe, asnjëra nga ato këngëtare, aktore, nuk i veshin nëpër rrugë, në jetën e përditshme... I shohim në internet, vishen thjeshtë, pa e ekspozuar së tepërmi lëkurën e pjesët e trupit. Në Skandinavi, për shembull, femrat e reja vishen shumë thjesht, në mënyrë sportive, duke dëshiruar të ndihen mirë e sa më komode. Vetëm nëpër raste festive i japin një dozë femërsie veshjes. Kodi i të veshurit respektohet shumë, sidomos në vendin e punës, por pa përjashtim, gratë e moshuara vishen me shumë kujdes, patjetër me kostume, taka, bizhuteri, frizura të bukura, kapela dhe, gjithsesi - kujdesshëm të grimuara, porse buzëkuqi nuk guxon të mungojë. Kosova ka vërtet femra të bukura, vetëm sikur të lejonin bukurinë natyrale të dalë në dukje. Ndoshta revista TEUTA mund të bëjë një rubrikë me një “komision” profesional, i cili do të fillojë t’i qesë konkretisht në pah të metat e të mirat në veshjet e femrave tona.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version