Ti je ketu: Ballina > Opinione > MË MUNGON HIJA E TIJ!
MË MUNGON HIJA E TIJ!
Jeta e gruas së ve në mjedisin tonë nuk është e lehtë, ngase këtë e dikton mendësia jonë. Me humbjen e burrit, veçan në moshë të re, fillon një etapë plot kundërthënie; gratë kryesisht nuk martohen më, u mbetet të kujdesen për fëmijët, ndonëse në rastet e pavarësisë ekonomike, situata është më e lehtë. Mirëpo, sa është e zymtë kjo jetë tek ne?

 

Shkruan Burbuqe Rushiti


Me vellon e bardhë, në çastin e kurorëzimit, atëherë kur të drithëron zemra duke bërë hapin e parë në rrugëtimin e jetës së bashku me njeriun e përzgjedhur, betohesh `për besnikëri në të mira dhe në të këqija, në shëndet dhe në sëmundje`, fillon jetë e re, me teposhtëzat dhe tenaltëzat e veta, me gëzime e hidhërime, si vetë jeta. Kalojnë vitet, bashkëshorti të bëhet shoku dhe miku më i mirë. Dhe ai çdoherë është aty, në të mira dhe në të këqija, është aty supi i tij, kur ke nevojë për mbështetje, është dora e tij për të ta fshirë lotin, për ta ndarë gëzimin me ty, është buzëqeshja e tij për të të dhënë forcë.
Por, çka ndodh kur një ditë ky mik të ikë përgjithmonë? Çasti kur e bardha e tëra bëhet zi, kur sikur bota të rrënohet mbi supe, është ai çast kur mijëra pikëpyetje të zymta shtrohen në kokat e nënave, familjareve…
Në vendin tonë, gjeneratat më të vjetra të grave, pas vdekjes së bashkëshortit, kryesisht janë mbyllur në `kullat e tyre të fildishit`, thjesht e kanë `burgosur` veten në kultin e zisë. Kanë vuajtur për humbjen e të shoqit, i cili kishte ikur atëherë kur ato kishin pasur nevojë më së shumti për ta. Jetën pa bashkëshortin e shihnin dhe vazhdojnë ta shohin edhe si perëndim të jetës së tyre, meqë në horizont nuk lind më asgjë e bukur për to. Kjo mbyllje në vetvete fillon të thurë gardhin për jetën tutje, ato mendojnë vetëm për sëmundjet, fillojnë ta shfletojnë gazetën nga fundi, brengosen mos flasin `hallku` dhe vazhdimisht përsëritet e njëjta thënie, që nuk ka rrugëdalje - `po të ishte tash ai, çdo gjë do të ishte ndryshe.` Por, jeta është vetëm një, dhe, ashtu, si thonë shumica e psikologëve - `Ose do ta shikosh gotën si gjysmë të zbrazur ose si gjysmë të mbushur`, pos këtyre dy opsioneve, opsion të tretë nuk ka. Prandaj, këshilla e tyre për secilin prej nesh është opsioni i dytë. Këtë opsion të dytë e kapën ato gra, të cilat, kur e vërejtën se nga rrëfimet e tyre të vazhdueshme për dhembjen që kanë, për problemet dhe sëmundjet e tyre, filluan t`i largojnë nga vetja një nga një edhe shoqet e tyre, rrethin e familjes së gjerë, me të vërtetë nisën të sëmuren. Kur vërejtën se edhe tek fëmijët filloi të bëhej barrë fjalori i njëjtë e vajtues dhe vetmia të thellohej përditë e më shumë, ato vendosën që dhembjen ta lënë diku thellë në zemër dhe të ecin përpara për hir të vetvetes, për hir të fëmijëve. I përvolën mëngët dhe nisën ta kthejnë buzëqeshjen në fytyrën e tyre. Duke e kthyer buzëqeshjen, edhe miket sërish nisën të ktheheshin në rrethin e tyre. Më kujtohen fjalët e një gruaje, ekonomiste, e cila në moshë relativisht të re kishte mbetur pa bashkëshortin e saj, e cila pat thënë: `Në Kosovë ka pasur aq shumë vuajtje, njerëzit kanë aq shumë probleme dhe, po qe se unë filloj t`i ngarkoj me humbjen e burrit tim, ata do të më dëgjojnë një herë, dy herë, do të mundohen të më ngushëllojnë, por të tretën herë, po qe se përsëritem, do të ikin të gjithë nga unë! Ndërsa unë kam nevojë për njerëz. Prandaj, vendosa të mos e ngarkoj askënd me dhembjen dhe me problemet e mia. Kështu, e theva murin e vetmisë së plotë.` Ashtu, si shikimi dhe përjetimi i jetës që janë `bardhezi` apo të `ngjyrë-ngjyrshëm`, ashtu edhe jeta pas vdekjes së bashkëshortit në Kosovë po përjetohet deri diku në këto dy mënyra. Mirëpo, në të dy rastet, edhe pse dallojnë nga njëri-tjetri për nga shprehja e përjetimit të dhembjes nga vdekja e bashkëshortit, kryesisht mbretëron e njëjta ndjenjë te të gjitha këto gra - `Më mungon hija e tij`. Por, kjo `hije’ që mungon le të jetë hije e imagjinuar e forcës në mendjen dhe zemrat e nënave, të familjareve, mikeve tona, që patën fatin e tillë ta vazhdojnë jetën pa bashkëshortët e tyre, forcë për të ecur para kokëlarta, për hir të vetvetes, të të afërmve dhe për hir të atij që iku përgjithmonë. `Kulti i zisë`, i cili ishte mjaft i theksuar në Kosovën e paraluftës, filloi të zbehet pas përjetimeve shumë tragjike gjatë luftës. U pa se, ashtu si e mira, që nuk ka kufij, as e keqja nuk kishte kufij. Populli ynë ka shumë fjalë, përplot urtësi, që ngërthejnë në vete shumë filozofi, si ajo `Mos të raftë me harru.`


© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
264

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.net  ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version