Ti je ketu: Ballina > Opinione > ‘Ah Prishtina jeme, kaq fort rinuemun je’
Prishtina, kujtime fëmijërie
‘Ah Prishtina jeme, kaq fort rinuemun je’
Kështu disi i këndon Shfarci Shkodrës së tij… Shkas për këtë shkrim mund të jetë restaurimi dhe konservimi i Hamamit të Madh të Prishtinës, që thuhet se po ringjallet, më në fund, pas mbylljes së tij për rreth 45 vjet, ku u ‘mbyllën’ edhe kujtimet e prishtinasve të vjetër. Ky hamam dikur ishte bërthama e qytetit të vjetër (daton që nga shekulli XV), pjesë themelore e kompleksit të Xhamisë së Madhe, që shërbente si vendtakim shoqëror për meshkuj e për femra.

Shkruan Sanije Gashi

Sa shumë shkëlqim kanë imazhet nga fëmijëria. Me kalimin e kohës, sa herë rikujtojmë atë periudhë të jetës, dalin përpara ato rrugicat e ngushta, të vjetra, me kalldrëm, ato dyqane të zejtarëve, shtëpitë e ulëta, gati përdhese, por të gëlqerosura dhe shumë, shumë të pastra, ata djem e ato vajza që nuk janë më... Aty mbetet përgjithmonë fëmijëria, pjesë të së cilës morën me vete shoqet e fëmijërisë, kur u shpërngulën për në Turqi…

Ndër pjesët më atraktive dhe të nevojshme për qytetarët e Prishtinës, ishte Hamami i Madh, që gjendet përskaj Xhamisë së Madhe, me Gjimnazin e Sahat-Kullën pranë. Këtë kompleks të qytetit e sajonin edhe Xhamia e Pashës dhe Xhamia e Çarshisë, që të gjitha përbënin kërthizën e qytetit të atëhershëm. Mirëpo, objekti që mbeti në kujtimet e prishtinasve të vjetër edhe sot, e që kujtohet me shumë nostalgji, është Hamami i Madh, që ishte një qendër sanitare-higjienike. Përbëhej nga kubetë, 15 sosh, që ishin burim i dritës, pastaj nga pishinat, nga shatërvani dhe holet e tjera, dhe ishte një vend për hare! Në këtë hamam zhvilloheshin shumë ceremoni, madje më atraktivja ishte ajo e përgatitjes së vajzave për nusëri! Aty i sillnin edhe nuset për t’i përgatitur për dasmë, bëheshin edhe gosti për personat e ftuar, shoqëruar me muzikë.
Kujtesë: “Dita më e lumtur e javës për ne vajzat ishte e shtuna”, zgjohen kujtimet e “fjetura” të arsimtares së dikurshme, Aktere Gjikolli, tashmë e ndjerë. Sepse, tregonte ajo, ne vajzat shkonim grupe-grupe në hamamin e qytetit për t’u larë. Në hamam kishte tri kybe, ndërsa nën to tri hapësira ose dhoma me hyrje të ndara. Në to kishte 5-6 kurne në formë guaskash me tasa të lidhur me zinxhirë. I tërë hamami ishte i sajuar nga gurët e mermerit, që jehonte nga zhurma e tasave dhe kënga e grave”. Mbaj mend, nga avulli që krijohej, vështirë e kishe ta identifikoje personin që e kërkoje, të familjes, kur shkonim t’ua çonim shportat me ushqime, ngase në ‘pauzë’ të larjes, gratë hanin ushqime! Qëndrimi në hamam zgjaste tërë pasditen (kohë kjo e rezervuar për gra), deri në mbrëmje. Ishin rituale të veçanta, që kujtohen edhe sot. Ndërsa Akterja, në këtë bisedë nostalgjike, pati thënë: “Për këtë hamam janë të lidhura kujtimet më të mira të fëmijërisë. Hamami ka qenë një ndër objektet më të bukura dhe më të domosdoshme të qytetit”. Prishtinasit e vjetër edhe sot e kujtojnë kohën kur Hamami funksiononte. Zhdukja e tij, prandaj, nuk ka qenë e paqëllimtë, rrënimet që pasuan patën një tendencë: t’ia humbnin fizionominë qytetit (“mbeturinave anadollake”), ngaqë monumentet kulturo-historike flisnin për një të kaluar të pasur të qytetit, sikur që do të ndodh më vonë edhe rrënimi i Çarshisë së Mbulueme dhe i objekteve të tjera. Rrugicat me kalldrëm si dhe pajtonet e pajtonxhinjtë, tashmë i takojnë së kaluarës.

Lumenjtë dhe kopshtet e qytetit

“Vendlindjet e fëmijërisë ushqejnë një idil të veçantë. E tillë mbetet tek unë Prishtina e fëmijërisë sime. Ajo ishte asokohe adalet qyteti për mua, sepse kishte jo më pak se dy lumenj: Vellushën e Prishtevkën”, do t’i kem dëgjuar moti kujtimet e shkrimtarit prishtinas, Qamil Batalli, tek po bisedonim për qytetin e fëmijërisë sonë. Vellusha, që rridhte përmidis qytetit dhe kalonte te hapësira ndërmjet Teatrit Kombëtar dhe objektit të Unionit (sot e mbuluar, e shndërruar në rrugë), nuk ka qenë përrua, sepse në ujët e saj kanë notuar plot rosa e pata. Dimrit, ndërkaq, ndodhte të ngrinte i tëri dhe mbi akullin më se 25 cm të trashë, rrëshqitnin djelmoshat e qytetit me saja e me syngji. Vellusha, pra, gjallëronte gjatë tërë vitit. Ajo shpesh vërshonte pjesën më të madhe të qytetit, bile tek kalonte nën dyqanet e zejtarëve, ndodhte t’i “tundte” ato. Pëshpëritej, madje, një gojëdhënë e trishtueshme, se Vellusha ishte një lumë i mallkuar që për çdo 32 vjet përmbyste dhe rrëmbente çdo gjë që gjente para vetes. Mu për këtë, prishtinasit janë kujdesur që në të dy anët e Vellushës të ketë plepa. Gojëdhëna thotë se mbi ata trupa të lartë kanë shpëtuar jetën shumë qytetarë, kur Vellusha kishte gufuar. Ndërsa në anën tjetër të qytetit (prapa Tregut të gjelbër, sot), ka rrjedhur prajshëm lumi Prishtevka. Me këta dy lumenj janë ujitur kopshtet e qytetit, që kanë paraqitur pasurinë më të madhe ekonomike të këtij vendi.
Oborret e shtëpive kanë qenë plot gjelbërim, me shumë lule. Aty luhej gati tërë ditën, në atë ajër të pastër e ujë kryesisht krojesh, të cilat ishin të shumta në Prishtinën e atëhershme (uji vinte nga mali i Gërmisë), por edhe nga shatërvanët, njëri syresh ka mbetur akoma në hapësirën ndërmjet Muzeut të Kosovës dhe Xhamisë së Çarshisë (porse uji s’dihet nëse është i kroit). Mjerisht, sot as ato oborre e ato kroje nuk janë më. Oborret janë mbushur plot shtëpi, nuk ka mbetur ai gjelbërim e ato bahçe, që kundërmonin aromë lulesh-shebojë, një lule e veçantë, që duket se është zhdukur, trëndafila, karafila të vegjël ngjyrë vjollce dhe të bardhë, zambakë…Mëllagat, që dikur njiheshin me emrin sardona, mbilleshin kryesisht në saksi, sikurse edhe feslixhenët. Ishte një kolorit mahnitës.
Kujtesë: “Edhe unë kam kujtime të thella për Prishtinën, që janë të lidhura më së shumti për shtëpinë ku jam rritur, për lagjen, për tërë qytetin”, janë fjalët e prof. dr. Izedin Osmanit, pediatër (sot 85 vjeç), i cili ndalet në një moment shumë të rëndësishëm: “Kujtimet e mia më së shumti janë të lidhura me hapjen e Normales “Sami Frashëri” më 1941. Ky moment historik nuk harrohet, se për herë të parë u hapën shkollat në gjuhën shqipe! Në shkollën “Sami Frashëri” nuk kishte vetëm nxënës kosovarë, por erdhën nga të gjitha vendet ku jetonin shqiptarët, pra kishim nxënës nga Tuzi, Podgorica, Ulqini, Tivari, Shkupi, Ohri, Tetova, Gostivari, Manastiri, Kumanova… Arsimtarët gati të gjithë ishin nga Shqipëria, shumë profesionistë, ekspertë të vërtetë. Kjo shkollë ka qenë bërthamë kulturore, ku u shkolluan shumë nxënës, që më vonë u shpërndanë nëpër qytetet e veta, vazhduan shkollimin nëpër fakultete të ndryshme të ish-shtetit si dhe në vende të ndryshme të Evropës, Amerikës etj. Kështu, për një kohë të shkurtët u aftësua kuadri për formimin e Universitetit të Kosovës…” Nxënësit e merituar, që arrinin të kryenin këtë shkollë, paraqitnin forcën motorike të inteligjencies.

Mëhallët me pajtonet atraktive

Prishtina e vjetër përbëhej nga shumë mëhallë dhe secila ishte atraksion më vete, si – ajo e Pirinazit, e Çeklikut, e Katër Llullave, e Alaudinit, e Tophanes, e Divanjollit, e Pozderkës, e Varoshit, e Muhaxherëve... Eh, mëhalla e Muhaxherëve ka një histori të dhembshme, ngaqë në këtë lagje vendoseshin shqiptarët e dëbuar nga trojet e tyre etnike, në vitin 1878. “Sa herë bisedonin prindërit për vuajtjet e kombit tonë, gjithmonë përmendnin këtë lagje” - kujton arsimtarja Melihate Turku. Shumë familje muhaxhirësh, pastaj do të sajojnë këtë lagje, që ishte një djerrinë, e papunuar, e qytetit. Po kështu, vendbanimi i njohur dikur si “Novokoloni” (Vranjevci ose Kodra e Trimave, sot), do të popullohet më vonë me migrimin e popullatës nga fshatrat përreth, që njiheshin si ardhacakë.
Qendra dhe sheshi kryesor i Prishtinës ishte sheshi Skënderbeu (te Teatri Kombëtar sot, për ndërtimin e të cilit asokohe ishte rrënuar Xhamia e Llokaqit). Te ky shesh, tregojnë prishtinasit e vjetër, mbaheshin manifestime të ndryshme dhe bëhej parakalimi i ushtrisë shqiptare në të kremtet e fitoreve. Nëpër rrugët e shtruara me kalldrëm nxitonin pajtonet me kuaj të fuqishëm dhe me zilka rreth qafe, “taksi” të vyeshme. Me ato pajtone, po kështu, merreshin edhe nuset, sipas adetit, nga mëngjesi, para përfundimit të natës. Në qytet veçoheshin fisnikët dhe bejlerët, mirëpo pjesën më të gjerë e përbënin esnafët, zejtarët. Këta i gjeje jo vetëm në pjesën atraktive të qytetit, në Çarshinë e Mbulueme, por edhe më gjerë, gjithkund, ngase Prishtina ishte, mbi të gjitha, qytet zejtarësh. Çarshia e Mbulueme gjendej rreth godinës së rrënuar të ish-Postës, këtej Kuvendit. Fillonte (sa mbaj mend), me një rrugicë të ngushtë, shtruar me kalldrëm, në të dy anët me dyqane me qepena, ku po zhvillonin zejtarinë e tyre qytetarët e vjetër, ku po kultivonin zeje që tani, si të thuash, kanë perënduar, si sërmaxhinj, kallajxhinj, saraçë, fuçixhinj, nallbanë, prandaj dhe qytetin e përshkonte fryma esnafe. 
Prishtinasit e vjetër, të dielave, zakonisht, dilnin në teferiç, ku shkohej me pajtone ose me qerre, në Tauk-Bahçe, Gërmi, Varrezat e Jahudive, Vreshtat e Magjupëve (Dragodani-Arbëria e sotme). Prishtina dallohej me një kulturë familjare, ku mbretëronte edukata patriarkale, që e cilësonte respekti i ndërsjellë, bujaria dhe mikpritja.
Ajo që mbajnë mend (jo vetëm) prishtinasit, është shpërngulja e popullatës për në Turqi. Proceset shkombëtarizuese arrijnë majat në vitet 1955-57, me aksionin për mbledhjen e armëve dhe me fushatën për shpërnguljen në masë të madhe…
Shtëpia e Eminxhikëve, sot Muzeu Etnologjik i Kosovës, për shembull, është njëra nga shtëpitë që u braktis nga një familje e madhe qytetare, të cilët morën udhën e mërgimit të përjetshëm… sikurse edhe shtëpitë nga mëhallët e Haxhi Iliaz Agushit, Beglerëve, Hynilerëve, Pirinazit, Kacallarëve…Këto shtëpi kujtojnë atë kohë të largët, të boshatisjes së qytetit.
* * *
Imazhe të pakta kanë mbetur nga Prishtina e vjetër (sa bukur vjershëron Robert Shfarci: Ah Shkodra jeme, ma s’po muj me t’njoftë…). Edhe prishtinas të moçëm ka gjithnjë e më pak. Qyteti, vërtet, u ndërtua, porse nuk u ruajt thuaja asgjë nga e kaluara, madje as Çarshia e Mbulueme nuk u “rikthye” kurrë. Prof. Hamdi Spahiu shprehte dhembjen: “Në Prishtinë janë bërë ndërtime të paplanifikuara, është zhdukur edhe gjelbërimi i qytetit, m e d e t!”


© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
269

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version