Ti je ketu: Ballina > Opinione > “Çerdhja e zbrazët”
Përsiatje nga Londra
“Çerdhja e zbrazët”
Jam në një kafe në Wimbledon. Fundjavave zakonisht këtu pimë kafe me Ragipin ose me nënën time dhe çikën e axhës, Suzin, kur na del kohë. Gjatë javës vij edhe vetë, pasi është vetëm dy minuta larg prej vendit ku punoj.

Shkruan Valbona Luta

Xhamat e mëdhenj, drita e ngjyrat e çela gjithmonë më mbushin me një lloj rehatie në shpirt, dhe i gjithë ambienti është i ngrohtë, duke filluar nga kolltukët, dekori e deri te aroma e kafesë, e kombinuar me lloj-lloj erëzash. Shpesh harroj sa shumë kënaqem në këtë “strofull”. Ulem pothuajse në të njëjtin vend. Gjithmonë afër dritareve, që nga lart shikojnë mbi njërën prej rrugëve kryesore. Pata lexuar diku se ata që ulen afër dritareve janë ëndërrimtarë - nuk e di sa është e vërtetë kjo, por për vete e di që jam një prej tyre.
Përjashta, kalimtarët nxitojnë poshtë e lart. Sot është mot me diell, dhe më së shumti ma tërheqin vëmendjen fëmijët, pa përjashtim. M’u mbushën sytë me lot nga një lloj mallëngjimi, kur e pashë një djalë të vogël që mbahej për dore nga një burrë (me siguri babai) e ecte duke e shikuar plot admirim. Si ndonjë hero! I bënte disa hapa e kërcente! Mos të kishin qenë dorë për dore, djaloshi me siguri kishte për të fluturuar prej gëzimit.
Këndi ku ndodhet kafeneja, dhe e gjithë ndërtesa, është zbukuruar si nuse. Krejt gati për t’i pritur Kërshëndellat. Sa shpejt shkoi viti e pronarët e dyqaneve sikur duan ta përshpejtojnë edhe më shumë. Fundi i tetorit. Ka disa javë që Drini, djali ynë i vogël, u kthye në shtëpinë të cilën e ndan me shoqëri më afër Universitetit ku studion. Viti i tretë për të, por unë vazhdoj të ndihem sikur herën e parë. Si duket sa më shumë kohë kalon me fëmijë, aq më të vështira janë edhe ndarjet me ta, edhe pse kjo nuk na jep të drejtë t’i ngarkojmë me ndjenjat që si prindër mund t`i kemi kur fëmijët shkojnë rrugës drejt pavarësimit të plotë. Me siguri e ka vështirë të besojë edhe Drini vetë, por më mungon edhe rrëmuja që e bën në shtëpi. Rrobat e shpërndara nëpër dhomë, të lara e të palara, të përziera në një vend. Netët e vona me shokë jashtë, e unë duke e pritur e zgjuar prej merakut.
Vitin e kaluar, kur u kthye në dhjetor për pushime dimërore, pak ditë para Kërshëndellave dhe Vitit të Ri, më kujtohet që e zuri gjumi në dhomë të ditës. Unë e shfrytëzova kohën për ta rregulluar bredhin me shpejtësi, pasi u ktheva prej pune. Kur i doli gjumi e i pa dritat dhe zbukurimet - shumicën që i kanë pasur prej kur kanë qenë të vegjël - në shkëlqimin e syve të tij e pashë Drinin e vogël, edhe tash që është rritur e është bërë burrë! Kur shkonim bashkë për ta blerë bredhin, të cilin mezi e zinte vetura jonë e vjetër, që dukej si nga filmat vizatimorë, ai me duart e vogla provonte të më ndihmonte. Gjithmonë e blinim në të njëjtin vend. Shitësi ishte nga Shqipëria e veriut, i cili e ka pas bërë zakon t’i japë ­Drinit edhe ndonjë dhuratë bashkë me bredhin. Ende e kemi në dhomën e tavanit ariun e vogël, që sapo ia shtyp shputën fillon të këndojë “You know you make me wanna shout, from the rooftops…!“
Edhe Dimali ka studiuar larg shtëpisë dhe përsëri tash, mbas një kohe me ne, ka vendosur së shpejti të dalë në shtëpinë e tij. Ky është një udhëtim tjetër për të dhe të gjithë ne. Para disa ditësh, kur erdhi Drini për vizitë, dhe më pyeti se si po ndihem për vendimin e Dimalit, i thashë se sa shumë e lumtur jam për të… e ai më përqafoi dhe më shtrëngoi fort. Unë u ndjeva si fëmijë i vogël. Më gëzoi shumë. Më tha se do të vijë më shpesh gjatë kësaj kohe. Përkrahja e tij më lumturoi. E di që Dimali i ka treguar atij para se të na tregonte neve, dhe ndryshe nuk kisha dashur të jetë!
E kam kuptuar prej përvojave të mia me djemtë se nuk është lehtë të mësohesh me këtë ndjenjë të largimit të fëmijëve prej shtëpisë. Këtë “sindromë” këtu në Angli e quajnë “çerdhja e zbrazët” (empty nest). Kolegët në punë më thonë se kjo është kohë kur duhet të filloj t’i përkushtohem vetes më shumë, të gjej ndonjë hobi të ri ose t’u kthehem atyre që i kam lënë pas dore, të takohem me njerëz më shpesh, ndoshta të shkoj edhe në gym apo në ndonjë aventurë më të madhe! Në mos asgjë tjetër, e di që së paku do të filloj të shkruaj rregullisht! :)

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
270

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version