Kur padija bëhet më popullore se dija
Shkruan Prof. Dr. Afrim Blyta
A jetojmë në një kohë kur një person mund të fitojë miliona ndjekës pa pasur ndonjë kontribut të rëndësishëm intelektual? Ndërsa një shkencëtar, filozof, mësimdhënës, hulumtues, erudit apo studiues duhet të luftojë për vëmendjen e publikut? Pse një deklaratë sipërfaqësore mund të marrë mijëra pëlqime, ndërsa një mendim i argumentuar, një hulumtim shkencor apo një analizë serioze shpesh kalon pothuajse pa u vënë re. Kjo na çon te një problem shumë më i thellë sesa duket në shikim të pare: ndryshimi i kritereve me të cilat shoqëria e përcakton vlerën. Dikur dija, përvoja, urtësia dhe karakteri konsideroheshin ndër vlerat më të rëndësishme të njeriut.
Sot, gjithnjë e më shpesh, vëmendja, fama, pasuria, pamja e jashtme dhe numri i ndjekësve përdoren si tregues të suksesit dhe rëndësisë shoqërore. Nuk është problemi që njerëzit bëhen të famshëm. Problemi fillon atëherë kur fama ngatërrohet me mençurinë, popullariteti me kompetencën dhe vetëbesimi me inteligjencën. Me disa fjalë besoj shkurt do të përpiqem të shqyrtoj se si shoqëria jonë ka filluar t`i glorifikojë njerëzit pa dije të thellë. Pse ndodh kjo dhe çfarë mund të mësojmë prej kësaj? Besoj se jeta pa reflektim dhe pa vetëdije kritike nuk është jetë e jetuar në mënyrë të plotë. Vetëdija për kufijtë e dijes njerëzore është fundamenti i shoqërisë së civilizuar atje ku ne si shoqëri pretendojmë. Shumë prej tyre që pretendojnë se janë të mençur, kanë vetëbesim të madh për njohuritë që pretendojnë se i zotërojnë, por kur i kërkohet t`i shpjegojnë bindjet e tyre, shpesh nuk arrijnë t`i mbrojnë ato me argumente të qëndrueshme. Dhe këtu qëndron një mësim i madh. Njeriu që nuk kupton se sa pak di ose nuk e din që nuk di, mund të jetë shumë më i rrezikshëm se njeriu që pranon se nuk di.
Një njeri i mençur nuk ka frikë të thotë “nuk di”. Ai është i gatshëm të mësojë, të dëgjojë, të hulumtojë dhe të ndryshojë mendimin kur përballet me argumente më të forta. Ndërsa, njeriu arrogant, shpesh e sheh pyetjen si sulm, kritikën si fyerje dhe mospajtimin si kërcnim. Sot, ky dallim është veçanërisht i rëndësishëm. Në shoqërinë tonë shpesh hasim individë që flasin me siguri absolute për politikën, ekonominë, shkencën, historinë, mjekësinë dhe pothuajse çdo fushë tjetër edhe kur nuk ka njohuri elementare. Problemi nuk është se njerëzit kanë opinione. Të gjithë kemi të drejtë t`i kemi opinionet. Problemi është kur opinioni personal paraqitet si fakt. Kur padija maskohet me vetëbesim dhe kur refuzimi për të mësuar konsiderohet shenjë e forcës. Nuk është qëllimi të dimë gjithçka. E kundërta, duhet të kemi guximin të kuptojmë sa shumë kemi ende për të mësuar.
.jpg)
Le ta shikojmë realitetin e shoqërisë tonë. Sot fama është bërë një monedhë shoqërore. Një person mund të bëhet i famshëm për shkak të një video provokuese, një deklarate skandaloze, një sjellje të pazakontë apo një konflikti publik. Nuk është e nevojshme për të krijuar diçka të rëndësishme, të ketë kontribuar në shkencë, kulturë, arsim apo zhvillim shoqëror. Mjafton ta tërheq vëmendjen. Kjo krijon një paradoks të shoqërisë moderne. Njerëzit që kanë shumë për të thënë shpesh nuk dëgjohen, ndërsa ata që kanë pak për të ofruar dominojnë hapësirën publike. Mendoni një profesor universiteti që ka kaluar decenie duke studiuar, hulumtuar dhe publikuar. Në anën tjetër mendoni për një person që bëhet i famshëm brenda natës përmes një video disa sekondëshe. Cili prej tyre merr më shumë vëmendje? Në shumë raste përgjigja është e qartë, por a do të thotë kjo se personi më i famshëm është më i vlefshëm për shoqërinë? Natyrisht se jo. Këtu duhet të dallojmë një koncept shumë të rëndësishëm. Dukshmëria nuk është njëjtë me vlerën, ndërsa fama nuk është e njëjtë me meritën. Një shoqëri që mat njerëzit kryesisht me numrin e ndjekësve, pasurinë apo popullaritetin, rrezikon t`i lërë në hije vlerat e vërteta njerëzore. Dija kërkon punë, vite pune. Mençuria kërkon përvojë dhe reflektim. Karakteri kërkon integritet dhe përgjegjësi. Ndërsa fama mund të vijë brenda disa orësh. Kjo nuk do të thotë se çdo person i famshëm është i paditur apo se çdo akademik është i mençur. As fama dhe as titujt akademikë nuk duhet ta pengojnë të vlerësojmë një individ në bazë të argumenteve dhe veprave të tij.
Por pyetja që duhet të parashtrojmë vetes është pse po e shpërblejmë kaq shumë vëmendjen dhe kaq pak kontributin? Nëse shoqëria fillon t`i shpërblejë më shumë ata që argëtojnë sesa ata që edukojnë, atëherë edhe prioritetet tona kolektive fillojnë të ndryshojnë. Rrjetet sociale e kanë përshpejtuar këtë fenomen në mënyrë të jashtëzakonshme. Platformat si Facebook, Instagram, TikTok, YouTube kanë krijuar një hapësirë ku çdokush mund të bëhet krijues i përmbajtjes dhe të fitojë audiencë të madhe. Kjo është një mundësi pozitive për demokracinë e informacionit. Megjithatë, ekziston edhe një anë tjetër. Platformat digjitale shpesh e shpërblejnë përmbajtjen që gjeneron angazhim të madh. Kjo mund të favorizojë videot provokuese, konfliktet, skandalet dhe deklaratat emocionale.
Një përmbajtje e thellë që kërkon 10 minuta për t`u kuptuar mund të ketë më pak sukses sesa një video që ofron një përgjigje të thjeshtë për një problem tejet kompleks. Kështu krijohet një kulturë e konsumit të shpejtë të informacionit. Njerëzit mësohen të marrin përgjigjet e menjëhershme, pa e bërë përpjekjen për t’u kuptuar shkaqet, kontekstin dhe pasojat e një problemi. Në vend që të pyesim a është kjo e vërtetë, fillojmë të pyesim sa pëlqime ka marrë. Në vend se të pyesim a ka ky person njohuri dhe përvojë, pyesim sa ndjekës ka. Në vend të vlerësojmë argumentin, vlerësojmë personin që e paraqet atë. Kjo është një zhvendosje shumë serioze në mënyrë se si formojmë gjykimet tona.
Do t’i përmendi këtu emrat e dy psikologëve Dunning dhe Kruger. Është një studim i viteve 99. Ata hulumtuan lidhjen në mes të nivelit të aftësive dhe vlerësimit të individëve që kanë për aftësitë e veta. Dhe në këtë efekt përshkruhet një prirje ku individët me njohuri ose aftësi të kufizuara në një fushë mund të mbivlerësojnë aftësitë e veta, ndërsa individët me komponentë më kompetentë mund të jenë më të vetëdijshëm për kompleksitetin dhe kufijtë e njohurive të dijes së vet. Me fjalë të tjera, flet për njerëz që nuk e dinë, që nuk dinë, por edhe për ata që nuk dinë, që dinë. Duhet të jemi të kujdesshëm. Ky efekt nuk do të thotë se çdo person i paditur është arrogant apo se çdo ekspert dyshon në veten e tij, por ai na ndihmon të kuptojmë pse vetëbesimi i tepruar ndonjëherë mund të duket më bindës se kompetenca e vërtetë. Në mediat sociale ky fenomen mund të bëhet veçanërisht i dukshëm. Një individ mund të japë këshilla për shëndetin, për arsimin, të komentoj për ekonominë pa pasur njohuri ekonomike apo të japë verdikte historike pa studiuar fare historinë. Dhe nëse komunikon me siguri dhe përdor gjuhë bindëse, mund të krijojë përshtypjen se është ekspert. Rreziku nuk është vetëm përhapja e padijes. Rreziku është kur padija fillon dhe fiton autoritet publik dhe fillon të perceptohet si dije.
Pse shoqëria fillon të adhurojë njerëzit e gabuar?
Për ta kuptuar këtë dukuri duhet ta shqyrtojmë edhe psikologjinë njerëzore. Ekzistojnë disa mënyra pse shoqëria mund të japë vëmendje të tepruar individëve që nuk kanë domosdoshmërisht vlera të mëdha intelektuale. Së pari, njerëzit tërhiqen nga ajo që është e lehtë dhe argëtuese. Të lexosh një studim shkencor kërkon përqendrim dhe përpjekje. Të shikosh një video zbavitëse kërkon shumë më pak energji mendore. Nuk ka asgjë të gabuar në argëtim. Problemi lind kur argëtimi bëhet burimi ynë kryesor i informacionit dhe informimit të bindjeve.
Së dyti, ne kemi prirje t`i admirojmë njerëzit që duken të suksesshëm. Pasuria, veshja luksoze, makinat e shtrenjta, një stil i jetës së ekspozuar publikisht mund të krijojë përshtypjen e superioritetit, por suksesi material nuk është dëshmia e inteligjencës, e moralit apo e mençurisë. Një person mund të jetë shumë i pasur dhe njëkohësisht të ketë mungesë të theksuar të përgjegjësisë shoqërore. Në mendësinë kolektive suksesi material nuk ka filluar të barazohet me vlerën intelektuale dhe morale. Njerëzit mendojnë, nëse ky person ka arritur kaq shumë, e është aq i pasur dhe i famshëm, ai patjetër duhet të dijë diçka që unë nuk di. Kjo është pikënisje e gabuar. Pasuria mund të jetë rezultat i fatit, i manipulimit të algoritmeve dhe i shfrytëzimit të banalitetit, por asnjëherë nuk është garanci e mençurisë dhe e integritetit.
Së treti, thjeshtzimi i tepërt i realitetit. Njerëzit preferojnë përgjigje të thjeshta për probleme komplekse. Politika, ekonomia, arsimi, marrëdhëniet shoqërore janë çështje shumë të ndërlikuara. Njeriu i paditur ofron përgjigje bardhë e zi, zgjidhje magjike dhe fajtorë të menjëhershëm. Megjithatë, njerëzit që ofrojnë përgjigje të shpejta, premtime të mëdha dhe zgjidhje të lehta mund të fitojnë më shumë mbështetje sesa ata që shpjegojnë realitetin me nuanca dhe me argumente. Eksperti i vërtetë shpesh flet me dyshime. Përdor terma si varet ose mundësisht, sepse e njeh kompleksitetin. ër fat të keq masa shpesh preferon një gënjeshtër të lehtë dhe të thjeshtë dhe të sigurt, sesa një të vërtetë komplekse dhe të pasigurt.
Së katërti, shoqëria ndonjëherë e ngatërron guximin me arrogancën. Një person që flet me zë të lartë, ndërpret të tjerët dhe nuk pranon asnjë kritikë, shpesh perceptohet gabimisht si i fortë. Ndërsa një person që dëgjon, analizon dhe i shqyrton me kujdes fjalët e veta mund të perceptohet si i pasigurt, por mençuria nuk ka nevojë të bërtas. Shpesh njeriu më i mençur në dhomë është ai që dëgjon më shumë, pyet më mirë dhe flet vetëm kur ka diçka me vlerë për të thënë.
Cilat janë pasojat për demokracinë, arsimin dhe të ardhmen e shoqërisë sonë?
Kjo çështje nuk është thjesht problem i shijeve të kulturës apo i mënyrës se si njerëzit kalojnë kohën e lirë. Kur një shoqëri fillon të udhëhiqet nga opinionet e të paditurve me vetëvlerësim të lartë, pasojat nuk janë thjesht kulturore, por janë ekzistenciale. Ajo ka pasojë të drejtpërdrejtë në funksionimin e shoqërisë. Vendimet e rëndësishme politike fillojnë të merren në bazë të popullaritetit të ideve, jo në bazë të fakteve të provuara dhe kjo shpie në erozionin e autoritetit shkencor. Një demokraci e shëndoshë kërkon qytetarë të informuar, të aftë të analizojnë argumente, të dallojnë faktet nga propaganda dhe marrin vendime të përgjegjshme.

Nëse qytetari e vlerëson një politikan vetëm për shkak të popullaritetit, retorikës apo spektaklit publik, ekziston rreziku që kompetenca dhe integriteti të humbin rëndësi. Një shoqëri që nuk e vlerëson dijen bëhet më e cenueshme ndaj manipulimit. Në arsim rreziku është po ashtu shumë i madh. Nëse nxënësit dhe studentët mësojnë vetëm të përsërisin informacione, por jo t`i analizojnë ato, atëherë arsimi rrezikon të prodhojë njerëz që japin përgjigje, por nuk dinë të parashtrojnë pyetje. Universiteti nuk duhet të jetë thjesht vendi ku merren diplomat. Ai duhet të jetë vendi ku sfidohen idetë, ku zhvillohet mendimi kritik dhe ku kërkimi i së vërtetës vendoset mbi interesat personale. Brezi i ri fillon të shohë shkollimin dhe punën kërkimore si humbje kohe, duke qenë se suksesi arrihet më shpejt përmes skandaleve digjitale. Padija ushqehet nga emocionet primitive si frika dhe urrejtja, duke e bërë dialogun racional pothuajse të pamundur, duke krijuar kështu polarizim e kthim të shoqërisë. Këtu duhet të kujtojmë edhe një mësim tjetër. Sot dënohen, anatemohen, baltosen njerëzit jo pse nuk kanë ndikim intelektual, përkundrazi - se ata bëhen të papërshtatshëm për një pjesë të vogël të shoqërisë, sepse vazhdimisht i ballafaqojnë dhe cenojnë grupe të veçanta të interesit. E kaluara na kujton se shoqëria jonë jo gjithmonë i shpërblen njerëzit që kërkojnë të vërtetën dhe jo rrallë e tilla shoqëri i kundërshtojnë pikërisht ata që kanë më shumë nevojë të dëgjohen.
Si mund ta rikthejmë respektin për dijen dhe mençurinë?
Nëse kemi arritur në një pikë ku fama vlerësohet më shumë se dija, atëherë duhet të pyesim veten si mund ta ndryshojmë këtë realitet. Janë disa hapa praktikisht jo të lehtë, por janë të mundshëm - ta rikthejmë respektin për dijen, të promovohet shpërblimi i meritës. Duhet ta vlerësojmë mësimdhënësin, studiuesin, shkencëtarin, profesionistin dhe të gjithë ata që kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë. Si konsumatorë të përmbajtjes, ne kemi në dorë një monedhë shumë të shtrenjtë. Ajo është vëmendja. Duhet t`ua heqim vëmendjen të paditurve dhe t`ua falim krijuesve të vlerave të vërteta. Të mësojmë të dallojmë famën nga kompetenca. Numri i ndjekësve nuk është diplomë. Populariteti nuk është ekspertizë. Vetëbesimi nuk është dëshmi e inteligjencës. Të zhvillojmë kulturën e pyetjeve dhe të kultivojmë dyshimin. Të mos kemi frikë të pyesim: kush e thotë këtë, në çfarë dëshmi mbështetet? A ka argumente alternative? Të kultivojmë përulësinë intelektuale, të pranojmë se mund të gabojmë, të kuptojmë se askush nuk i di të gjitha dhe se të mësuarit nuk përfundon kurrë. Duhet ta rikthejmë guximin për të thënë “nuk di” dhe të vlerësojmë ata që hulumtojnë përpara se të flasim. Të bëhemi më të përgjegjshëm në përdorimin e mediave sociale, të sforcojmë edukimin mediatik. Duhet të mësojmë dhe t`i mësojmë fëmijët tanë se si t`i filtrojnë informacionet, si të njohin lajmin e rremë dhe si të mos e ngatërrojnë algoritmin nga e vërteta. Të mos shpërblejmë çdo përmbajtje vetëm se është provokuese apo argëtuese. Të mbështesim përmbajtjen që edukon, informon dhe nxit reflektim. Një shoqëri e mençur nuk është ajo ku të gjithë pretendojnë se dinë çdo gjë. Është ajo ku njerëzit e vlerësojnë dijen dhe nuk turpërohen të pranojnë që nuk dinë. Një shoqëri që admiron zhurmën rrezikon ta humbë mençurinë.
Duhet të pyesim, të dyshojmë, të analizojmë dhe të mos pranojmë asgjë vetëm sepse është e popullarizuar, sepse e thotë dikush me autoritet. Shoqëria moderne ka arritur përparim të jashtëzakonshëm teknologjik, por përparimi teknologjik nuk garanton automatikisht përparim intelektual dhe moral. Mund të kemi telefona inteligjentë, por kjo nuk do të thotë se kemi mendime të mençura. Mund të kemi miliona informacione, por kjo nuk do të thotë se kemi dije. Mund të kemi miliona ndjekës, por kjo nuk do të thotë se kemi vlera. Mund të jemi shumë të famshëm, por kjo nuk do të thotë se kemi kontribuar diçka të rëndësishme për shoqërinë tonë.
Një shoqëri fillon ta humbasë mençurinë atëherë kur pushon së admiruari dijen dhe fillon të adhurojë padijen e veshur me vetëbesim. Duhet t`i admirojmë ata që mendojnë, hulumtojnë, krijojnë, mësojnë, kontribuojnë dhe kanë guxim për ta mbrojtur të vërtetën. Sepse një shoqëri nuk ka nevojë për më shumë njerëz që pretendojnë të dinë gjithçka. Ajo ka nevojë për më shumë njerëz që kanë dëshirë të mësojnë dhe kanë guxim të mendojnë. Në fund të fundit, problemi më i madh nuk është se në një shoqëri ekzistojnë njerëz të paditur. Problemi fillon atëherë kur padija bëhet model i suksesit. Arroganca bëhet model lidershipi dhe fama bëhet zëvendësim për mençurinë. Padija ka qenë gjithmonë e pranishme në historinë njerëzore, por sot ajo ka gjetur një autoparlant të fuqishëm, e ajo është teknologjia dhe kultura e famës së shpejtë. Megjithatë, një shoqëri nuk mund të mbijetojë gjatë mbi themelet e zhurmës dhe sipërfaqësores. Le të mos bëhemi bashkëfajtorë në adhurimin e të paditurve. Le të jemi ne ata që rikthejmë në piedestal urtësinë, mendimin e argumentuar dhe etjen për dije, sepse në fund të fundit, civilizimi nuk ndërtohet me numër ndjekësish, por me thellësinë e mendimit dhe forcën e karakterit.
Duhet ta përmbyll me thënien e mentorit tim, themeluesit të psikoterapisë pozitive, Nossrat Peseschkian i cili ka thënë: Nëse jo na - kush? Nëse jo tash – kur?.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.