Ti je ketu: Ballina > Barazia Gjinore > Aspekte gjinore
Aspekte gjinore

Në Evropë hyhet me gra të emancipuara

Gruaja shqiptare sot zë vend të rëndësishëm në strukturat qendrore të shoqërisë civile, sidomos në ato për të drejtat e grave dhe emancipimin e tyre.

 

 

Shkruan Dr. Hajrullah Koliqi

Të mëdha dhe shumëplanëshe janë rezultatet e emancipimit dhe afirmimit të gruas në të gjitha trevat shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni etj. “Gra dhe vajza të reja, të mençura e të kultivuara, ndesh në çdo hap, në institute e në banka, në fondacione e përfaqësi ndërkombëtare, në shoqërinë civile, në shkolla apo klinika private... Ato flasin anglishten si të jenë kthyer dje nga Oksfordi, ato janë të afta të kryejnë çfardolloj masteri brenda e jashtë vendit, më të mirat e tyre do të mundnin të ndiqnin karriera të shkëlqyera universitare, shkencore, politike…” Një numër mjaft i madh syresh i vijojnë studimet, jo vetëm në universitetet vendore, por edhe në ato më prestigjioze të vendeve të tjera. Rreth gjysma e studentëve në universitetet shqiptare në përgjithësi, janë vajza.
Filozofia e të drejtave të njeriut, e barazisë gjinore, e luftës kundër diskriminimit dhe dhunës në familje etj., u konkretizua edhe me konventa, rezoluta, ligje e strategji ndërkombëtare, me masa e rezultate konkrete në fushën e emancipimit të gruas. Dhuna ndaj gruas nuk trajtohet më vetëm si çështje familjare, por edhe shoqërore, për luftimin e së cilës janë ngritur edhe institucione dhe struktura shtetërore. Në këtë aspekt u mobilizua sidomos shoqëria civile në Kosovë, në Shqipëri etj.
Gruaja shqiptare sot zë vend të rëndësishëm në strukturat qendrore të shoqërisë civile, sidomos në ato për të drejtat e grave dhe emancipimin e tyre. Rol të veçantë luajti dhe luan media e shkruar dhe ajo elektronike. Gruaja shqiptare sot është jo vetëm mësuese, por edhe police (profesion ky jo i zakonshëm për gratë shqiptare). Ajo është edhe mjeke dhe biznesmene, aktore e gjyqtare, shkrimtare dhe gazetare, profesoreshë universiteti e shkencëtare ... Disa prej tyre i kaluan caqet kombëtare dhe morën famë botërore.

Gruaja shqiptare është pjesëmarrëse aktive edhe në jetën shoqërore-politike, madje edhe në organet më të larta shtetërore. Natyrisht, e tërë kjo është për t’u admiruar dhe vlerësuar, por, fatkeqësisht, numri i grave shqiptare të shquara në shkencë, politikë e të ngjashme, është mjaft i vogël, shpeshherë edhe simbolik në raport me numrin e përgjithshëm të tyre, ose në raport me numrin e burrave që merren me biznes, politikë, shkencë, letërsi etj. Veç kësaj, rezultatet në këto fusha gratë shqiptare i arritën dhe i arrijnë me sakrifica shumë të mëdha, duke u ballafaquar vazhdimisht me barriera të shumta: zakonore, psikologjike, ekonomike, shoqërore, familjare etj. Në këtë kontekst, ato meritojnë respekt të veçantë, sidomos në shoqërinë maskuliste (patriarkale) shqiptare. Ato janë shenjtore, heroina të kohës sonë!

Aspekte të keqtrajtimit
Mirëpo, nga ana tjetër, është i njohur fakti se shumica e grave shqiptare janë të pabarabarta me burrat, janë të diskriminuara. Shumica prej tyre janë edhe objekt dhune psikologjike, seksuale, morale, fizike, shpeshherë edhe objekt krimesh më monstruoze, madje edhe për shkaqe më banale, në të gjitha mjediset shoqërore!

Gruaja rob i shtëpisë
Gruaja në familjen shqiptare, jo rrallë shndërohet në shërbëtore të burrit, të shtëpisë, sepse ajo ka pak mundësi për të qenë e pavarur, “për ta pasur veten në dorë të saj”. Gratë e tilla shëmbëllejnë në “skllave të punëve të shtëpisë”, të punëve më të përçmuara në botë! Burri dhe gruaja mund të quhen “zotëri” dhe “zonjë”, por pushtetet e këtyre dy partnerëve kanë dallime të mëdha, sepse mbështeten në pabarazi, në fuqinë fizike, ekonomike dhe politike, të cilat i ka kryesishr burri. Partneritet të mirëfillt nuk mund të ketë pa barazi midis partnerëve.

Gratë minoritet në shoqëri
Ndonëse gratë përbëjnë gjysmën e kombit shqiptar, ato, për nga fuqia vendimmarrëse janë minoritet, mbase në të gjitha fushat e jetës. Edhe në ato pak fusha ku ato janë shumicë, si në: shëndetësi (infermiere), në arsim fillor e parafillor (mësueset), në administratë (nëpunëset), në tregti (shitëset) etj., menaxhues (drejtues) zakonisht janë burrat. Ndonëse, shumicë për nga numri, pushteti vendimmarrës është gjithnjë në duart e burrave. Kjo dhe për faktin se gratë shpesh pësojnë edhe nga ndjenja e inferioritetit e formuar gjatë shekujve.

Dualizimi në arsim dhe karrierë
Shkolla është e dobishme si për djalin, ashtu edhe për vajzën, thuhet zakonisht. Megjithatë, për shkollimin e djalit shpesh investohet më shumë dhe më me dëshirë, ndërsa vajzës, nga ana tjetër, i ngushtohet hapësira për arsimim dhe jetë shoqërore-kulturore. Kjo është e theksuar sidomos në zonat rurale.
Femrat shqiptare vazhdojnë të jenë të diskriminuara në fushën e punësimit dhe të karrierës shkencore, akademike, shoqërore. Të pabesueshme duken njoftimet se 60% e popullsisë së Kosovës, e aftë për punë, janë të papunë, 70% e këtyre të papunësuarve, thuhet se janë gra!
Edhe më e theksuar është pabarrazia në karrierë, sidomos në arsimin e lartë, shkencë, politikë, fusha këto që janë përgjithësisht maskuliste. Mundësitë e gruas për një karrierë dinjitoze janë shumë të kufizuara. Është kjo një formë tjetër e diskriminimit dhe e viktimizimit të potencialeve intelektuale dhe artistike të gruas shqiptare.

Gratë dhe politika
Në politikën shqiptare përgjithësisht mashkullore, prania reale dhe pesha specifike e grave në vendimmarrje është shumë e vogël. Mashkullore janë si postet e dukshme të qeverisjes, ashtu edhe ato të padukshme (lobet, klanet, zotëruesit e parasë etj.)
Në politikën shqiptare gratë funksionin e tyre politik, shtetëror apo administrativ e kryejnë me dinjitet dhe me profesionalizëm shembullor. Fjala është për ato gra të cilat i çmojnë lart vlerat njerëzore e profesionale dhe sillen me respekt ndaj vlerave të tyre gjinore. Njëkohësisht, ato me veprën, sjelljet dhe dinjitetin e tyre njerëzor shëmbëllejnë në burra të mirëfillt dhe shkuar burrave!

Gratë objektiv potencial i dhunës
Të mbushura janë mediet me drama të mëdha e të dhimbshme me dëshmi rrëqethëse të femrës shqiptare. Ajo nënvlerësohet, poshtërohet, keqtrajtoret, dhunohet, grabitet e trafikohet për prostitucion, është viktimë e prostitucionit dhe e normës së kanunit. Gruaja është objektiv potencial i ngacmimeve dhe i dhunës seksuale në çdo kohë dhe në çdo midis.
Femrat janë jo vetëm objekt i dhunës, por janë të detyruara edhe ta durojnë atë “me kokën ulur”, sepse shumica syresh nuk kanë zgjidhje tjetër, nuk kanë ku të shkojnë. Një rrugëzgjidhje është divorci, por në rrethanat aktuale, humbëset më të mëdha zalonisht dalin gratë. Ndaj, ato janë të detyruara të qëndrojnë në familje e ta durojnë dhunën, sepse u mungojnë kushtet elementare për mbijetesë: puna, strehimi dhe ligji (drejtësia), i cili në raport me gruan, nuk është gjithaq efektiv, as gjithmonë objektiv. Prandaj, për shumicën e femrave shqiptare familja është vendi kryesor, si për të jetuar e punuar, ashtu edhe për ta mbrojtur atë për të ushtruar dhunë ndaj saj.
Gruaja dhe emancipimi i saj është një problem madhor, i përbotshëm dhe me rrënjë. Niveli i emancipimit të gruas shqiptare ende është larg standardeve të dëshiruara.
(***)

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version