Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Një takim nostalgjik
Paris 1990
Një takim nostalgjik

Shkruan Sanije Gashi

Mbrëmje me shi në Paris, 1990. Me të shkuar, kuptojmë nga mërgimtarët tanë se Helena e Ismail Kadare gjenden në Paris (është fundi i shtatorit, e mbrama ditë). Buzëmbrëmjen e kësaj dite, të dy palët – ne kosovarët dhe bashkëshortët Kadare e kemi rezervuar për pjekje. Në hol të hotelit “Residence”, tek jemi vendosur, aty nga ora 18.00 vijnë Helena e Ismaili.
- Ou, po ne njihemi! – do të lëshojë zë Helena me të hyrë, tek më drejtohet me zgjatje duarsh për përshëndetje. Zotëri Ismaili, trupgjatë, paksa i shtuar në peshë, më bëhet se fare pak do të ketë ndryshuar nga koha e para dhjetë vjetëve, kur vizitoi për të mbramën herë Prishtinën, redaksitë tona.

Çfarë do të ishte tema e bisedës në këtë kohë të rëndë për shqiptarët – pos ajo për hallet e përbashkëta. Ne flasim, ai dëgjon me shumë vëmendje. Ndjek çdo fjalë tonën. Mirëpo, megjithatë, vetëm dëgjon. Me të kuptuar qëllimin e shkuarjes sonë në Paris, na drejtohet me qëndrimin prindëror, qëndrim shoku e miku të rrallë. S’kursen edhe ndonjë këshillë:
- Shikoni, me t’u nisur nga Zonja Mitterrand, duhet pasur një gjë parasysh, duhet konsideruar vetja plotësisht e barabartë me të, pa fije kompleksi a ndjenje inferiore. Vetëm atëherë do të mund të bisedoni barabartë, lirshëm... Çlirohuni!
Ani që vështirë është ta kuptosh Kadarenë, ngase gjithherë është i qetë, flet pak, megjithatë duket se këtë mbrëmje është i gatshëm për bisedë. Tregon se këto ditë do t’i dalin nga shtypi dy vepra të përkthyera në frëngjisht, tek e pret edhe promovimin e tyre. Në Paris gjendet me të shoqen dhe dy vajzat: Gresën e Besianën. Gresa, studion në Paris (studimet pasuniversitare), ndërsa Besiana është maturante në Tiranë. Në bisedë kuptojmë se në Paris do të qëndrojnë nja një muaj. Kuptojmë, po ashtu, se shkrimtari ynë shpesh e viziton Parisin, ka shumë miq në mesin e francezëve, gëzon autoritet të madh këtu, shkurt, është më se i njohur.
- Jeni e informuar mirë për gjendjen në Kosovë? – i drejtohem Helenës, duke pasur parasysh bllokimin e medieve në Kosovë, pas bisedës kur më tregon se sapo e ka përfunduar romanin më të ri, i gatshëm për botim.
- Po, si jo! - ma kthen.
- Përmes...?
- Po, përmes TV Beogradit, programi I e II.
- Ouu! – s’mund e përmbaj veten. – Po TV Beogradi jep vetëm dezinformata për sa i përket Kosovës, shqiptarëve; trillon realitetin, të vërtetën për Kosovën, - i them e zhgënjyer.
Ç’mund të bëja tjetër, pos t’ia numëroja të gjitha vuajtjet e shqiptarëve – kosovarëve: edhe dhunën e pareshtur, edhe represionin, edhe burgosjet, edhe helmimin, edhe torturat, edhe përzënien nga puna, edhe të gjitha të zezat... Më bëhet, i ndalet fryma. E tëra, sy e vesh më dëgjon me vëmendje, e përjeton thellë tragjiken e shqiptarëve. Nuk flet, por shihet se ndien dhimbje të madhe. E përjeton rëndë. Nuk di ç’mund t’i jetë sjellë në kokë në ato çaste, por e di se lotët në sytë e saj folën shumë...

Para vetes kemi edhe disa nga botimet tona. E informoj përkitazi me mënyrën e daljes dhe dinamikën, edhe për mosprerjen e tyre, për të fituar në kohë. E çuditur, i drejtohet të shoqit:
- Ismail, dëgjon si dalin revistat në Kosovë, edhe të paprera!
Ismaili u hedh një sy revistave që i ka përpara. Tund kokën.
- Do të bëhet mirë, thotë. Kjo kohë e vështirë, ndër më të vështirat, duhet të tejkalohet...

Ngrihen, përshëndetemi, dalin. Pa u ulur mirë, i lagur nga rigat e shiut, Ismaili kthehet në hol.
- Shikoni! Harrova t’ju them një gjë: kur të shkoni te zonja Danielle Mitterrand, i thoni se këtu, në Paris, këto ditë u takuat me mua dhe se jam tejet i lumtur që pikërisht ajo do t’ju pranojë. Mos e harroni këtë!
Kadareja lë përshtypjen (këtë mbrëmje) se njëmend është i disponuar. I buzëqeshur (për kurtoazi apo pse vërtet e ndien veten ashtu), largohet me Helenën.

* * *

Mbrëmje e kthjellët, si loti, mbi Paris. Ngrohtë, ndonëse ditë vjeshte. Bashkatdhetarët na bëjnë me dije se sonte (2 tetor 1990), organizojnë darkë për mysafirët nga Kosova e Shqipëria: për çiftin Kadare. Në restorantin e një mërgimtari kosovar. Derisa i presim të vijnë bashkëshortët Kadare, Besiana tashmë është me ne. Gresën nuk e takojmë as këtë mbrëmje. Zhvilloj, ndërkohë, një bisedë po në këtë restorant, me Antoine Garaponin, sekretarin e Federatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, me seli në Paris. Për përkthyese kam Besianën, e cila e flet bukur frëngjishten. Ka zë karakteristik, lë përshtypjen se është vajzë tejet e zgjuar. Përpiqet të më përkthejë përpiktë. Më vonë, gjatë darkës, Kadareja tregon se Besiana e flet edhe më bukur anglishten.
Një muzikë e lehtë pakistaneze (restoranti, për gjellë ka kuzhinën pakistaneze), sikur të vë në gjumë, të “ledhaton” qetë-qetë.
- Ama, nuk jemi mësuar ne kosovarët me muzikë piano-piano, pa ‘Oj Kosovë...” – s’bën! – dëgjohen disa nga mërgimtarët tanë që na shoqërojnë këtë mbrëmje. Zotëri Ismaili dëgjon. Përsëri dëgjon. Flet pak. E mira Helenë, si gjithherë e qetë, herë-herë i komenton specialitetet e shtruara. Edhe Besiana.
- T’ju drejtohemi me shok a zotëri? – i them vetëm sa për ta thyer heshtjen.
- Si të doni. Krejt një! – ma kthen qetë, me zë të ulët, duke mos i dhënë rëndësi fare kësaj.
- Jeni duke shkruar diçka?
- Po, po. Vazhdimisht punoj. Po, po...
Hetohet se nuk është i disponuar. Mezi i nxjerr fjalët nga goja. Heshtja e tij është e rëndë. Sikur e mundon diçka. Herë i bën duart grusht në lartësi të nofullave, herë i lëshon bërrylat mbi tavolinë. Ku ta dijë njeriu...
- Ju lodhin takimet, darkat, bisedat...? i thuhet.
- Ëhë...!
Përsëri mimika e tij flet më shumë... E ‘ngacmojnë’ mërgimtarët, duan që Ismaili të flasë diçka. Dihet ç’u intereson, po shkrimtari u përgjigjet me buzëqeshje.
- Ama diçka, bre, shoku Ismail na flisni, na tregoni aman diçka, asnjëra palë s’i kemi punët mirë, as ju në Shqipëri, e lëre më ne në Kosovë – është pak më këmbëngulës i zoti i restorantit, Abedini. Ndërkaq Nazimi, njëri nga mërgimtarët tanë, që i shkojnë shakatë e barsoletat, ngrihet në këmbë, sikur do të demonstrojë atë që flet:
- S’di ç’u bë kështu: dil andej dum, kthehu këtej (në Kosovë) – bum, e halli?
Dëgjohet të flasë, po jo me aq qejf, shkrimtari:
- Nga pranvera populli është zhvilluar nga ana mendore. Herët a vonë, administrata do t’i përshtatet kësaj. Shqiptarët janë në sprovë të madhe, në të dy anët... Kaq. Asgjë më tepër. Edhe pas mbushjes e zbrazjes së gotave të verës. Edhe pas shtytjes e shakave të Nazimit. Të tëra këto shoqërohen vetëm me buzëqeshje nga Kadareja. Një zot e di ç’do të ketë përsiatur në ato çaste. S’di si e nga rrjedh biseda, po zëmë të flasim për numrin e shqiptarëve që jetojnë në disa kryeqytete. Në Stamboll, thotë shkrimtari, jetojnë 800 mijë shqiptarë! Në Shkup, ia kthejmë, 400 mijë, në Tiranë, shton ai, 300 mijë... Diku pas mesnate, Nazimi sërish nuk e lë pa na e kujtuar bashkimin e dy Gjermanive, rrënimin e murit të Berlinit, kërkon të dijë pak më shumë edhe për rrënimin e njëfarë gardhi...! Zbrazet vera. E pi. Ndez një cigare, dikur vonë, ndonëse nuk pi duhan.
-Të ngrihemi? – dëgjohet zëri i tij i qetë, thuaja pëshpëritës.
- Si të doni!... i thuhet me të njëjtin ton.
Nga ora 1 pas mesnate ndahemi. Natyrisht, me përshëndetjen për takim të sërishëm. Helena, në ndarje, më mban dorën pak më gjatë, sikur do të thotë diçka. Po nuk flet. Me shikime sikur kuptohemi...

Parisi është i qetë, fle... E shkrimtari?

 

 © REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Lexuar 3107 herë.
#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version