Rutina perfekte për kujdesin e lëkurës: Cilin produkt duhet të aplikoni të parin?
Kur bëhet fjalë për krijimin e një rutine për kujdesin e lëkurës, gjërat nuk janë gjithmonë të thjeshta – kanë kaluar ditët kur mjaftonte vetëm pastrimi, toniku dhe hidratuesi. Tani dëgjojmë shpesh terma si peptide, retinol, vitaminë C, acide dhe serume. Por çfarë nënkuptojnë të gjitha këto? Dhe, më e rëndësishmja, cili produkt duhet të aplikohet i pari?
Një rregull i thjeshtë që mund t`ju udhëheqë është t`i aplikoni produktet e kujdesit për lëkurën sipas konsistencës së tyre: filloni me produktin më të hollë dhe vazhdoni deri te produkti më i trashë. Por nuk mjafton vetëm të dini renditjen e produkteve; është gjithashtu e rëndësishme të dini cilat produkte ju nevojiten dhe sa shpesh duhet t`i përdorni. Sipas Dr. Anita Sturnham, e cila është e specializuar në dermatologji, lëkura jonë ka një ritëm cirkadian 24-orësh, që do të thotë se nevojat anatomike dhe fiziologjike të saj ndryshojnë nga mëngjesi në mbrëmje. Gjatë ditës, lëkura ka nevojë për mbrojtje nga faktorët e jashtëm, si rrezet e diellit dhe ndotja, ndërsa në mbrëmje ajo riparohet dhe rigjenerohet. Pikërisht për këtë arsye, nevojiten produkte të ndryshme në momente të ndryshme të ditës. Është gjithashtu e rëndësishme të mos përzieni disa përbërës të caktuar, si trajtime eksfoliuese dhe vitaminën C, sepse në disa rutina kombinimi i tyre mund të shkaktojë irritim ose të ndikojë në tolerueshmërinë e lëkurës.
Rutina e kujdesit për lëkurën në mëngjes
Pastruesi i fytyrës
Meqë makijazhin e keni hequr një natë më parë, filloni mëngjesin duke përdorur një pastrues të lehtë, për të larguar mbetjet e produkteve të kujdesit për lëkurën ose yndyrën e tepërt që mund të ketë mbetur në lëkurë. Pastruesi që përdorni në mëngjes duhet të jetë i butë, hidratues dhe jo abraziv, pra të mos e irritojë apo dëmtojë sipërfaqen e lëkurës.
Toniku
Më pas, përdorni një tonik me bazë uji ose qumështi, i cili ndihmon në rikthimin e ekuilibrit të pH-së së lëkurës dhe e përgatit lëkurën për aplikimin e serumit dhe kremit hidratues.
Kremi për zonën rreth syve
Më pas, përdorni një krem të veçantë për zonën rreth syve. Është e rëndësishme të përdorni një krem të posaçëm për këtë zonë, sepse lëkura rreth syve është shumë më e hollë dhe më e ndjeshme se pjesa tjetër e fytyrës.
Për këtë arsye, ajo është më e prirur ndaj shenjave të plakjes me kalimin e kohës. Përdorimi i një kremi hidratues për sytë, të pasur me përbërës si acidi hialuronik dhe peptidet, ndihmon në mbështetjen e prodhimit të kolagjenit në zonën poshtë syve.
Serumi me acid hialuronik
Acidi hialuronik është një përbërës i rëndësishëm në kujdesin e lëkurës dhe, sipas Dr. Sturnham, mund të përdoret nga të gjitha llojet e lëkurës. Dr. Sturnham shpjegon: “Acidi hialuronik ndihmon në sigurimin e strukturës së qelizave dhe mbështet barrierën hidratuese të lëkurës. Ky hidratim shtesë ndihmon që lëkura të duket më e plotë dhe më e lëmuar, duke zvogëluar pamjen e vijave të holla.” Për të përfituar sa më shumë nga acidi hialuronik, Dr. Sturnham rekomandon ta aplikoni në shtresa të holla gjatë rutinës së kujdesit për lëkurën, si në mëngjes ashtu edhe në mbrëmje, si dhe ta përdorni si serum më vete.
Serume të tjera
Një serum është krijuar për të depërtuar në shtresat më të thella të lëkurës dhe për ta ushqyer atë me një shumëllojshmëri përbërësish që ndihmojnë në mbrojtjen e lëkurës. Përdorimi i disa serumeve në shtresa të njëpasnjëshme mund të jetë gjithashtu efektiv për ta përshtatur rutinën e kujdesit të lëkurës sipas nevojave specifike të lëkurës suaj. Dr. Sturnham rekomandon përdorimin në shtresa të serumeve që përmbajnë këta përbërës kryesorë, për të ndihmuar në ruajtjen e një lëkure të shëndetshme gjatë gjithë ditës: Vitamina C - Vitamina C është një përbërës i rëndësishëm dhe i pasur me vlera ushqyese, i cili rekomandohet të përdoret çdo ditë në rutinën e kujdesit për lëkurën. “Lëkura jonë ka receptorë të krijuar posaçërisht për vitaminën C”, thotë Dr. Sturnham, prandaj është e rëndësishme që ta përfshijmë atë rregullisht në rutinën tonë të kujdesit për lëkurën. Vitamina C ka shumë përfitime, si: përmirësimi i tonit të lëkurës; mbrojtja e lëkurës nga ndotja dhe dëmtimet e shkaktuara nga rrezet UV; mbështetja e riparimit të qelizave; dhe dhënia e një pamjeje më të ndritshme dhe më rrezatuese të lëkurës.
Panthenol (Vitamina B5) - Panthenoli, i njohur ndryshe si Vitamina B5, është një përbërës që ndihmon në zbutjen dhe qetësimin e lëkurës, duke e mbrojtur atë nga irritimi dhe humbja e ujit.
Acidi ferulic - Acidi ferulik është një antioksidant që ndihmon në rritjen e efektit të antioksidantëve të tjerë të përdorur në serume. Ai gjithashtu ndihmon në zvogëlimin e shenjave të plakjes së lëkurës, si vijat e holla dhe rrudhat.
Kremi hidratues
Pasi të keni aplikuar serumin dhe t’i keni dhënë pak kohë që të përthithet në lëkurë, vjen radha e kremit hidratues. Kremi hidratues ndihmon që lëkura të mbetet e hidratuar gjatë gjithë ditës dhe krijon një bazë të lëmuar për aplikimin e makijazhit. Dr. Sturnham rekomandon përbërës jo-komedogjenë, pra përbërës që nuk kanë tendencë të bllokojnë poret, si: vaj shafrani të verdhë; vaj i bërthamës së kajsisë; skualen .
SPF (Kremi mbrojtës nga dielli)
Në fund të rutinës së mëngjesit, përdorni një SPF për ta mbrojtur lëkurën nga dëmtimet e shkaktuara nga rrezet UV. Dëmtimi nga rrezet UV mund të shkaktojë shenja të plakjes së parakohshme, si rrudhat dhe njollat/pigmentimi i lëkurës. Ekspertët rekomandojnë përdorimin e një SPF 30 ose më të lartë në fytyrë, për të siguruar mbrojtje optimale nga rrezet UV.
Rutina e kujdesit për lëkurën në mbrëmje
Pastruesi i fytyrës
Për pastrimin e fytyrës në mbrëmje, përdorni një produkt me përbërës më aktivë, i cili ka edhe veprim eksfoliues dhe ndihmon në pastrimin e thellë të poreve. Nëse gjatë ditës keni përdorur makijazh dhe SPF, rekomandohet të bëni një pastrim të dyfishtë: fillimisht përdorni një pastrues në formë balsami ose me bazë vaji, për të shpërbërë dhe larguar makijazhin dhe yndyrën e tepërt. Më pas përdorni një pastrues të butë, hidratues në formë xheli, për ta pastruar më tej lëkurën pa e tharë apo irrituar.
Toniku
Përsëri, pas pastrimit përdorni një tonik për të ndihmuar në balancimin e nivelit të pH-së së lëkurës dhe për ta përgatitur atë për aplikimin e serumit dhe kremit hidratues. Gjithashtu, mund të zgjidhni të përdorni një tonik me acide dy deri në tri herë në javë, në varësi të llojit të lëkurës suaj. Kërkoni përbërës si: Acidi glikolik, Acidi laktik, Acidi mandelik. Këta përbërës ndihmojnë në eksfolimin e lëkurës dhe në përmirësimin e njëtrajtshmërisë së teksturës së saj. Shmangni përdorimin e pastruesve eksfoliues ose pastruesve që bëjnë shumë shkumë, të ndjekur nga tonikë me bazë alkooli, sepse kjo mund ta thajë lëkurën dhe ta bëjë atë më të prirur ndaj ndjeshmërisë dhe irritimit.
Retinoli
Nëse jeni vërtet të përkushtuar për të luftuar shenjat e plakjes së lëkurës dhe ato vijat e holla të bezdisshme, retinoli është një zgjedhje e mirë. I njohur si një formë e vitaminës A, retinoli është një përbërës i fuqishëm që ndihmon në luftimin e shenjave të plakjes në nivel të thellë qelizor. Ai ndihmon në: stimulimin e prodhimit të kolagjenit dhe elastinës; zvogëlimin e bllokimit të poreve; rregullimin e prodhimit të sebumit (yndyrës së lëkurës); dhe luftimin e inflamacionit.Në treg ka shumë lloje produktesh me retinol, por Dr. Sturnham rekomandon ta përfshini retinolin në rutinën tuaj të kujdesit për lëkurën në formën e një serumi. Në etiketë mund të kërkoni përbërës si granactive Retinoid ose hydroxypinacolone retinoate (HPR), të cilët janë zakonisht më të butë dhe më pak irritues për lëkurën. Përdoreni në sasi të vogla çdo mbrëmje, pas pastrimit dhe tonikut, por para aplikimit të kremit hidratues. Filloni gradualisht dhe rriteni përdorimin me kalimin e kohës, në mënyrë që lëkura të mësohet me të. Sigurohuni që gjithmonë të përdorni SPF në rutinën e mëngjesit, sepse retinoli mund ta bëjë lëkurën më të ndjeshme ndaj rrezeve të diellit.
Kremi për zonën rreth syve
Ashtu si në rutinën e mëngjesit, aplikoni krem për zonën rreth syve, duke e vendosur në zonën e kockës orbitale, pra rreth kockës që rrethon syrin. Për të kursyer para, mund të përdorni të njëjtin krem për sytë si në mëngjes, ashtu edhe në mbrëmje.
Serumi
Shtoni një serum në rutinën tuaj të mbrëmjes, ashtu siç do ta përdornit gjatë ditës përpara kremit hidratues. Dr. Sturnham këshillon të kërkoni përbërës që mbështesin nevojat fiziologjike të lëkurës gjatë natës. Kushtojini vëmendje mënyrës se si ndihet lëkura juaj: A është lëkura e thatë? A po shfaq shenja pigmentimi ose njolla? A ndihet lëkura e ngarkuar ose me pore të bllokuara? Zgjidhni serume që trajtojnë nevojat specifike të lëkurës suaj dhe që, idealisht, përmbajnë një kombinim të përbërësve të dobishëm për lëkurën. Dr. Sturnham rekomandon përbërës si: Alfa-arbutina – ndihmon në përmirësimin e pamjes së njollave dhe pigmentimit; Acidi hialuronik – ndihmon në hidratimin e lëkurës; Qelizat staminale me bazë bimore – përdoren në formulime të kujdesit për lëkurën për të mbështetur pamjen dhe rigjenerimin e saj.
Kremi hidratues
Për kremin hidratues të mbrëmjes, përdorni një produkt me konsistencë pak më të pasur dhe më të trashë se ai që përdorni gjatë ditës. Kjo ndihmon në hidratimin e lëkurës së dehidratuar dhe në ruajtjen e lagështisë gjatë natës.
Rregullat e arta për renditjen e produkteve të kujdesit për lëkurën
• Merrni kohën e nevojshme për të aplikuar çdo produkt dhe lejoni që secila shtresë të përthithet në lëkurë përpara se të aplikoni produktin tjetër.
• Përdorni produktet trajtuese sipas konsistencës së tyre, duke filluar nga produkti më i hollë dhe duke vazhduar drejt atij më të trashë.
• Shmangni përzierjen e produkteve me bazë uji dhe atyre me bazë vaji në të njëjtën rutinë.
• Mbajeni rutinën e pastrimit të thjeshtë në përditshmëri dhe rezervojeni eksfolimin më intensiv për një herë në javë.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.