Sistemi imunitar është një kompleks i përbërë nga organe, qeliza, inde dhe proteina, të cilat punojnë së bashku për ta mbrojtur organizmin nga faktorët e dëmshëm, si bakteret, viruset, kërpudhat dhe toksinat.
Një sistem i fortë imunitar e ndihmon organizmin të përballet me infeksione të ndryshme, nga ftohja e zakonshme dhe gripi deri te mikroorganizmat e tjerë që mund të shkaktojnë sëmundje. Në të kundërtën, dobësimi i sistemit imunitar mund ta bëjë trupin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve dhe të ndikojë në aftësinë e tij për t`u rikuperuar. Prandaj, nuk është për t`u habitur që ushqyerja e shëndetshme, mënyra e mirë e jetesës dhe gjumi cilësor luajnë rol të rëndësishëm në mbështetjen e funksionit imunitar. Për fat të mirë, ekzistojnë disa zakone të thjeshta që mund të ndihmojnë në përmirësimin e mbrojtjes natyrore të organizmit dhe në ruajtjen e shëndetit gjatë muajve të ftohtë.
Krijoni një rutinë të rregullt të gjumit
Gjumi luan një rol të rëndësishëm në forcimin dhe funksionimin normal të sistemit imunitar. Gjatë gjumit, organizmi rigjenerohet dhe disa funksione të sistemit imunitar përmirësohen. Mungesa e gjumit mund të ndikojë në prodhimin e antitrupave dhe të qelizave që luftojnë infeksionet, duke e bërë trupin më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve. Për një shëndet të mirë, të rriturit rekomandohet të flenë nga shtatë deri në nëntë orë në natë. Për të përmirësuar cilësinë e gjumit, këshillohet të ndiqni një orar të rregullt të fjetjes, të shmangni ekranet para gjumit dhe të krijoni një ambient të qetë e të përshtatshëm për pushim.

Përfshini sa më shumë ngjyra në pjatën tuaj
Një ushqyerje e shëndetshme, e pasur me produkte bimore, I siguron organizmit lëndë të ndryshme ushqyese që ndihmojnë funksionimin e sistemit imunitar. Frutat, perimet, arrat, farat dhe bishtajoret janë burime të rëndësishme të vitaminave, mineraleve dhe antioksidantëve. Antioksidantët ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimet e shkaktuara prej radikaleve të lira, të cilat, kur grumbullohen në sasi të mëdha, mund të kontribuojnë në proceset inflamatore. Vëmendje e veçantë duhet t`u kushtohet ushqimeve që përmbajnë vitaminat C, D dhe E, si dhe mineraleve si zinku dhe seleni. Këto lëndë ushqyese kanë rol të rëndësishëm në funksionimin normal të sistemit imunitar.
Rëndësia e konsumimit të lëngjeve
Pirja e mjaftueshme e ujit nuk e mbron drejtpërdrejt organizmin nga viruset dhe mikrobet, por parandalimi i dehidratimit është thelbësor për shëndetin. Mungesa e lëngjeve mund të shkaktojë dhimbje koke, vështirësi në përqendrim, lodhje dhe çrregullime në tretje, si dhe të ndikojë në funksionimin e zemrës dhe veshkave. Konsumimi i ujit gjatë ditës ndihmon në ruajtjen e funksioneve normale të organizmit. Një tregues i dobishëm i hidratimit është ngjyra e urinës, e cila zakonisht duhet të jetë e verdhë e çelët.
Bëni aktivitet fizik të rregullt dhe të moderuar
Aktiviteti fizik i moderuar, i përshtatur me moshën dhe gjendjen shëndetësore, ndihmon në funksionimin e sistemit imunitar. Ecja me ritëm të shpejtë, çiklizmi, noti dhe shëtitjet në natyrë janë disa nga aktivitetet që mund të përfshihen lehtësisht në përditshmëri. Rekomandohet që të rriturit të kryejnë të paktën 150 minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar në javë. Përveç përfitimeve për imunitetin, aktiviteti i rregullt ndihmon në forcimin e muskujve dhe përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm. Është e rëndësishme që aktiviteti fizik të përshtatet me mundësitë dhe gjendjen fizike të secilit, duke shmangur sforcimin e tepërt.
Menaxhoni stresin
Stresi i zgjatur mund të nxisë proceset inflamatore dhe të ndikojë negativisht në funksionimin e sistemit imunitar. Ai mund të shkaktojë edhe ndryshime në mënyrën se si reagojnë qelizat imunitare, duke ndikuar në shëndetin e përgjithshëm. Për ta menaxhuar stresin, mund të ndihmojnë aktivitete të ndryshme, si meditimi, joga, shkrimi dhe ushtrimet e frymëmarrjes. Edhe disa minuta në ditë të kushtuara vetes mund të bëjnë ndryshim. Një shëtitje në mbrëmje, disa ushtrime të frymëmarrjes së thellë apo një moment qetësie mund të ndihmojnë në përballimin më të mirë të stresit.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.