Ti je ketu: Ballina > Intervista > Ekskluizve
Ekskluizve

Intervistë me sopranon e njohur shqiptare Ermonela Jaho

Ermonela, fenomen i pandalshëm

Këngëtarja Ermonela Jaho është ndër sopranot më të suksesshme dhe më të njohura në botë, shumë e lavdëruar për interpretimet e panumërta në teatrot e mbarë globit. Grua me aftësi të pabesueshme zëri, me një temperament të fortë dhe të admirueshëm, talent i jashtëzakonshëm, e cila karrierën e saj e filloi në Tiranë, për ta ndërtuar më pas në Itali dhe për të vazhduar suksesshëm në skenat më prestigjioze operistike botërore. Figura e saj elegante dhe energjia e pafund, janë rezultat i aftësisë së saj të jashtëzakonshme për t’u përqendruar në qëllimet e saj. Është e njohur për shkathtësitë interpretuese teatrore, të cilat kanë kontribuuar për suksesin e saj në shtëpitë më me renome të operës në mbarë botën. Është vazhdimisht në lëvizje, nga një shtet në tjetrin, ndërkaq aktualisht po punon intensivisht me Qendrën Teatrore Metropolitane të Nju-Jorkut, dhe është në përgatitje të paraqitjes së saj të radhës. Ermonela është zëri unik, një personalitet i cili jo rastësisht ndiqet me shumë kureshtje kudo që shfaqet. Ajo është shndërruar në superyll të vërtetë!


Intervistoi Blerina Gashi
Foto Fadil Berisha

Ermonela, keni arritur sukses marramendës në skenën operistike, sukses i cili para dy dekadash ishte i paimagjinueshëm për artistët shqiptarë. Si arritët të futeni në botën operistike dhe të renditeni krahas artistëve më të famshëm në planet?
Shqipëria, duke qenë një vend i mbyllur, krijoi një sindromë tek shqiptarët që çdo dëshirë apo ëndërr e madhe dhe “e paimagjinueshme” të kthehej në një platoni totale. Të krijoje atë botën tënde ku e pamundura bëhej e mundur. Çfarë mësova unë nga jeta - ishte puna drejt asaj ëndrre pa asnjë pritshmëri jashtë kufijve të Shqipërisë, dhe pikërisht ajo puna e pashtershme bëri që, në momentin e parë që m’u dha ky oportunitet, unë isha gati, isha e përgatitur dhe ajo ëndërr e paimagjinueshme bëhet e prekshme në saje të një dedikimi total, disipline totale dhe nevoje shpirtërore, që është ajo flaka e cila vë në punë këtë mekanizëm. Kontakti i parë për të kënduar në një teatër të madh konfirmoi gjithçka më sipër.
Jeni lindur dhe rritur në Tiranë, ku studiuat për kanto dhe më pas u specializuat në Itali. Cili ishte motivi juaj në rrethanat në të cilat ishte vendi juaj, që ju frymëzoi dhe ju dha forcë se ju mund ta ndryshoni jetën tuaj?
Unë jam e lindur në Rrëshen -Mirditë dhe isha 2 vjeçe kur u shpërngulëm në Tiranë, ku unë jam rritur e shkolluar. Motivi është një: Ishte nevoja ime shpirtërore që kërkonte të fluturonte nëpërmjet këndimit. Nëse ti do diçka kaq shumë dhe vë çdo qelizë të qenies sate drejt realizimit të saj, është një energji kaq e fortë që edhe universi lëviz në favorin tënd.

Aktualisht ndodheni në Nju-Jork dhe po përgatiteni për rolin e radhës. Cila është shfaqja dhe teatri ku do të paraqiteni?
Në këto momente jam në Nju-Jork dhe po përgatitem për Madama Butterfly në teatrin Metropolitan. 
Jeni e tensionuar përpara se të shfaqeni në skenë? Si ndiheni 2-3 minutat e para? 
Artisti është gjithnjë në tension. Është performancë live dhe asgjë nuk jepet si e dhënë. Edhe pse janë role të kënduara me qindra herë, gjithmonë, sa herë ngjitem në skenë, e konsideroj si hera e parë dhe e fundit e jetës sime.
Le të flasim për rolet tuaja. Veçoheni për interpretim brilant, posaçërisht për portretizimin e rolit të Violettas në Traviata, pastaj për rolin tuaj në Madama Butterfly, Sister Angelica - Il trittico, dhe shumë role të tjera të panumërta. Cili rol ju ngjall më shumë emocion?
Janë të gjitha role ku figura e gruas përqafon një gamë emocionesh dhe ndjenjash 360 gradë. Gra që duan në mënyrë të pakushtëzuar, që sakrifikohen, që japin shpirtin e tyre në mënyrë totale dhe me shumë krenari janë karakteristika të grave shqiptare, të vuajtura, të sakrificës, që duan me gjithë forcën e shpirtit të tyre dhe janë jashtëzakonisht të forta. Ndoshta duke parë dhe duke u rritur me shembuj sublimë të tillë, mendoj që janë shkruar faqet e librit të shpirtit të Ermonelës dhe në çdo rol të këtij dimensioni emocional në mënyrë të natyrshme del prej meje nëpërmjet këndimit dhe është bërë karta ime e fortë.
Gjithashtu shquheni për rolin ku keni portretizuar aq bukur Zazan, e cila ishte rritur pa nënë dhe baba, madje ju keni interpretuar shkëlqyeshëm, duke u bazuar dhe bashkëndier me përjetimet e nënës suaj, e cila gjithashtu ishte rritur pa prindër? E kishit të vështirë të realizonit këtë rol, të cilin pa mëdyshje e keni ndier personalisht?
Arti, muzika, janë gjuha e shpirtit dhe një Artist i vërtetë duhet t’i transmetojë publikut këto ndjenja në mënyrën më të sinqertë. Secili prej nesh ka një arkiv të mbushur me eksperienca personale. Për mua qe një frymëzim dhe vërtetësi, e cila më ndihmoi të jem e besueshme dhe në njëfarë mënyre e këndoja zemrën e Nënës sime nëpërmjet Zaza-s dhe pikërisht kjo e vërtetë preku të gjithë. E vërteta godet çdo qenie humane, pavarësisht nga cili vend vjen.

Thuhet se nga nëna juaj keni trashëguar jo vetëm zërin, por edhe shpirtin melankolik. Madje ju jeni realizimi i ëndrrës së nënës suaj, e cila kishte shumë dëshirë të bëhej këngëtare? Është e vërtetë?
Po, është shumë e vërtetë, por unë do të shtoja - Jo vetëm shpirtin melankolik, por edhe forcën e saj të jashtëzakonshme dhe zemërgjerësinë e pafund.
Megjithatë, vendi i saj në teatër mbeti përherë bosh, ngase ajo kurrë nuk arriti t’ju shihte në skenën operistike, vdiq para se ju të arrinit suksesin botëror. Ju pikëllon ky fakt?
Shumë gjëra që ndodhin në jetën tonë kanë një pse, por secili prej nesh ka nevojë të arrijë një pjekuri të tillë për ta kuptuar arsyen. Unë e kisha arritur suksesin ndërkombëtar edhe kur Nëna ime ishte gjallë, por këto janë disa fenomene që jetojnë me ne dhe, nëse Nënën time nuk e kam pasur asnjëherë në skenë fizikisht, e kam pasur dhe e kam frymëzim timin. Këndoj nëpërmjet shpirtit të saj.
Mund të flasim për jetën tuaj private? Jeni e martuar dhe zyrtarisht shtëpia juaj ndodhet në Nju-Jork. Sa është e vështirë për ju ta mbani këtë lidhje, përderisa vazhdimisht jeni në udhëtime?
Unë nuk kam dëshirë të flas për jetën private, por, shkurtimisht, mund t’ju them vetëm që dashuria e vërtetë, respekti për njëri-tjetrin bëjnë që të kapërcehen të gjitha vështirësitë e jetës. Ervin Stafa është shoku im i ngushtë i jetës që në fëmijëri dhe koha e konfirmoi dhe konfirmon atë çdo ditë.
Me çfarë merret burri juaj, e keni përkrahjen e tij të vazhdueshme, apo ka raste kur nuk dakordoheni?
Ervini është inxhinier elektronik dhe është përkrahja totale e jetës sime!
A mund të thuhet se jeni një person që ushqeheni shëndetshëm, merreni me aktivitete, keni një disiplinë vokale dhe, falë aftësive tuaja të jashtëzakonshme për t’u përqendruar në qëllimet tuaja, keni ndërtuar një kështjellë të forcës së brendshme?
E vërtetë totale dhe motoja ime është që asgjë nuk është e pamundur në jetë!

Gruaja shqiptare ballafaqohet me sfida, të cilat jo rrallë duken të pakapërcyeshme. Varfëria, dhuna në familje, diskriminimi në shoqëri, janë tejet të pranishme. Sa dhe në ç’mënyrë e përkrahni emancipimin dhe avancimin e gruas shqiptare? Çka dëshironi të ndryshoni në shoqërinë tonë?
Fatkeqësisht, ky është një fenomen tragjik kudo nëpër botë, por në Shqipëri më i theksuar, për shkak të një shoqërie, edhe pse ka ecje përpara në disa drejtime, akoma ka mbetur patriarkale. Atë që secili prej nesh mund të bëjë, është shembulli personal. E folura jashtë mureve të shtëpisë shërben si shembull kuraje, ndërgjegjësimi për të gjitha gratë, që të mos ndihen të vetme dhe të papërkrahura. Arritjet e grave shqiptare brenda dhe jashtë vendit, tregojnë jo vetëm arritjet e tyre, por edhe rrugëtimin e vështirë. Në një shoqëri, nëse bëhen hapa përpara duke përdorur gjysmën e fuqisë (burrat) imagjinojeni nëse përdorin edhe gjysmën e dytë (gratë). Mendoj kjo është filozofia e një shoqërie të barabartë.
Kudo ku paraqiteni, shkëlqeni me interpretimin brilant, duartrokiteni pafundësisht nga publiku dhe përherë kritika ju vlerëson në superlativ. Megjithatë, a keni ndonjë peng në jetë ose diçka që ju frikëson?
Jeta është një surprizë përditë. Rrugëtimi i saj është i mbushur me shumë gjëra të bukura dhe të trishtuara. Por, ky është rrugëtimi i një qenieje humane dhe të gjitha kanë vlerën e vet.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
269

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version