Ti je ketu: Ballina > Intervista > Dosje
Dosje

Më se 19 vjet pritje... rrëfehen familjarët e të pagjeturve

 
Koha kur nuk guxonim të kthenim kokën pas!
 

Paslufta Kosovën e gjeti me 4600 të zhdukur, ndërkohë që sot, pas 19 vjetësh, ende në këto lista figurojnë 1.660 persona të pagjetur, në mesin e të cilëve edhe Alishefik Spahiu, Afrim Delolli e Esma Demaku... Historitë e ndarjes së tyre nga familjarët janë të dhimbshme, të freskëta si kujtime ditësh dhe të vështira për t’u rrëfyer e për t`u dëgjuar... 

 

Shkruan Antigona Uka

 

Bedrije Spahiu:
SHKOVA T`IA PËRGATISJA MËNGJESIN, POR SHTRATI ISHTE BOSH 

“Shpresa ka filluar të zbehet se burri im është diku gjallë”. Kanë kaluar 19 vjet pritje, vuajtje, lot e mallëngjim, e Bedrije Spahiu, tani thotë se do të mjaftohej edhe nëse i gjen mbetjet mortore të bashkëshortit, avokatit Alishefik Spahiu.

Udhëheqja e Kosovës nuk ka bërë asgjë për çështjen e të pagjeturve. Jemi të dëshpëruar me ta”, shprehet me pezëm zonja Bedrije, e pensionuar pas 44 vjetësh përvojë si mësuese në Ferizaj. 
Ishte 18 prilli i vitit 1999 kur shtëpinë ia rrethuan policë e paramilitarë serbë. “Unë dhe bashkëshorti ishim duke punuar kopshtin. Fqinjët tanë ishin larguar, por Alishefiku ka qenë këmbëngulës për të mos e lëshuar Kosovën, edhe pse kishim shtëpi edhe në Tetovë. Dera e oborrit ishte e mbyllur. Ata bërtitën ‘Hape derën!’. U thashë ‘Pritni pak, derisa ta marr çelësin’”. Ishte vonuar pak, sepse e kishte fshehur vajzën e vetme që kishin, atëbotë 18 vjeçe, në bunkerin në bodrum, të punuar me duart e tyre. Atë vend nuk e kishte ditur askush. “Ia mbylla derën bunkerit me një enë të turshive të plastikës. Më pyetën pse u vonova, e unë iu thashë ‘u vonova derisa e gjeta çelësin’. Burri e injoroi hyrjen e tyre. Na ftuan brenda dhe filluan të kontrollojnë”, rrëfen zonja Bedrije detaje të asaj dite, të cilat janë memorizuar në kujtesën e saj si asnjë kujtim tjetër. Për vajzën kishte pohuar se ndodhej në Tetovë tek axha. Gjatë kontrollimeve në bodrum e kishin pyetur pse po dridhesh. “Iu drejtova me pyetje, pasi e flas gjuhën serbokroate: ‘A keni nanë ju?! Po të ishte në këso situate, edhe nëna juaj do të shqetësohej, siç ju po më shqetësoni’. E ata ia kishin kthyer ‘Për kë po mendoni - për UÇK-në?!”… “Pas kontrolleve në bodrum, u ngjitëm lart dhe unë u lehtësova, me vete thashë ‘edhe nëse më mbysin mua, me rëndësi vajza shpëtoi’. Pas kontrollimeve në tërë shtëpinë paramilitarët serbë ishin larguar. Atëherë, me propozim të bashkëshortit, ajo, bashkë me vajzën, kishin shkuar tek motra e saj, po ashtu në Ferizaj. “Të nesërmen në mëngjes u ktheva në shtëpi. Thashë t’ia bëj mëngjesin Alishefikut. Por, kur shkova, dera ishte e thyer, dyert ishin të hapura, shtrati i zbrazët... E thirra në emër, por nuk m`u përgjigj. “E paskan marrë”, - thashë me vete dhe ndjeva një vuajtje të hatashme. E mërzitur, dola prej shtëpisë, duke menduar si t’ia kumtoja lajmin vajzës. Kur shkova, i thashë, ‘Arjeta, babuqin e kanë marrë’. “Jo, nanush, nuk e kanë marrë, ndoshta. A e ke shikuar gjithë shtëpinë?!”. Pizhamet i kishte pasur te koka. Nuk di si e kanë marrë…”, shpalos brengën e pazbutur zonja Bedrije.
Menjëherë pas luftës shpresonte mos Alishefiku ishte në ndonjë burg. Thosha se këta njerëz me emër i ruajnë për qëllime të veta. Thoshin se Ukshin Hoti, Alishefiku, një doktor i Mitrovicës dhe dy të tjerë, gjenden në një burg privat ushtarak. Shpresova vite me radhë, mos është gjallë”, pohon ajo, duke shtuar se “mërzia do të më shoqërojë deri të hyj në dhe”. 
E periudha e pasluftës, kur për të pagjeturit shfaqeshin dëshmitarë e lajme të vërteta e të pavërteta, për zonjën Bedrije ishte njësoj e zymtë. Asnjë thirrje telefonike, asnjë dëshmitar me ndonjë informatë për fatin e tij. “Burri im më pati thënë ‘Bedrije, edhe pse s’kemi të holla, ato kanë shkuar atje ku duhet’. Paratë e fundit i ka dhënë për UÇK-në, ndërkaq me vete ka mbajtur vetëm 20 DM. Mua më dha 10, e për vete i mbajti 10 DM”.
Tërë këto vite, ajo nuk ka reshtur së kërkuari të vërtetën për fatin e bashkëshortit të saj. Këtë të vërtetë është përpjekur ta nxjerrë edhe nga Dragan Gjorka, i cili, sipas saj, ka qenë kriminel nga Ferizaj. “Pas luftës kam kërkuar një numër kontakti të tij, e kam siguruar dhe i kam telefonuar për ta pyetur për Alishefikun. Kur m`u paraqit në telefon dhe i kërkova të më tregojë për fatin e burrit tim, ai, pasi u mendua një copë herë, gjë që më bindi se e dinte të vërtetën, më tha ‘nuk di asgjë’”.
Aktualisht, rasti i Alishefikut ndodhet në Gjykatën Evropiane për të Drejta të Njeriut, në Strasburg. “Është një dëshmitar shqiptar që e ka parë Alishefikun kur e kanë marrë policia serbe nga shtëpia në orën 5 të mëngjesit. Ai është dëshmitar i mbrojtur”, tregon zonja Bedrije, e cila pakënaqësinë e saj e manifeston me pjesëmarrje në çdo protestë a organizim.

 

Muhabere Delolli:
AFRIMI U NIS PËR UÇK, U ZHDUK PA GJURMË...

Ishin vetëm 34 vjeç, kur Muhaberes e Afrimit, iu ndanë rrugët. Muhabere Delolli nga Ferizaj, e cila sapo ishte bërë nënë, nuk mund të besonte se Afrimi e kishte përnjëmend, kur thoshte se do t’i bashkohej UÇK-së...

"Pas gjashtë vjetësh martesë, na lindi djali. Gëzim më të madh nuk kishim përjetuar në jetë”, kujton ato ditë Muhaberja. Por, si duket obligimi moral që Afrimi ndiente për t’iu bashkuar luftës së UÇK-së, e sfidonte edhe përballë nevojës për të qenë afër familjes, afër djalit të porsalindur. 
Atëbotë, isha te familja e prindërve të mi, kur Afrimi erdhi për të më marrë. U kthyem në shtëpi e pas dy ditësh doli, kinse për ta mbushur motorin me benzinë, dhe nuk u kthye më kurrë. Më thoshte se do të shkoj në luftë, por unë thosha ‘hajt, se trimi shkon e s’kallëzon’. Mendja nuk më ka shkuar se largohet, pasi, sapo ishim bërë me djalë dhe nuk kishim përjetuar gëzim më të madh, asnjëri. Atë ditë që u largua, prita tërë natën se po kthehej. Pastaj morëm një taksi e shkuam në fshatin e prindërve të tij, në Dremjak. Dyshova, mos ka shkuar atje. E kam pyetur një grua, e ajo më tha, ‘ishalla e ke djalin, se ai ka ecë (ka shkuar në UÇK, v.j.). Nuk kemi lënë vend pa pyetur, deri në kufi me Shqipërinë. Askush nuk ka ditur gjë. Vëllait tim i ka treguar se do të shkojë në UÇK. Ata i kanë thënë, ‘nuk po bën mirë që po e lë motrën me fëmijë të vogël’. Por, ai e kishte vendosur”, thotë Muhaberja.
Pas luftës, një grua i kishte thënë se e ka parë Afrimin në Çeki. “Por, nuk është e mundur. E kam marrë fotografinë e i kam thënë ‘oj hallë, mos më mashtro, a je e sigurt se ka qenë ky?!”. Ajo këmbëngulte se po. Ndaj ne i dërguam fotografitë në Çeki, por ata na kanë thënë se nuk ndodhet atje. Pas 19 vjetësh që është zhdukur, unë sot po flas me ju. Përveç Kryqit të Kuq dhe ADN-së që na e kanë bërë, kurrë askush nuk është interesuar se nëpër çfarë vështirësish kemi kaluar, as çfarë ka ndodhur. Asgjë nuk kanë bërë për zbardhjen e fatit të familjarëve tanë. Janë bërë 19 vjet prejse burri im është zhdukur e unë nuk di asgjë për fatin e tij”.

Sot Muhaberja jeton me 130 euro, që i merr si familjare e të zhdukurve. “Djali po punon në një kafeteri, sa për t’u shkolluar. Është student i fakultetit juridik. Kunatin e kam jashtë, na i jep 200 euro në vit. E kështu mundohemi t’ia dalim disi. Krahas mërzisë, ankthit e dëshpërimit, kemi edhe hallin e ­mbijetesës”, përfundon rrëfimin Muhaberja.
 

 

Hajrije Demaku:
MË JANË FIKUR SHPRESAT SE ESMA ËSHTË ENDE GJALLË!

Nga dhjetë fëmijët e nënë Hajrijes, tetë djem e dy vajza, Esma ishte gëzimi i parë i familjes. Sot, më se 19 vjet pas luftës, ende familja Demaku nga Zahaqi i Pejës kërkon zbardhjen e fatit të bijës e motrës së tyre, por askush nuk di gjë, e heshtja e atyre që e morën për ta dërguar në drejtim të panjohur, vazhdon sot e asaj dite.

Policë e ushtarë serbë kishin ndalur kolonën e automjeteve të mbushura gra e fëmijë, në mesin e të cilëve ishte edhe Esma, atëbotë 33 vjeçe.
“Unë isha në traktor, bashkë me Esmën e djalin më të vogël, Fatonin. Me ne ishin edhe familjarë të tjerë të familjes së gjerë”, nis të rrëfejë atë ditë të kobshme nënë Hajrija. “Policë e ushtarë serbë na urdhëruan të ndaleshim. Kanë qenë me maska, nuk ua kam parë fytyrat, vetëm uniformat. Ata e zbritën vetëm Esmën nga traktori dhe e futën në veturën e tyre. U larguan në drejtim të Klinës, ndërkaq neve na kanë endur nëpër fshatrat përreth”, kujton ajo. Gjatë këtij rrugëtimi kishin rrahur e kishin ndarë edhe shqiptarë të tjerë. Duke pasur fëmijë të tjerë me vete në traktor, nuse e vajza, nënë Hajrija nuk kishte guxuar të kundërshtonte marrjen e dhunshme të Esmës. Në fillim shpresoja se e dërgojnë diku, e marrin në pyetje dhe e kthejnë, por kushedi se ku e kanë dërguar, çfarë i kanë bërë, e kanë vrarë...”
Pas luftës, nënë Hajrija tregon se as për Esmën nuk kanë munguar informatat e ndryshme për fatin e saj, por, thotë të jetë treguar e rezervuar ndaj këtyre fjalëve.
Nënë Hajria e sfidon mërzinë për të bijën, duke ia kujtuar vetes faktet më të dhimbshme të luftës, rastet e nënave që kanë humbur gjithë fëmijët, që kanë të zhdukur fëmijën e vetëm, ‘duhet të pajtohemi’, shton si me ofshamë. Ajo ka humbur shpresat se Esma mund të jetë diku e gjallë. “Po të ishte gjallë, ishte paraqitur deri tash”, pohon nënë Hajrija. Çuditërisht, Esma nuk shfaqet as në ëndrrat e së ëmës. “Nuk e shoh as në ëndërr. Kurrë!”, tregon ajo. E dëshpëruar me moszbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe të bijës së saj, ajo ka reshtur së protestuari. “Nuk po mund të dal më”, përfundon rrëfimin për të bijën, me shpresën e vrarë dhe fjalët e fundit se pas tërë këtyre viteve, kush mundi të gjendej, u gjend tashmë...


© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
267

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version