Ti je ketu: Ballina > Aktuale >

Të nderuara nga bota shkencore, të margjinalizuara në vendore

Me angazhimin, krijimtarinë e pasur shkencore e hulumtuese, ato i dhanë vulën e tyre shkencës në vendin tonë, e bënë më të vlerësuar atë në rang botëror, por kjo meritë që iu njoh dhe u vlerësua lart në arenën ndërkombëtare, ende nuk e gëzon respektin dhe mirënjohjen tek ne, suksesi i të cilave si duket ka mbetur në margjina.

Shkruan Afërdita Uka

Përbëjmë mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë në Kosovë. Arsimohemi krahas meshkujve, jo vetëm në institucionet arsimore vendore, por edhe në ato me renome ndërkombëtare. Në shumë raste, me sukseset e arritura, i tejkalojmë ata. Vlerësuar sipas statistikave për numrin e të diplomuarve dhe të atyre që vazhdojnë të marrin grada e tituj akademikë, qëndrojmë mjaft mirë. Mirëpo, kur vjen puna te përfaqësimi në nivelet më të larta të institucioneve të shkencës dhe artit, prania e femrës pothuajse nuk vërehet, ani pse shumë prej tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e shkencës dhe artit në vendin tonë, madje edhe në kohë të vështira, kur shumë pjesëtarë të gjinisë së fortë u tërhoqën apo u gjunjëzuan.
Është për të ardhur keq dhe irritohesh kur hap ueb faqen zyrtare të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe në listën e anëtarëve të rregullt të Akademisë nuk sheh asnjë emër apo portret femre!!! Të gjithë meshkuj. A thua, për gjithë këto vite arsimimi nuk paskemi arritur të nxjerrim qoftë edhe një kandidate femër, që do të meritonte rangimin në atë listë meshkujsh, që do të ishte dinjitoze për t’ua “prishur” strukturën gjinore?!

Me vetëm 4 emra femrash:
Edi Shukriu, Justina Shiroka, Gjyljeta Mushkolaj dhe Myzafere Limani, tashmë të dëshmuara në fushën e shkencës, njëra prej të cilave ka ngelur për vite me radhë në listën e anëtarëve korrespondentë të kësaj akademie, nuk përfaqësohen denjësisht kontributi dhe arritjet e femrës kosovare në fushën e shkencës dhe artit. Sado që kontributi i tyre në shkencë është njohur dhe vlerësuar lart edhe nga akademitë më prestigjioze ndërkombëtare, lista e publikimeve të tyre shkencore, e pjesëmarrjes në konferenca e simpoziume është aq e gjatë, sa shumë prej meshkujve, që rangohen më lart se ato, do të duhej të ndiheshin inferiorë. Si duket, ato më lehtë do ta kenë të arrijnë majat e akademive botërore sesa të bëhen anëtare të akademisë vendore. Këtu duhet të jesh i gjinisë së kundërt për të qenë në nivelin meritor. Në rastet kur ASHAK-u ka zgjedhur anëtarët e rinj, ka pasur interpretime e akuza nga më të ndryshmet. Jo rrallë është vlerësuar se institucioni më i lartë i shkencës dhe artit është aq i politizuar, saqë për të pranuar anëtarë të rinj, nuk është i rëndësishëm kontributi i tyre shkencor, sa është e domosdoshme prapavija politike e kandidatëve.


Derisa ato, krahas punës shkencore e arsimore, vazhdojnë të japin një kontribut të paçmuar edhe në jetën shoqërore, para së gjithash në familjet tona, atëherë logjikisht arritjet e tyre në shkencë kanë shumë më tepër vlerë edhe për faktin se për të arritur deri atje, ato kishin shumë më tepër sfida e vështirësi sesa meshkujt, që ecin gati pa u penguar nga angazhimet e tjera.
Sipas hulumtimeve të fundit, angazhimi i femrave në shkencë, në rang botëror, vazhdon të jetë shumë i ulët, madje në një përqindje që nuk kalon mbi 28 për qind, mbase për faktin se angazhimi dhe kontributi i femrave në rrugëtimin e tyre shkencor është edhe më i vështirë, sepse ballafaqohen edhe me paragjykime, prapaskena e pengesa nga më të ndryshmet. Përballë indiferentizmit mashkullor, mosnjohjes dhe mosvlerësimit të kontributit të femrave në fushën e shkencës tek ne, bazuar në arritjet e tyre dhe në gjithë atë punë kërkimore- shkencore, që i falën ato kësaj fushe, si asnjëherë më parë tingëllon fuqishëm thënia e Makijavelit “Nuk e nderojnë titujt njeriun, por njeriu nderon titujt”.
 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
270

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version