Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Rregullat elementare të sjelljes së qytetëruar
Rregullat elementare të sjelljes së qytetëruar
Sot, vërtet, askush më nuk kërkon të silleni sikur të keni zbritur nga romani viktorian, mirëpo ekzistojnë rregullat elementare të sjelljes së qytetëruar, në familje, në punë, në shoqëri, të cilat duhen përfillur e duhen zbatuar patjetër! Kjo është e domosdoshme, sepse askujt nuk do t’i bjerë kurora nga koka, nëse i thotë së paku tri fjalë të vogla: të lutem, të falem nderit, më fal!

Koha është flori
Ora nuk ka cingëruar, në trafik është tollovi. Madje edhe kur, vërtet, ndodh një gjë e tillë që ndikon në vonesën tuaj për mbledhje, duket si e trilluar. Nëse pasaktësinë tuaj e durojnë miqtë, në punë vonesën e karakterizon sjellja jo e mirë dhe jotaktike, sepse për shkak tuajin, të tjerët humbin kohën. Për këtë do të lini përshtypje të keqe. Një proverb francez thotë: Nuk ia vlen të vraposh, mjafton të nisesh me kohë! Për secilin koha është e çmueshme, prandaj është e panjerëzishme të vonohesh më shumë se ata 15 minuta të durueshëm “akademik”. Stilisti i njohur Gjorgjo Armani, për shembull, çdo mbledhje pune e kryen për gjysmë ore, arritën apo jo të gjithë, tek ai vonesë nuk ka! Të vonohesh, jo vetëm që është mosmirësjellje, porse shpesh edhe e dëmshme, sepse të tjerët e kryejnë punën pa ju, ndërsa herën tjetër as që do t’ju thërrasin.

Ndërrimi i unazave
Është punë e mirësjellshme po qe se vendosni të fejoheni ose të martoheni, që me kohë t’i njoftoni prindërit. Është traditë e mirë që të ndërrohen unazat, si shenjë dashurie, të cilat do t’i zgjedhin së bashku partnerët.

Përshtypja e parë
Nëse paraqiteni në punë ose dëshironi të lidhni marrëdhënie të re pune, përveç sukseseve tuaja të mëhershme në punë, është e rëndësishme edhe përshtypja e parë që do ta lini. Nëse visheni hijshëm dhe keni pamje të rregullt, ju do të lini përshtypje të mirë, e cila shpesh predominon. Rrobat dhe frizura diskrete, mirëmbajtja, janë rregulla që duhen përfillur edhe për takimet zyrtare.

Maniret pranë kompjuterit
Kompjuterët ndryshuan marrëdhëniet në punë – po punohet më shumë, e po bisedohet më pak, madje edhe zyrtarisht. Me gishtërinjtë mbi tastierë, shumica, bisedat i kanë zëvendësuar me mesazhe të e-mail-it. E-mail-i shërben për marrjen e porosive vërtet shumë të rëndësishme zyrtare, e jo për llomotitje të pafund dhe të parëndësishme. Prandaj, menjëherë duhet vlerësuar – a është porosia e rëndësishme dhe a kërkon përgjigje, ose a mund ta shtyni për më vonë.

Celulari dhe bisedat telefonike
Alo, unë jam! Këtë fjali mund ta përdorni edhe kur ju telefonon dikush, ndërsa kur ju i telefononi dikujt, rendi është që fillimisht të prezantoheni dhe pastaj të filloni bisedën. Bisedat në punë duhet të jenë sa më të shkurtra, sepse mund t’i pengoni kolegët. Kjo vlen madje edhe për biseda të rëndësishme, të cilat, gjithashtu, nuk bën të jenë shumë të gjata. Në anën tjetër, është shumë e pasjellshme t’i afrohesh dikujt që është duke zhvilluar bisedë telefonike dhe ta ndërpresësh. Edhe diçka: nëse dikujt i nevojitet të telefonojë lidhur me ndonjë çështje delikate, atëherë largohuni anash me mirësjellje.

Veshja e rregullt dhe me sens
Kontakti i parë është çast i ndjeshëm. Nga ju pritet sjellja e natyrshme, njerëzore dhe pamja e përshtatshme. Nëse nuk jeni yll filmi, e mësuar që tjetërkush t’ju zbukurojë, për rast të këtillë, megjithatë, qethni flokët (meshkujt) dhe rregullojeni frizurën (femrat). Është e ditur se femra mund t’ia falë ndonjë gabim mashkullit që i pëlqen, porse sa është e gatshme të durojë therjen e faqeve të rruara keq? Veshja duhet të jetë e rregullt, diskrete dhe me sens.

Veshja në punë, rregullat që duhet të përfillen
Rrobat nuk e bëjnë njeriun, as rangu i tij zyrtar, mirëpo, megjithatë, ekzistojnë disa rregulla të cilat duhet të përfillen patjetër. Është e rëndësishme që gjithherë të jesh i rregullt, i krehur dhe i “armatosur” me dezodorans. Më tej, është rregull – të vishesh në harmoni me të tjerët, sepse është e papërshtatshme të endesh në xhinse të vjetra, përderisa të tjerët janë të veshur me kostume ose të shtangesh në rroba rigoroze, me jelek e me kravatë-flutur, përderisa të tjerët janë veshur me kanotiera pambuku, por të përshtatshme. Dhe, mos harroni: edhe këpucët më komode duhet të lustrohen dhe të përshtaten me çorape dhe me pjesët e tjera të gardërobës.

Kavalier, por jo mburravec
Rendi është që të shkohet të merret partnerja dhe të dilni së bashku, kudo që jeni nisur. Në restorant, mashkulli hyn i pari. Kjo vlen edhe për ngjitje shkallëve – femra shkon pas mashkullit. Në lidhje pak më të gjatë ose në martesë, partnerët mund të merren vesh për takim në qytet apo në restorant, ose para kinemasë a teatrit. Edhe diçka: nuk është megalomani, por sjellje e mirë t’ia hapësh femrës derën e veturës!

Në restorant, kush duhet ta bëjë pagesën
Kur ta gjeni tavolinën, që është punë e sjellshme dhe më e sigurt ta rezervoni përpara, mashkulli do të duhej t’ia tërhiqte dhe t’ia afronte karrigen femrës, nëse këtë nuk e bën kamerieri. Menunë, së pari e shikon femra dhe asaj duhet lënë zgjedhja e ushqimit dhe e pijes. Porosinë, pastaj, e bën mashkulli, duke i respektuar dëshirat e femrës, si dhe kujdeset që gotën të mos e ketë të zbrazët. E, ç’të bëhet me pagesën? Ndonëse sot femrat dhe meshkujt i ndajnë shpenzimet, disi është e zakonshme që në daljen e parë ose të dytë, të paguajë – mashkulli. Më vonë fillon ndarja, ose herë njëri e herë tjetri paguajnë llogarinë, që është në rregull, nëse janë të punësuar që të dy.



 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
268

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version