Ti je ketu: Ballina > Intervista > Shkëlzen Jetishi: Jeta ime me Valbonën
Ekskluzive
Shkëlzen Jetishi: Jeta ime me Valbonën
Fama dhe sukseset nuk i kanë ndryshuar ata. Të qetë, mirëkuptues, të përgjegjshëm ndaj njëri-tjetrit, të angazhuar në punë dhe të përkushtuar në maksimum ndaj familjes, këngëtari i madh kosovar i këngës popullore, Shkëlzen Jetishi-Xeni, dhe bashkëshortja e tij, Valbona, kanë gjetur që moti rrugën e lumturisë së tyre. E atë, pas gati tri dekadash të qenit së bashku, ua madhështon çdo ditë e më shumë mbesa Noa, vajza e djalit të tyre të madh, Korabit, dhe nuses Gena.

Bisedoi Faik Hoti
Fotografitë Ridvan Slivova

 
Tri dekada me njëri-tjetrin
Xeni dhe Valbona rrëfejnë për revistën “Teuta” fragmente nga jeta e tyre, brenda së cilës ndërthuren ngjarje e momente interesante që prej ditëve kur ata së pari kanë njohur njëri- tjetrin e deri tek e sotmja, që, përveç suksesit në karrierë, njeh shumë mirë vulën e lumturisë së tyre, që është familja e shëndoshë dhe mbështetja që aty i japin të gjithë njëri-tjetrit.
Valbona e Xeni i kanë arkivuar mirë në memorien e jetës së tyre ditët kur si të rinj ishin takuar. Si gjimnaziste, Valbona duhej t’i bënte zgjidhje djaloshit që i kishte vënë syrin për ta pasur shoqe të jetës, Shkëlzenit, apo Xenit, siç e njihnin të gjithë në Gjakovë, një djali të ri, që më zërin e tij tashmë kishte bërë emër në muzikën popullore. Njëzet e shtatë vjet më parë, ata kishin zgjedhur njëri-tjetrin dhe pas kaq vjetësh martese, ata ndihen të lidhur fort mes vete, sikurse në ditët dhe vitet e para të dashurisë së tyre. “Mund të duket e çuditshme, por ka mbetur i njëjti raport dhe mes nesh është po ajo dashuri që e kemi ndier atëherë dhe po ajo mbështetje që i kemi dhënë gjatë tërë këtyre viteve njëri-tjetrit”, thotë Valbona.
Ulur pranë njëri-tjetrit, në një kënd të bukur të restorantit brenda kompleksit të tyre familjar biznesor “Xeni Imperial”, të cilin e kanë ngritur me mund nga puna e tyre, gjithsesi me një stil modern, Xeni e Valbona, thonë se kohët kanë ndryshuar shumë, mundësitë sot për çiftet janë të tjera, por rruga e tyre deri tani ka qenë për t’u admiruar. Martesa para njëzet e shtatë vjetëve për Xenin ishte ndryshe nga martesat që sot bëhen në shumicën e rasteve. 
“Ishin kohë të tjera, me mundësi më të kufizuara materiale dhe në mirëkuptim edhe me familjen e Valbonës, ne bëmë një ndejë në shtëpinë tonë, por jo dasmë, siç bëhen tani, dhe, thjesht, i thashë Valbonës: Eja në shtëpinë time dhe u krye muhabeti…”, tregon Xeni, teksa me humor thotë se, derisa nuk ka pasur mundësi të bëjë dasmë për vete, “ka martuar gjysmën e dynjasë”, duke kënduar në dasmat e tyre. Rezultatet e asaj martese, ndërkaq, janë familja e tyre, për të cilën ata ndihen krenarë. 
“Ne kemi provuar që vetitë tona t’i bartim te fëmijët dhe mendoj që ia kemi arritur. Nuk u kemi imponuar asgjë, i kemi lënë që ata të zgjedhin rrugën e tyre, ndërsa ne t’i ndihmojmë. Korabi është një djalë i përkushtuar për familjen dhe punën e tij, ka marrë një nuse të mrekullueshme nga Prishtina dhe na kanë gëzuar me vajzën e tyre Noan. Vajza jonë Edona është mjaft e mirë dhe ndodhet në SHBA me të fejuarin, Asdrenin, që është menaxher i një ‘Steak House’ dhe një djalë i mrekullueshëm. Ndërsa një dimension tjetër shumë interesant jetës sonë i ka dhënë edhe djali ynë i vogël, Ledioni”, tregon Xeni për familjen. E kur tashmë flitet për Ledionin, Valbona thotë se me ardhjen e tij në jetë, bashkëshortësia e saj me Xenin ka pësuar një ripërtëritje. “Ledi i ka dhënë një fuqizim tjetër dashurisë sonë, sikur jemi ripërtërirë me të, jemi ndier të rinj, sikur në kohën kur është lindur fëmija i parë, ai ka sjellë një ndjenjë të veçantë në jetën tonë”, tregon Valbona, duke insistuar që të përcjellë një mesazh për çiftet kosovare. “Do të kisha dashur që të gjitha çiftet që ende janë diku midis moshës 37, 38, 40-vjeç të sjellin në jetë edhe nga një fëmijë, sepse kjo do t’i rigjenerojë dhe do t’i bëjë edhe më të lumtur”, porosit ajo. “Freskim tjetër për ne ka qenë Noa. Fëmijët janë ata që bashkojnë, ata që i lidhin njerëzit mes vete dhe nëse dikush dëshiron që të shkojë mbarë bashkëshortësia dhe familja në përgjithësi, duhet të bëjë te vetja nga një ndryshim”. 
E vetëdijshme që fati i ka dhënë një bashkëshort, profesioni i të cilit kërkon shumë angazhime, Valbona ka pasur çdoherë mirëkuptim për agjendat e ngjeshura të Xenit dhe ka provuar që gjatë gjithë kohës t’i japë mbështetjen e duhur, duke i qëndruar afër. “me gjithë angazhimet që vazhdimisht i ka pasur, Xeni ka gjetur përherë kohë për familjen, duke i ruajtur raportet. Asnjëherë nuk ka lënë hapësirë për ndonjë mosmarrëveshje. Nëse e ka pasur gati tërë javën të aranzhuar me programe, ai ka gjetur njërën prej ditëve për të telefonuar dhe për të thënë: Bëhuni gati, po shkojmë sot në Strugë, Ohër...”, tregon ajo.
Zonja Valbona thotë se është për keqardhje kur sheh sot apo dëgjon që çifte të ndryshme ndahen për një fjalë goje, apo kur sheh që njerëz me ndikim, qoftë nga jeta artistike apo publike, që prishin familjet e tyre për mungesë respekti apo mirëkuptimi. “Ky është mesazh i keq, të cilin nuk do t’ia dëshironim askujt”, thotë ajo. Xeni nga ana e tij vlerëson se mirëkuptimi është çelësi që siguron rehatinë e një familjeje. Diçka që ai dhe familja e tij e kanë gjetur. I angazhuar vazhdimisht me programe të ndryshme artistike, me pjesëmarrje në koncerte, mbrëmje, ahengje e dasma të ndryshme, brenda e jashtë vendit, ai ndihet i lumtur që fitimet që ka realizuar gjatë karrierës së pasur si artist, i ka materializuar duke ngritur një biznes familjar, kompleksin e bukur hotelier “Xeni Imperial” në hyrje të të Gjakovës, që menaxhohet nga Zonja Valbona dhe Korabi, ndërkohë që ka mundësuar që aty të angazhohen edhe familjarë dhe miq të tjerë për të punuar. “Nuk kam qenë asnjëherë materialist i madh, por ndihem mirë që pas tërë këtyre viteve angazhimi, ia kemi dalë të investojmë në këtë kompleks me idenë që kështu t’i jepet mundësia familjes për të jetuar nga puna e vet dhe kjo ndihmon edhe të afërmit dhe rrethin…”, tregon ai.

“Suksesi u ndërtua vit pas viti”
E nga roli i menaxheres dhe udhërrëfyeses për mysafirët e çka ofron ky kompleks, Valbona thotë se sukseset nuk arrihen brenda një dite, por duhet përkushtim disavjeçar për to, derisa kujton se dhe vetë prej shtatëmbëdhjetë vjetësh ka menaxhuar një sallon ondulimi, gjithmonë e përkrahur nga Xeni për të qenë sa më kreative dhe në shërbim të familjes. “Kur njerëzit shohin diçka si biznesi ynë, u duket sikur kjo të jetë bërë aty për aty, sa çel e mbyll sytë, por është e çuditshme se si nuk e shohin kohën, vitet që kanë shkuar, mundin, derisa kemi ardhur në këtë pikë”, thotë ajo.
E të jesh i madh, i suksesshëm në skenë, në krye të më të mirëve dhe vazhdimisht i kërkuar, sigurisht që është një sfidë që kërkon sakrificë të madhe. Këtë Xeni e ka në vëmendje çdoherë, prandaj ai i ka dhënë vetes obligimin për të qenë sa më i përkushtuar në profesionin e tij. “Seriozitet, motivim dhe përkushtim”, thotë ai, për çdo paraqitje. Për ta ilustruar këtë, Xeni tregon se ka kënduar në shumë e shumë mbrëmje e dasma, aq sa do të ishte e pamundur edhe të numërohen, por në secilën prej tyre ka dhënë maksimumin që të performojë sikur ajo të jetë paraqitja më e rëndësishme në jetën e tij. Pse? “Sepse për të Zotin e familjes apo për çiftin që martohen, ajo është nata më e rëndësishme, janë përgatitur me vite apo muaj, kanë kursyer për të shpenzuar për atë natë dhe unë nuk dua t’i zhgënjej, përkundrazi, e jap maksimumin që të ndihen të lumtur dhe të kënaqur”, tregon ai.
Për Xenin që është një emër i veçantë në muzikën popullore shqiptare dhe krijues i një numri shumë të madh këngësh, secila më hit se tjetra nga zhanri popullor, është shumë me rëndësi që përherë të kultivohet kënga që ka vlera, që ka përmbajtje të mirë dhe që ata që e dëgjojnë t’i bëjë ta shijojnë dhe ndiejnë atë. Ai thotë se e gjen veten mirë në çdo format të programeve muzikore, por i preferon më shumë dasmat, në të cilat interpretohet live, ndërkohë që atmosfera në to është një motivim shtesë për të dhënë më të mirën. Gjithsesi, flet me pietet për duetet e shumta me emra të njohur të muzikës popullore, si Ismet Peja, Mazllom Mezini, Zenel Doli, Kastriot Tusha, Bujar Qamili, Shkurte Fejza, Shyhrete Behluli, Manjola Nallbani dhe emra të tjerë…“ Kam pasur vërtet duete të mrekullueshme me shumë emra të mëdhenj të muzikës sonë, por më vjen mirë në veçanti për një duet që pata arritur ta realizoj me të ndjerin Bacën Bajrush Doda, i cili më pati bërë përshtypje shumë edhe për faktin që ai e pati përjetuar atë si një ringritje të tij prapë në skenë dhe i cili qe finalizuar pak kohë para se ai të ndërronte jetë. Unë në fakt i pata thënë: Bacë, unë të jam mirënjohës ty për këtë mundësi”, tregon ai. “E kam vërejtur që ky duet ka çuar peshë shumë tek njerëzit tanë, sidomos në diasporë”.

Krenarë me fëmijët
Ndërkohë, Xeni vlerëson se janë mbajtur mend mirë edhe duetet me Kastriot Tushën dhe vënien në skenë nga ana e tyre të këngëve të Qamilit të Vogël, Isuf Myzyrit dhe Mustafa Budinit dhe mbetet me shpresë se do të gjejë mbështetje që ngjashëm të veprohet edhe me këngët e Dervish Shaqës, këngët e vjetra shkodrane etj.
Gjithsesi, ai dhe bashkëshortja e tij ndihen mirë që rrugës së babait me sukses është nisur edhe Korabi, ndonëse thonë se në asnjë moment nuk ia kanë diktuar që të merret me muzikë. “Xeni ua ka shtruar rrugën fëmijëve që të jenë të suksesshëm, por është në dorën e tyre që ta zhvillojnë veten”, thotë Valbona, derisa Xeni e kupton qart se për asnjë fëmijë nuk është e lehtë që të dilet nga hija e babait, nëse nuk punohet shumë. “Babai im e thoshte se është vështirë të jesh djali i babait të mirë, dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me mua apo me fëmijët e mi, por edhe me të tjerët. Megjithatë, unë besoj që fëmijët tanë janë në rrugën e duhur dhe jemi krenarë me ta”, thotë Xeni.
Gjithsesi, si ai, ashtu edhe Valbona, flasin pa dallime për tre fëmijët e tyre, ndonëse është evidente se Ledioni për ta është dhurata më e çmuar e viteve të fundit. “Jam shumë krenar edhe me Korabin dhe vajzën Edonën, e cila ka pasur fat të takojë një djalë shumë të mirë dhe punëtor, siç është Asdreni. 
Megjithëse kanë mjaft angazhime si familje, ata tregojnë që kanë një disiplinë të veçantë për sa i përket punës, kujdesit për çdo gjë, por edhe jetës së lirë dhe pushimeve, të cilat verës preferojnë t’i kenë në fund të qershorit dhe fillim të korrikut, duke frekuentuar kryesisht bukuritë e Jonit në Jug të Shqipërisë, ndërsa dimrit, Brezovicën, ku kanë edhe një vilë të tyre. E për skenën ku Xeni, shquhet me një elegancë të veçantë, bashkëshortja e tij, prapë merita nuk dëshiron të marrë për vete. Ia atribuon bashkëshortit. “Ai ka shije të mirë në përzgjedhjen e gardërobës. E vlerësoj shumë faktin që, megjithatë, çdoherë merr edhe mendimin tim”, tregon ajo.
Dhe, përderisa vitet që ata kanë kaluar së bashku u kanë dhuruar shumë kujtime të mira, një familje të shëndoshë dhe momente të paharruara kudo, mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjellë, duket që kanë bërë të mos i ndiejnë shumë vitet, ndihen të plotësuar, reflektojnë freski, motivim, plot shpresë e entuziazëm. Gjithsesi edhe mikpritje të ngrohtë për mysafirët. “Jemi mirë dhe të lumtur. Vitet po shkojnë dhe familja po zgjerohet, por neve po na duket që plakja po vonohet”, thonë duke qeshur ata. “Për ne nuk është me rëndësi sa vjeç jemi, por si po ndihemi”, thotë zonja Valbona.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
268

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version