Ti je ketu: Ballina > Opinione > Hebrenjtë, komb që e çmojnë gruan
Hebrenjtë, komb që e çmojnë gruan
Që nga dita e parë që kam ardhur në Londër, jetoj në mesin e komunitetit hebraik. Dhe, do të dëshiroja ta them se është kënaqësi të jetosh në një rreth të tillë. Pse, do të më pyesnit ju?

Zyrifa Kqiku, Londër

Sepse, ka shumë gjëra që meritojnë të shkruhen për këtë komb. Pra, të jetosh në mesin e tyre, e para - je shumë i sigurt, ngase janë komunitet shumë i organizuar, ndërsa krimi është në një shkallë shumë të ulët. Dhe, ajo kryesorja, janë shumë punëtorë dhe pikërisht këtu edhe zë fill rrëfimi im. Janë, pra, punëtorë të vyeshëm, e ndihmojnë njëri-tjetrin, e duan dhe e ruajnë shumë familjen, e sidomos gruan e çmojnë dhe e nderojnë shumë! Gratë hebraike, po flas për ato që jetojnë në Londër, i kanë të gjitha të mirat, të cilat ua kanë mundësuar burrat e tyre punëtorë. E, po ashtu, janë shumë të ndershëm, të mirësjellshëm dhe në rend të parë e vënë familjen dhe bëjnë çdo gjë që të ruajnë harmoninë në familjet e tyre. Kujdes të veçantë tregojnë për pleqtë dhe të sëmurët. Shumë shqiptarë jetojnë e punojnë në Londrën veriperëndimore në mesin e komunitetit hebraik, pra, shumë syresh edhe punojnë për ta.

Në fillimet tona të hershme, pra kur erdhëm së pari ne shqiptarët në Londër, atëherë kur Kosova ende ishte e robëruar nga okupatori serb, një punëdhënës hebraik e kishte pyetur një punëtorin e tij shqiptar: "Çka bën ti për kombin tënd në Kosovë, a jep ndonjë ndihmë a kontribut?" "Po, i ishte përgjigjur bashkëkombësi ynë, i jap 3 për qind të të ardhurave të mia". - "E pra, veç 3 për qind po e meritonit lirinë!" - i kishte thënë hebreu punëdhënës, "se, ne hebrenjtë i japim 10 për qind të të ardhurave tona për Izraelin".

“Kosher”, ushqim i njohur hebraik
Sa i përket ngrënies, hebrenjtë e kanë ushqimin e vet të quajtur "Kosher", në çdo produkt të tyre ekziston ky emër dhe ata nuk konsumojnë ushqime të tjera, përveç atyre të prodhuara në fabrikat e tyre. Dhe, kjo nuk është fshehtësi, çdo ditë në artikuj gazetareskë e gjetiu të bie të lexosh, pos të tjerash, edhe për biliona të ardhurash që mblidhen prej shitjes së ushqimit të tyre me famë botërore të quajtur "Kosher". Nuk ka bir nane që mund ta bindë edhe më të voglin fëmijë që ta hajë mishin, qumështin, çokollatën a çkado tjetër të prodhuesve tjerë, bile as bukën, që e kanë jashtëzakonisht të mirë, mu si bukën tonë!

Ndoshta këtu diku edhe fle fakti se si një komb e një shtet kaq i vogël, si Izraeli, me popullsi prej afër 7.5 milionësh të udhëheqë botën në zhvillimin dhe eksportin e teknologjisë së gjelbër, e cila mund ta shpëtojë planetin tonë. (Thonë se në Amerikë jetojnë edhe rreth 5 milionë të tjerë hebrenj, mu si 5 milionë shqiptarët që jetojnë e punojnë në Turqi). Ndoshta edhe ata nga Amerika ndihmojnë shumë shtetin e tyre. Kur Warren Buffett, njeriu më i pasur i botës kishte vendosur të bënte investimin e tij të parë jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e kishte zgjedhur pikërisht Izraelin.
"Disa amerikanë kanë ardhur në Lindjen e Mesme duke kërkuar naftë, kështu që nuk janë ndalur në Izrael. Ne kemi ardhur në Lindjen e Mesme duke kërkuar koka të mençura, dhe u ndalëm në Izrael" - kishte thënë Zoti Buffett, kur i kishte investuar 4 bilionë dollarët e tij në Iscar, veglapunuese të vlefshme. "Kam ardhur në përfundim se truku i vërtetë në biznes është - jo të jesh vetë një gjeni, por të shkosh përreth duke u shoqëruar me gjeni, të cilët bëjnë punë të mbarë dhe rri anash duke i soditur." - tregon ai. Zbulimet e Izraelit nisin prej Intel microprocessorëve deri te mesazhet sistemore, të cilat sigurojnë gati gjithë transaksionet financiare botërore. Microsoft Intel, IBM dhe NDS firmë kjo që dizajnon set-top box-at e TV-së, sinjale për kabllo dhe satelitë, të gjithë këta kanë qendra për hulumtime e  zhvillime në Izrael, duke u mbajtur në forcën e trurit të këtyre "gjenive".

Mençuria i bën të mbijetojnë
Janë më se 1000 (një mijë) start-up kompani të pastra teknologjike në Izrael, shtet ky i cili ka tërhequr më shumë investime të huaja në biznesin e teknologjisë së lartë në dekadën e fundit, sesa e tërë Evropa. Në zbulime të reja Izraeli i kalon të gjithë fqinjët. Prej vitit 1980-2000, egjiptianët kanë regjistruar 77 patente në ShBA, Arabia Saudite 171, kurse Izraeli ka regjistruar 7,652. "Ne jemi fleksibilë dhe jemi të mençur, sepse e dimë se duhet të jemi të tillë që të mbijetojmë," - thotë Shraga Brosh, kryetar i Asociacionit të Prodhimeve Izraelite.

Ky shtet prodhon ushqim në zall (rërë) dhe shtëpitë i furnizon me energji diellore. Pra, si është e mundur që ky shtet përherë në luftë me fqinjët të bëhet kaq i njohur me zbulime teknologjike? I rrethuar prej fqinjëve armiqësorë me shumë pak burime natyrore dhe dy të tretat e territorit te vet - shkretëtirë, Izraelit i është dashur të usë në përdorim trurin dhe dijen për të mbijetuar.

Promotor i këtyre zbulimeve, inovacioneve teknologjike – është Armata Izraelite. Aty, në armatë, pra, mblidhet ajka e rinisë izraelite, i fusin nëpër kurse dhe trajnime universitare dhe u japin njohuri të larta ushtarake.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version