Ti je ketu: Ballina > Aktuale > ZONJAT FLASIN PËR DITËN E NUSËRISË SË TYRE
Martesat
ZONJAT FLASIN PËR DITËN E NUSËRISË SË TYRE
Çdo nuse ka vizion unik për martesën e saj. Për çdo vajzë të famshme, apo të rëndomtë, dita e dasmës konsiderohet si dita më e rëndësishme e jetës së saj. Në vazhdim jua paraqesim dasmat e disa personaliteteve, të cilat në mënyrë të sinqertë evokojnë çaste nga dita e tyre e veçantë. Nga këpucët deri tek sallonet e rezervuara, ëmbëlsirat e shtruara dhe ëndrrat për një dasmë madhështore, flasin profesoresha Justina Shiroka – Pula dhe këngëtaret Shkurte Fejza, Miranda Hashani e Kaltrina Selimi.

Shkruan Antigona Uka 

Ndonëse kanë kaluar 40 vjet që nga dita e dasmës së saj, kujtimet nuk janë zbehur, por, përkundrazi, ato rikujtohen çdo përvjetor. Znj.Justina Shiroka Pula flet me emocion dhe entuziazëm për një ndër ditët më të bukura të jetës së saj, duke përshkruar detaje interesante të asaj kohe. 
“Aktualisht janë duke u organizuar shumë dasma të bukura dhe madhështore, mirëpo në kohën kur unë jam martuar, dasma jonë ishte më e veçantë se dasmat e tjera, pasi para 40 vjetësh, dy familjet, Shiroka–Pula, kemi organizuar dasmë të përbashkët, për ç’gjë u jemi mirënjohës familjeve tona”, shprehet deputetja. Pas gati pesë vjetësh në lidhje dashurie, 7 maji i vitit 1977 ishte caktuar si datë për ta kurorëzuar këtë dashuri me martesë. Dasma ishte organizuar në një nga restorantet e pakta në kryeqytet, ndërsa të ftuar kishin qenë rreth 200 veta. Sot, kur evokon kujtimet e asaj dite, znj. Shiroka – Pula e pranon se edhe ajo, si pothuajse çdo vajzë tjetër, ka ëndërruar për një “dasmë të bukur me shumë lule dhe të veçantë”.


E pyetur nëse atëbotë kishte dashur që për dasmën e saj të mos kursehej asgjë, ajo përgjigjet: “kam pasur dëshirë që dasma të jetë e bukur dhe gracioze, ndërsa për buxhetin janë kujdesur familjarët e çiftit. Në fakt, ne jemi tri motra, ndërsa unë isha vajza e parë dhe prindërit e mi kishin dëshirë që dasma ime të ishte e madhe dhe e bukur si dhe të mos kishte asnjë ndryshim nga dasmat që organizohen për djemtë”.
Meqë çifti kishin vendosur ta bënin dasmën të përbashkët, edhe për organizimin e saj ishin kujdesur dy familjet, ndërsa atëbotë nusja e ardhshme ishte kujdesur për disa detaje të ditës së saj. Për humorin e të ftuarve, atëherë nuse e sot gjyshe, znj. Shiroka – Pula kujton se ishte kujdesur “orkestra e Gjakovës me këngëtarët Esat Bicurri, Zekiria Çarkaxhiu dhe disa familjarë që në atë kohë kanë qenë anëtarë të disa orkestrave muzikore”. Se a e mban mend, a ishte e dekoruar me lule salla ku ishte mbajtur dasma,  zonja elegante tregon, “salla ishte pak e dekoruar me lule, mirëpo unë kisha një shportë dekorative me lule dhe bonbone, të cilën ma kishte sjellë axha nga Italia. Me bonbone të dekoruara me emrat e çiftit dhe datën e martesës u shërbyen të gjithë mysafirët e dasmës. Tani ky simbol nuk është interesant, por për atë kohë ishte një e papritur e këndshme”. E kur bëhet fjalë për fustanin e nusërisë, deputetja të kujton damat që në jetë udhëhiqen nga parimi i thjeshtësisë. “Ishte fustan i bukur e i thjeshtë, pa rruaza dhe xixa. Në kokë kisha një kapele të madhe të lëshuar. Gjithashtu, të vetmen stoli e kisha një unazë të arit të bardhë me brilant, që ma dhuroi bashkëshorti. Kuptohet, këpucët ishin të bardha me taka të larta”. Nusja Justinë në ditën e saj mbante edhe lule në dorë. “Ishin karafila të bardhë. Është një moment i veçantë në ceremoni të dasmës, ku lulet hidhen për t’i pritur beqarët, që shpreh dëshirën e nuses për vajzat dhe shoqet, të cilat presin datën dhe fatin e tyre për martesë”, pohon ajo. “Isha një nuse moderne dhe modeste”, kjo për faktin se “stili i flokëve, i fytyrës dhe i thonjve ka qenë i natyrshëm, nuk ka pasur dallim nga përditshmëria. Vetë jam kujdesur për dukjen time. Mirëpo, në atë kohë, jo vetëm që nuk ka pasur, por nuk kanë qenë as atraktive këto mundësi të rregullimit, siç janë sot”. Një tjetër detaj interesant për atëherë dhe tani ka qenë torta e dasmës. “Torta ka qenë e bardhë, në tri nivele, dhe me rastin e shërbimit të saj, në sallë janë fikur dritat dhe torta e cila ka qenë e rrethuar me gëzhoja të vezëve, të mbushura me alkool, janë ndezur dhe kanë dhënë flakë ndriçuese, gjë që ishte një rast i rrallë dhe i veçantë për atë kohë”, tregon znj. Shiroka – Pula, pa harruar të shtojë se këtë tortë e kishte përgatitur nëna e saj me vajzën e tezes.  Dasma e deputetes ishte tradicionale dhe moderne. Siç e do zakoni, farefisi i bashkëshortit kishin shkuar me vetura për ta marrë nusen. “Të gjithë mysafirët, dhëndri, prindërit e tij, së bashku me burra dhe gra të tjera, pa i ndarë në ambiente të ndryshme, erdhën në shtëpi, i pritëm sipas traditës sonë, duke i shërbyer me ushqim dhe pije, por nuk munguan as muzika dhe vallëzimi”, rikujton kushedi për të satën herë atë ditë deputetja. Se si e kujton momentin e largimit nga shtëpia dhe kush ishte mërzitur më shumë, ajo pohon, “dasma dhe largimi nga shtëpia është një moment emocionues. Ndoshta çdo gjë ka kaluar me stres për të gjithë, por babai ishte më i pikëlluari”. E pyetur nëse ditën e dasmës e cilëson si ditën e saj më të mrekullueshme në jetë, znj. Shiroka – Pula shprehet, “kur je i ri, është dita më e bukur. Pas një kohe ditën më të bukur ta bëjnë fëmijët dhe suksesi i tyre, e pas një kohe ditën më të mrekullueshme ta bëjnë mbesat dhe nipat. Pra, dita e dasmës është një nga ditët më të bukura”.
Sot, pas 40 vjetësh martesë, kur ka fituar edhe epitetin e gjyshes, zonja Justinë nuk preferon të tregojë moshën e saj duke thënë se me rëndësi për të është që e ndien veten relativisht shumë të re, “kam vullnet dhe punoj shumë, jam gjyshe e mirë. E kreva fakultetin, u punësova dhe pastaj, në moshën 23 vjeçe, u martova”.

Deputetja Justina Shiroka – Pula është e martuar me Blerim (Ymer) Pulën, me profesion inxhinier i diplomuar i energjetikës.

 

 SHKURTE FEJZA: Dasma jonë ka qenë tipike tradicionale

Një ditë e nxehtë vere, saktësisht 26 gushti i vitit 1984 ka qenë dita kur ëndrra e këngëtares Shkurte Fejza për t’u bërë nuse u shndërrua në realitet.  “Mendoj që secilit dasma e vet i duket si një përrallë. Është një moment i paprovuar dhe gjithmonë para saj e imagjinon si do të jet­ë. Dhe, ashtu si ndodh, pavarësisht si e mendon përpara, të duket si një përrallë dhe pastaj të kujtohet si një tregim i mirë”, shprehet këngëtarja. Ajo kujton faktin se, në kohën kur ishte martuar, mungonin restorantet e dasmave, ndaj dasma e saj ishte zhvilluar në oborrin e shtëpisë. “Ka pasur shumë njerëz, sepse, veç të ftuarve, kanë ardhur edhe të tjerë që e kanë shikuar nga anash. Unë edhe në atë kohë kam qenë e njohur dhe ka pasur interesim për të më parë si jam bërë nuse”, kujton znj. Fejza duke e përshkruar ambientin e dasmës si një ambient shumë të bukur, pavarësisht se bëhej fjalë për oborr shtëpie.

E pyetur se sa kohë para se të martohej ka qenë në lidhje me bashkëshortin e saj, këngëtarja sqaron, “pesë vjet kemi qenë së bashku, katër vjet të fejuar dhe një vit në lidhje”.Të sapodiplomuar, çifti nuk kishin një buxhet të tyrin për të organizuar dasmën. “Ne atëherë sa i kishim përfunduar studimet. Më kujtohet nja dy muaj përpara patëm diplomuar të dytë dhe nuk kishim as buxhet e as shumë pretendime për shpenzimet e dasmës”, tregon këngëtarja duke bërë me dije se për këtë organizim u kujdes familja. Rrahman Pagarusha dhe Hamëz Llapqeva ishin këngëtarët që kënduan në dasmën e çiftit, “por ka kënduar edhe Qamili i Vogël, sepse ka qenë mysafir”. Sot, kur këngëtarja e kujton atë ditë, nuk heziton ta përshkruajë si madhështore, pasi, veç ambientit të hapur e me shumë lule natyrale, në oborr, hijeshinë dasmës ia shtonin edhe njerëzit e shumtë në dasmë, që kishin shkuar, të ftuar e të paftuar, për ta parë Shkurte Fejzën - nuse. Fustanin e nusërisë znj. Fejza tregon se e kishte qepur në Prizren dhe sot, kur e kujton, konsideron se ka qenë shumë i bukur. Se ku i kishte rregulluar flokët dhe fytyrën për atë ditë, këngëtarja tregon, “ditën e dasmës i kam rregulluar te Menda në Prizren ndërsa të nesërmen te Shefkija në Suharekë, sepse ne dasmën e kemi bërë në fshatin e lindjes, në Mushtisht”. Nuk i kujtohet se kush atëbotë ishte kujdesur për tortën dhe se si dukej ajo dhe, për fat të keq, nuk ruan asnjë foto kujtim nga kjo ditë, pasi të gjitha i janë djegur gjatë luftës, së bashku me shtëpinë.

“Dasma jonë ka qenë tipike tradicionale dhe normalisht kanë ardhur gratë me shumë vetura, ndërsa burrat duke ecur, sepse i kemi pasur shtëpitë afër me Hajrushin, në një fshat”, kujton këngëtarja, duke u pajtuar se ajo ka qenë dita më e mrekullueshme e jetës së saj. “E di se tërë rrugës është ndalur vetura disa herë për shkak të njerëzve të shumtë. Femrat e ndalnin veturën ku isha unë për të shikuar se si është bërë Shkurtja nuse”. Këngëtarja ishte e kënaqur me dukjen e saj, “po sepse Hajrushit i dukesha bukur”, shprehet ajo duke shtuar se “ishte një ndryshim i madh, sepse deri atëherë i mbaja flokët të drejtë, të ndarë në mes, ndërsa atë ditë kisha bërë një frizurë dhe kisha ndryshuar dukshëm”. Madje znj. Fejza kujton edhe komplimentin e veçantë të asaj dite, që pa dyshim e kishte marrë nga i zgjedhuri i saj, “më duket i kisha pëlqyer shumë, sepse më tha - je bërë krejt tjetër, po dukesh më e bukur se lulet që i ke në dorë’”. Teksa rrëfen gjerë e gjatë për ditën më të bukur të jetës, kur ishte vetëm 22 vjeç, këngëtarja kujton me nostalgji edhe momentin e dhimbshëm të largimit nga shtëpia. “Nuk ishte e lehtë. Më duket se nana ishte mërzitur më së shumti. Ndarja nga familja e prindërve nuk është e lehtë. Më kujtohet se edhe unë isha mërzitur për këtë fakt. Ta them një gjë, edhe sot kur këndoj në dasma, e sidomos në kanagjegje, kam një ndjenjë dhimbjeje për vajzat që martohen dhe nënat e tyre, kur ndahen”.

Shkurte Fejza është e martuar me Hajrush Behlulin, me profesion ekonomist i diplomuar. 

 

MIRANDA HASHANI: Situata politike na i ndryshoi planet e dasmës

Situata e rëndë politike në Kosovën e vitit 1998 kishte ndryshuar edhe planifikimin e dasmës së saj, e cila ishte caktuar një vit më parë. Bëhet fjalë për këngëtarenMiranda Hashani, e cila i dha fund beqarisë më 13 qershor 1998, duke arritur që, megjithatë, ta jetësonte ëndrrën për t’u bërë nuse. Pas gati katër vjetësh në lidhje dashurie me Mentorin, dita e kurorëzimit të kësaj dashurie me martesë, kishte arritur. 
“Dasma jonë përgatitej të bëhej në Prishtinë, në restorantin Dora, por, për shkak të trazirave, dasmën e zhvendosëm në Shkup, në restorantin Vefa. Meqë datën e kishim caktuar një vit përpara, përgatitjet kishim kohë që i kishim kryer, madje edhe në ftesat e mysafirëve figuronte se dasma do të mbahej në Prishtinë, gjë që atëbotë u bë e pamundur”, tregon këngëtarja.
Sot, ajo e kujton dasmën e saj si një dasmë me plot momente të bukura dhe interesante, “të them si një përrallë, ndoshta nuk do të tregohesha modeste”, shprehet znj. Hashani, duke sqaruar se asnjëherë, ajo dhe bashkëshorti, nuk kishin menduar të bënin një dasmë të madhe. “Çdoherë bënim plan të ftonim familjet tona të afërta dhe miqtë tanë më të dashur”. Por jo gjithherë planet realizohen me përpikëri. Në dasmën e këngëtares kishte ndodhur e kundërta. “Të ftuar kishim mbi 300 veta, por, për shkak të situatës që ishte në Kosovë, arritën të bëhen 200 të ftuar”. Ndonëse buxhetin për dasmë e kishin të caktuar, znj. Hashani megjithatë thotë se nuk kanë kursyer për gjërat e domosdoshme. “Me organizimin e dasmës jemi marrë unë dhe Mentori, por krah nesh na kanë ndihmuar shumë motra ime Linda dhe vëllai Admiri”. Edhe kur bëhej fjalë për muzikën në dasmë, vështirësitë nuk mund të shmangeshin, pasi sërish ndërlidheshin me situatën politike në Kosovë. “Orkestër kishim grupin Corona me miqtë e mi Ismet Bogujevcin, Mihrie Brahën dhe Naim Abazin, të tjerët janë ndier të pasigurt për të marrë rrugën deri në Shkup, ndaj më kanë uruar nga larg. Mungesën e tyre e kam arsyetuar plotësisht, ndërsa Coronës dhe gjithë miqve të mi nga Kosova u jam shumë mirënjohëse që kanë rrezikuar për të ardhur. Pa harruar të përmend edhe miqtë e mi në Shkup, Severxhane Laci, Arian Kërliu, Gjyle Qollaku, Lindita Purellku e Ahmet Memetin, të cilët i dhanë dasmës tonë momente të mrekullueshme”, shprehet këngëtarja. Meqë dasma nuk ishte organizuar në restorantin e planifikuar, vendin alternativ çifti nuk kishin arritur ta dekoronin siç kishin ëndërruar. “E dekoruar ishte vetëm tavolina jonë, për të tjerat nuk arritëm të organizoheshim, përveç disa pecetave dekoruese që i kisha sjellë nga Nju-Jorku, ku figuronte emri im dhe i Mentorit, bashkëngjitur data e dasmës. Veç idesë për pecetat, këngëtarja rrugën për Nju-Jork e kishte marrë edhe për një arsye më të fortë. Ëndrra për një fustan të veçantë nusërie. “Fustanin e kisha nga Nju-Jorku, kam qenë vetë atje dhe e kam zgjedhur. Nuk ka qenë shumë i ngarkuar, ishte me gurë shkëlqyes aty-këtu ndonjë”, kujton ajo. Për flokët dhe grimin e këngëtares, atëbotë nuse 25 vjeçe, ishin kujdesur miqtë e saj në Shkup, Edita dhe Sergej. Për tortën ishte përkujdesur ëmbëltorja Kanella në Shkup. “Ishte e llojit grijazh me dekor ngjyrë shampanje, vende-vende me ca trëndafila. Dukej shumë fine e besa edhe shumë e shijshme”, kujton këngëtarja edhe shijen e tortës së dasmës së saj. Pa dyshim që nuses nuk mund t’i mungonin lulet në duar. “Kisha lule në dorë, ishin nga mëndafshi, me copa të vogla. I solla nga Nju-Jorku dhe i kam rregulluar vetë”, rrëfen znj. Hashani. Çifti kishin vendosur që dasma e tyre të përkonte me traditat shqiptare, ndaj atë ditë për Mirandën nuse, kishin ardhur krushqit për ta marrë me vetura. E njeriu më i rëndësishëm i jetës së saj nuk kishte kursyer komplimentet duke ia shtuar nuses gëzimin e duke ia bërë atë ditë akoma më të mrekullueshme. “Mentori ka një shije të veçantë. E mbaj mend që më tha ‘dukesh shumë bukur, diçka si Kleopatra’”, rikujton këngëtarja. Por, krahas momenteve të bukura e të paharrueshme që përjeton secili në dasmën e vet, një moment tjetër i vështirë dhe po kaq i paharrueshëm është ai i largimit të vajzës nga shtëpia, ku është lindur dhe rritur. Ndarja nga prindërit dhe largimi nga shtëpia ka qenë një ngjarje emocionuese edhe për këngëtaren Miranda Hashani. “Mbaj mend që më dridhej zemra, më vinte të qaja, por e mbaja veten”, tregon ajo duke shtuar se më të mërziturit në familjen e saj ishin nipi Esati dhe mbesa Artiana, “ata qenë të 
lidhur shumë me mua”. Familjarëve të mërzitur këngëtarja kujton t’u ketë thënë “mos u mërzitni, se do të vij nesër prapë”.

Miranda Hashani sot është 44 vjeçe dhe është e martuar me Mentor Miftarin, ish-futbollist, tani trajner futbolli.

 

      

KALTRINA SELIMI: Atë ditë gjithçka më shkoi mbarë

Jo çdo vajzë e ëndërron një dasmë të madhe me sytë e të gjithëve drejt saj. Nëse një ëndërr e tillë ushqehet në fëmijëri apo adoleshencë, me kalimin e kësaj periudhe ndodh që dasma të mos shihet më me të njëjtin entuziazëm. Kështu duket të ketë ndodhur me këngëtaren Kaltrina Selimi, e cila tregon se vendimin për të mos bërë dasmë me rastin e martesës me Dritonin, e kishin marrë vetëm pse nuk kishin dëshirë të bënin një gjë të tillë. “Asnjëherë nuk kisha menduar se do të martohesha në këtë mënyrë, pra pa bërë dasmë. Kuptimi i një martese për mua ka qenë dasma. Sigurisht këtë e mendoja kur kam qenë shumë më e re, mirëpo tani në këtë moshë nuk është se më bënte përshtypje shumë një dasmë, prandaj edhe vendosëm që të mos bëjmë fare”, sqaron këngëtarja.
As tash, ajo nuk është penduar për vendimin e marrë, por tregon se i ka ngelur merak “vetëm për një lloj party me të rinj”. Por, ishte dikush që mezi ishte pajtuar me vendimin e këngëtares, e ajo ishte, kush tjetër, veç nënës së saj, e cila nuk mund të bindej për të kundërtën. Kjo për faktin, që, siç tregon Kaltrina, nëna e saj e dinte sa dëshirë kishte pasur e bija që të veshte fustanin e bardhë. “Gjithmonë më thoshte që, nëse jo dasmë, bëje një ditë të vajzave dhe vishe fustanin e bardhë, se gjithmonë e ke ëndërruar”, rrëfen Kaltrina.
“Martesa jonë mbaroi vetëm me një ceremoni kurorëzimi dhe më pas me një drekë me ata pak familjarë dhe shoqëri që i kisha aty, por që gjithçka ishe shumë e bukur dhe shumë sinqerisht, po e them që jam ndier mirë atë ditë, saqë edhe po të bënim ndonjë dasmë të madhe s’do ta përjetoja më mirë. Ishte edhe më e bukur, sepse gjithçka erdhi shumë shpejt, gjithçka e kemi vendosur për 2 ose 3 ditë që të kurorëzoheshim dhe ishte shumë e veçantë”, kujton këngëtarja ditën e martesës së saj, e cila u bë saktësisht më 30 maj 2012, pas shtatë vjetësh në lidhje dashurie me Dritonin.
Në ndejën e organizuar me rastin e kurorëzimit të saj, të pranishëm kishin qenë disa prej njerëzve më të dashur për çiftin, “prindërit e mi dhe vëllezërit, prindërit e Dritonit dhe shoqëria. Gjithsej ishin 12 veta”.
Ndonëse nuk kishte veshur fustan nusërie, këngëtarja ishte kujdesur që në ditën e martesës të dukej bukur dhe e veçantë. “Fustanin, lirisht mund ta cilësoj si shumë të bukur, sepse këtë e di nga kërkesat e mëdha që ka pasur më pas disenjatorja për atë fustan”, bën me dije Kaltrina, duke shtuar se fustani ishte qepur nga disenjatorja e saj, Dona Matoshi. Ndërsa për flokët e këngëtares ishte kujdesur Kaci, për grimin Keka. “Kurrë deri tani nuk kam qenë më e kënaqur me dukjen time si atë ditë, asnjëherë nuk më ka shkuar diçka më mbarë se atë ditë, kështu që gjithçka ishte ashtu si kam dashur”, thekson ajo. E rregulluar bukur dhe për qejfi, me një fustan shumë modern dhe të bukur, pa dyshim që nuk mund të mungonin komplimentet nga ana e bashkëshortit. “Dritoni gjithmonë më jep komplimente, kështu që as atë ditë nuk i kurseu ato”, shprehet e zgjedhura e tij, Kaltrina. Pasi çifti kishin vendosur të mos bënin dasmë, as mënyra tradicionale e marrjes së nuses me krushqi nuk ishte realizuar. “Meqë e kishim të mundur të kurorëzoheshim në Prishtinë dhe përderisa Dritoni është nga Gjilani, kjo i bie që bashkë me Dritonin jemi nisur nga banesa ime, prandaj nuk ka qenë aspak ajo mënyra e marrjes së nuses në mënyrë tradicionale”, sqaron këngëtarja.
Deri më tani ajo konsideron se dita e martesës ishte dita më e mrekullueshme e jetës së saj, “sepse është diçka shumë e veçantë dhe që asnjëherë nuk harrohet”.

Këngëtarja Kaltrina Selimi, e cila është martuar me Driton Stubllën, me profesion kontabilist.
 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version