Ti je ketu: Ballina > Barazia Gjinore > Pafuqia politike e grave
Barazia Gjinore
Pafuqia politike e grave

Historikisht, gratë nuk kanë qenë pjesëmarrëse në politikë. Kundër harresës për përjashtimin e grave nga politika, sillni ndër mend faktin se gratë ishin të përjashtuara nga e drejta e pjesëmarrjes në zgjedhje – nuk kishin të drejtë vote, dhe kështu nuk ishin subjekt politik.

Shkruan Vjollca Krasniqi

Kjo kohë nuk është e largët në histori. Në shekullin e njëzetë, më saktë, në dekadën e dytë të po këtij shekulli, shumica e shteteve afirmon të drejtën e votës për gratë. Kjo ishte meritë e grave, pas angazhimit shumëvjeçar të tyre – aktiviteti i të cilave njihet si lëvizja sufragjiste, për të drejtën e votës. Sot, vështirë se do të mund të imagjinonim një shoqëri në të cilën grave u mohohet e drejta e votës. Mirëpo, në të njëjtën kohë, shumë kultura dhe shoqëri, përfshirë edhe Kosovën, kuptojnë, projektojnë dhe reprezentojnë politikën si sferë të burrave, me një pjesëmarrje simbolike të grave, po edhe në shumë raste me mungesë të grave.

 

Dëgjojmë shpesh se gratë nuk dëshirojnë të jenë pjesë aktive në jetën politike, kjo nuk qëndron. Pavarësisht kuotës gjinore, që obligon partitë politike, gratë më vështirë hyjnë në politikë. Kjo sepse vlerat tradicionale formësojnë praktikat shoqërore, që përgjegjësitë për familjen ua atribuojnë grave, duke i mbajtur ato përgjegjëse për sferën private. Zhvillimet e pasluftës në Kosovë kanë ndikuar në ndryshimet e roleve gjinore si dhe të perceptimeve kulturore për politikën. Për këtë zhvendosje të roleve gjinore në përgjithësi dhe për kuptimet kulturore të barazisë mes burrave dhe grave ka kontribuar edhe ndërtimi i mekanizmave ligjorë për barazinë gjinore.
Një shembull është edhe kuota gjinore. Në Kosovë, kuota gjinore 30 për qind – pjesë përbërëse e ligjit zgjedhor, ka ndryshuar pamjen politike për të mirë. Është mundësuar përfaqësim 30 për qind i grave në Parlamentin e Kosovës dhe asambletë komunale. Kjo ka vërë Kosovën në avantazh krahasuar me shtetet në rajon dhe më gjerë për sa i përket përfaqësimit politik të grave në vendimmarrje. Kuota gjinore dhe zgjedhja e presidentes, zonjës Atifete Jahjhaga, e pati ngritur Kosovën më lart në hartën e arritjeve të barazisë gjinore në politikë në rrafshin ndërkombëtar. Megjithatë, ende mbetet për të bërë. Çështjet gjinore ende janë larg nga agjenda politike nacionale në Kosovë, dhe përgjithësisht dukshmëria e grave politikane duhet të rritet.

Megjithëkëtë, shikuar si grup politik, gratë në Kosovë janë larg arritjes së barazisë me burrat politikanë. Ato janë aktore “të dyta” në sistemin politik në Kosovë.
Është një gjë e ditur, që Kryetarja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ishte kandidate kompromisi mes partive politike në pushtet dhe partive opozitare. Ajo u zgjodh pasi nuk mund të arrihej konsensus për asnjë kandidat burrë. Duke thënë këtë, në asnjë mënyrë nuk synohet nënvlerësimi i rolit të grave në politikë, por ka të bëjë me demaskimin e strukturave të fuqisë që ‘shtojnë’ gratë në sistemin politik, por pa i fuqizuar ato. Për më shumë, kjo mënyrë e përfshirjes së grave në politikë, i bën ato të jenë të kuptuara nga strukturat politike të udhëhequra nga burrat. Ato, përveç mbajtjes simbolike të posteve të dhëna, nuk janë bartëse autentike të fuqisë politike.
Pafuqia politike e grave ka rezultuar në mungesën e ndërlidhjes së gjinisë – si kategori kulturore dhe politike – dhe shtetndërtimit e sovranitetit, në njërën anë, dhe qeverisjes, në anën tjetër. Faktorë të ndryshëm, si mungesa e vullnetit politik e partive politike për politika promovuese për gratë dhe po ashtu solidariteti gjinor i brishtë i grave politikane, kanë bërë që gratë politikane në Kosovë të kenë pak fuqi politike. Si rezultat kjo ka ndikuar që gjinia të mos jetë pjesë përbërëse e politikëbërjes dhe e shtetndërtimit.

Arritja e fuqisë së njëmendtë politike të grave politikane nuk mund të matet vetëm duke shikuar rastet individuale të pozicionimeve të disa grave në disa vende të caktuara udhëheqëse. Në të vërtetë, këto gra janë vetëm simbolikisht të përfaqësuara në sistemin politik dhe pa fuqi të njëmendtë politike. Dhe sa më pak fuqi politike që kanë gratë politikane, aq më pak politikë ka për barazinë e grave me burrat në: politikë, ekonomi, arsim dhe kulturë. Buxheti i Kosovës është shembull i mirë për të ilustruar pafuqinë politike të grave. Nuk është aspak fakt i panjohur se gratë dhe burrat në Kosovë nuk janë të barabartë. Shikoni rezultatet e regjistrimit të popullsisë për të parë se sa i ulët është kapitali shoqëror, ekonomik dhe arsimor i grave në Kosovë. Këtë dallim në pasuri dhe zhvillim mes burrave dhe grave nuk do ta gjeni të përkthyer në buxhetin shtetëror.

Është evidente se arkitektura politike në Kosovë u jep fuqi zërave të burrave. Gratë politikane do të vazhdojnë të formësojnë kulturën dhe sistemin politik brenda kësaj arkitekture. Sidoqoftë, mbetet të shihet se si gratë në pozita vedimmarrëse në Kosovë do të ndryshojnë politikën dhe raportet e fuqisë ndërmjet burrave dhe grave në të tashmen dhe për të ardhmen.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

  

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version