Ti je ketu: Ballina > Barazia Gjinore > Çka duhet të ndryshohet te djemtë shqiptarë?!
Emancipimi i meshkujve
Çka duhet të ndryshohet te djemtë shqiptarë?!
Emancipimi i shoqërisë shqiptare shpesh është kuptuar si emancipim vetëm i femrës, pasi gjinia e fortë sikur e ka përjashtuar veten nga diskutimi, trajtimi dhe nevoja për të qenë pjesë e këtij procesi. Por, tashmë janë femrat ato që e shohin të pashmangshëm emancipimin e meshkujve, duke e konsideruar si pjesë të ndryshimeve nëpër të cilat po kalon vendi ynë. Dr. Ganimete Deda, specialiste e Protetikës Stomatologjike, piktorja Zake Prelvukaj dhe regjisorja Elmaze Nura, shprehin opinionet e tyre përkitazi me emancipimin e meshkujve shqiptarë.

Shkruan Antigona Uka
Foto Ridvan Slivova

Optimiste për ndryshimet që po pësojnë të dy gjinitë, duke mos i përjashtuar sfidat dhe pengesat, bashkëbiesdueset e revistës “Teuta”, stomatologia Ganimete Deda, piktorja Zake Prelvukaj dhe regjisorja Elmaze Nura u përgjigjen pyetjeve të njëjta që trajtojnë këtë temë.

Të flasim për emancipimin e meshkujve: mendoni se duhet të ndryshojë imazhi i tyre?
Ganimete Deda: Çdo ditë e më tepër shoh që imazhi i meshkujve shqiptarë po ndryshon në kuptimin e qasjes së tyre ndaj femrës. Ata sot e kuptojnë që janë të barabartë në oraret e stërzgjatura të punës, prandaj është e qartë se edhe obligimet familjare, si rritja, kujdesi dhe edukimi i fëmijëve, por edhe çdo aktivitet tjetër në jetën e përbashkët kërkon angazhim të përbashkët - ky fakt më gëzon shumë.
Zake Prelvukaj: Unë mendoj se me imazhin e tyre është duke u marrë koha, deshën-s’deshën ata, në qoftë se duan ta kenë jetën, familjen dhe shoqërinë në nivel të duhur.
Elmaze Nura: Duhet të ndryshojë imazhi i meshkujve dominues, ndërsa të forcohet imazhi i meshkujve që konsiderohen të emancipuar dhe respektojnë vlerat e femrave.

Të metat e meshkujve shqiptarë...

Çka ju pengon te meshkujt shqiptarë?
Ganimete Deda: Pyetjes suaj se çka më pengon te meshkujt shqiptarë, do t’i përgjigjem me këtë shembull: më ndodh jo rrallë që lokalet në mbrëmje të jenë të mbushura me meshkuj të rinj dhe të moshuar, të cilët dalin vetëm, ndërsa gratë e tyre mbeten në shtëpi. Kjo është përfundimisht një pamje e shëmtuar, sepse lokalet nuk janë bërë vetëm për meshkuj, por edhe për bashkëshortet, për nënat, për motrat apo për vajzat e tyre.
Zake Prelvukaj: Ka disa gjëra që më pengojnë, për shembull: kur një numër i tyre ia lënë gruas të merret me fëmijët dhe me të gjitha punët e tjera në familje. Domethënë, e stërngarkojnë gruan. Pastaj xhelozia, pengimi i gruas në avancimin e saj profesional dhe moral.
Elmaze Nura: Meshkujt shqiptarë shpesh e shohin femrën si objekt, jo si subjekt të barabartë, qoftë në diskutime apo vendimmarrje. Janë egoistë dhe shpeshherë posesivë. Tregohen jo tolerantë, kur një femër është më e zonja dhe e kanë të vështirë ta pranojnë këtë fakt.
Cila gjini mendoni se ka evoluar më tepër në emancipim?
Ganimete Deda: Them se femrat po emancipohen më shpejt, sepse duhet pranuar që edhe emancipimi i meshkujve ndikoi në emancipimin më të shpejtë të femrave.
Zake Prelvukaj: Të dyja.
Elmaze Nura: Ky proces është i lidhur ngushtë me edukimin dhe shkollimin e femrës. Derisa më herët kemi pasur më shumë meshkuj të shkolluar në raport me femrën, tash kjo gjë gati ka ndryshuar. Në këtë drejtim, sigurisht që femrat kanë evoluar më shumë. Si
rezultat i shkollimit, disa prej tyre janë në marrëdhënie pune dhe kjo në mënyrë automatike u siguron ekzistencën e tyre të pavarur. Kjo siguri ekzistenciale u krijon komoditet në raport me gjininë tjetër, dhe u ndihmon atyre që të krijojnë pavarësinë dhe statusin e barabartë, me disa përjashtime.

Padrejtësia me të drejtën mbi trashëgiminë

Kosova synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Porse, paraprakisht duhet të plotësojë standardet, përfshirë edhe barazinë gjinore, trashëgiminë e pasurisë… e shumë faktorë të tjerë që favorizojnë pozitën e gruas në shoqëri. Mendoni se respektohen të drejtat e grave, për sa i përket trashëgimit të pasurisë familjare realisht? (konkretisht, keni trashëguar diçka nga prindërit?).
Ganimete Deda: Ekziston ligji mbi të drejtën e femrës për trashëgiminë familjare. Sot është thjesht punë dëshire, a dëshironi të jeni pjesëmarrës në këtë trashëgimi apo dëshironi që atë t’ia falni dikujt nga anëtarët e familjes suaj. Pra, gjithmonë do të pyeteni për një gjë të tillë, sepse ju takon. Unë konkretisht kam trashëguar, por trashëgiminë time familjare ua kam dedikuar nënës dhe vëllait, që vazhdimisht jetojnë së bashku në një shtëpi dhe meqenëse trashëgimi tjetër nuk kemi pasur, ky ka qenë vendimi im, si shenjë falënderimi për kujdesin e nuses dhe të vëllait tim për nënën time.
Zake Prelvukaj: Unë besoj që femrave te ne shqiptarët u është bërë shumë e padrejtë, edhe atëherë kur kanë pasur pasuri të madhe, vajza ose bija e tyre ka luftuar për ekzistencë. Kur u ka konvenuar kanuni, janë mbështetur në kanun, kur nuk u ka konvenuar, nuk e kanë cituar kanunin (sepse me kanun gjysma ose një pjesë e vogël e pasurisë, si pajë, e ka trashëguar femra, po flas për gjenerata të përparshme). Por, sot, prindërit janë më të arsimuar, andaj, ku unë sillem ose kontaktoj, prindërit në shumicën e rasteve pasurinë po ua ndajnë si vajzës ashtu edhe djalit. Kjo mendoj që është shumë në rregull, natyrisht, mandej fëmijët veprojnë si donë ata vetë, me marrëveshje. Te ne, në Mal të Zi, është një traditë më e avancuar për femrën. Neve na është ofruar trashëgimia, sikurse edhe hallës sime, mirëpo, fatmirësisht, i kemi pasur punët mirë dhe nuk kemi marrë asgjë.
Elmaze Nura: Nuk ka ndonjë studim të saktë për këtë çështje. Megjithatë, përshtypja ime është se zakonisht femrat shqiptare nuk trashëgojnë nga pasuria familjare, që ndahet mes meshkujve. Por, kemi edhe një fakt tjetër. Derisa në vendet e tjera vajzat janë trashëgimtare të pasurisë, ato pasi e marrin pasurinë, raportet me familjen, veçanërisht me vëllezërit, i kanë shumë zyrtare. Ndërkohë, në trevat tona, edhe pse nuk marrim pjesën e trashëgimisë, ne jemi në shtëpi të vëllezërve si në shtëpitë tona. Kjo është e lidhur me traditën dhe me vlerat e shoqërisë sonë, çka na dallon nga të tjerët.
Me këtë nivel të emancipimit të meshkujve që kemi, sa larg mund të shkojë shoqëria jonë?
Ganimete Deda: Meshkujt do të emancipohen me ritmin e femrave, deshën apo nuk deshën, sepse është shumë e qartë që një femër e pavarur në aspektin ekonomik dhe me obligime të njëjta ndaj punës dhe shoqërisë nuk do të pranojë më rolin dhe pozitën e femrës inferiore si më parë.
Zake Prelvukaj: Po qe se kemi meshkuj të emancipuar, familjes, shoqërisë dhe shtetit do t’i lehtësohet jeta. Në përgjithësi, shoqëria ka ecur përpara dhe kjo në një mënyrë është e dukshme. 
Elmaze Nura: Emancipimi i meshkujve duhet të shihet në ecurinë e zhvillimit shoqëror. Ne jemi në një fazë transicioni, prandaj sigurisht duhen edhe disa vjet për të shënuar progres.

Cili personalitet ju impresionon dhe pse? Kush mendoni se është mashkulli ideal shqiptar?
Ganimete Deda: Më ka impresionuar gjithmonë Babai i im (ndjesë pastë). Ai na edukoi me shembullin e tij se familja është e shenjtë dhe gjithmonë përpiqej ta bënte me dije se shkollimi i femrave në masë do të sillte edhe pavarësinë ekonomike të saj dhe si rezultat i kësaj ajo do të emancipohej detyrimisht. Prandaj, mund të them lirisht, që për mua paraqet mashkullin model me botëkuptimet dhe qasjen e Tij ndaj emancipimit të femrës.
Zake Prelvukaj: Nuk do të përmend emra, por, fatmirësisht, kemi edhe të tillë.
Elmaze Nura: Unë jam e martuar dhe mendoj se kam gjetur partnerin ideal. Prandaj, nëse do të jepja një emër, sigurisht se do të ishte emri i tij.

Vetë femra ia ndryshon mashkullit perceptimin për të

Përderisa konsiderohet se gratë janë zhvilluar dhe janë emancipuar, për meshkujt vlerësohet se kanë mbetur në nivel pak a shumë të njëjtë, ngase ata ende mendojnë se gruaja duhet të merret me fëmijët dhe të kujdeset për ushqimin. Çka mendoni se duhet ndryshuar për t’u arritur efekti?
Ganimete Deda: Mendoj se edhe femrat, por edhe meshkujt, duhet kuptuar se problemi i qasjes ndaj emancipimit është shumë
individual dhe varet shumë nga rrethanat në të cilat njeriu rritet dhe edukohet në familje, dhe si përfundim emancipimi në shoqërinë tonë është edhe çështje intelekti dhe dëshire për të ndryshuar këtë shoqëri ende të paemancipuar sa duhet. Prandaj, për të mirën e të gjithëve, le të shprehim secili nga ne dëshirën dhe gatishmërinë tonë që të ndryshojmë diçka në këtë drejtim.
Zake Prelvukaj: Edhe unë mendoj që ende kemi meshkuj të tillë jo pak, por kemi edhe të tillë meshkuj që kujdesen për fëmijët dhe familjen. Vetëdija ka ndryshuar pozitivisht, natyrisht edhe me mënyrën e të jetuarit janë imponuar gjërat pozitive. Mirëpo, mendoj që edhe femrat duhet të dinë të punojnë me meshkuj.
Elmaze Nura: Mendoj se gruaja është ajo që do ta detyrojë në njëfarë mënyre edhe mashkullin të ndryshojë. Sa më e pavarur ekonomikisht, sa më e angazhuar, sa më e arsimuar të jetë një femër, edhe perceptimi mashkullor për të do të ndryshojë në mënyrë të natyrshme. Janë vetë gratë ato që duhet t’u tregojnë burrave se gratë nuk janë krijuar thjesht për punë shtëpie, për të rritur fëmijë, por mund të jenë të zonjat në profesione të ndryshme dhe në evoluimin e shoqërisë e të shtetit.

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version