Ti je ketu: Ballina > Barazia Gjinore > Gratë një forcë e re strategjike
Gratë një forcë e re strategjike
Përpjekjet globale dhe nacionale për fuqizimin e grave, në dy dekadat e fundit në veçanti, kanë dhënë rezultate interesante. Vërehen përmirësime dhe avancime të pjesëmarrjes së grave në politikë dhe në vendimmarrje, si në institucione ndërkombëtare ashtu edhe në nivele shtetesh. Por, pozita e grave mbetet larg asaj që e dëshirojmë, larg një portreti të mirëfilltë demokratik, ku zëri i të dy gjinive bëhet pjesë e vendimeve për ardhmërinë.

Shkruan Dr. Edita Tahiri

Procesi i fuqizimit të grave sfidohet nga një proces paradoksesh, të cilat kërkojnë trajtim dhe zgjidhje në të mirë të grave dhe të mbarë shoqërisë. Ja disa prej paradokseve për të cilat vlen të mendohet më shumë. Po e zëmë, ka një përkrahje ligjore për barazinë gjinore pothuajse në të gjitha nivelet, mirëpo përkrahja reale nuk është e tillë. Demokracia dhe kushtetutat demokratike garantojnë barazinë, mirëpo në praktikë kjo nuk përkthehet si e drejtë për të ndarë përgjegjësitë dhe pushtetet mes grave dhe burrave. Rezoluta 1325 e KS të OKB-së, ligjet nacionale për barazinë gjinore, planet aksionale të njëpasnjëshme e një varg instrumentesh të tjera nuk kanë arritur që ta lëvizin vullnetin politik të shoqërisë në masën e duhur, në masën që gratë të vendosin së bashku me burrat për çështjet strategjike, qoftë të vetë shtetit, qoftë të mbarë njerëzimit. Jo se nuk dëgjohet fare zëri i grave, por dëgjohet në mënyrë të pamjaftueshme dhe disproporcionale. Kështu, në parlamente ka përfaqësim gjithnjë e më të mirë, përderisa qeveritë mbeten kryesisht të rezervuara për burrat. Shumë pak ka gra udhëheqëse të institucioneve ndërkombëtare, hiq rastin e FMN-së, që udhëhiqet nga një grua. Në krye të shteteve rastet janë po ashtu të rralla. Brenda qeverive ka përfaqësime të theksuara, mirëpo shumë rrallë ka barazi. Për mendimin tim, një paradoks i tillë buron nga mendësia paradoksale për pushtetin politik si një çështje me ekskluzivitet gjinor. Demokracia e vërtetë është inkluzive, e të dy gjinive. Paradoksi tjetër ka të bëjë me qasjen ndaj çështjes së grave, e cila më shumë perceptohet si problem i shoqërisë sesa si një problem i së drejtës. Stereotipat kulturorë (mentaliteti patriarkal) janë bërë barrierë në kundrimin e çështjes së grave në kontekst të së drejtës. Në kushte të një vetëdijesimi demokratik, çështja e fuqizimit të grave do të përparonte më shpejt, sepse modeli natyror i shoqërisë nuk do të mund të injorohej në modelet politike. E drejta natyrore do të imponohej në programet dhe në vendimet politike në favor të të dy gjinive, pa dallime dhe me mundësi të barabarta.

Gratë – vlerë strategjike

Po ashtu, vetë fakti se gratë përbëjnë gjysmën e kapitalit njerëzor dhe në kohën kur kriza globale ekonomike kërkon aktivizimin e gjithë potencialeve njerëzore, është paradoks më vete, që një faktor i këtillë të mos përfshihet në ekuacionet për zgjidhjen e problemeve zhvillimore. Gratë janë një vlerë strategjike, një forcë reale, një faktor i ri në paradigmën e re të zhvillimit dhe të përparimit. Forca e grave përkufizohet me një potencial mendor, intelektual, profesional dhe menaxhues, që buron nga baza e shkollimit të tyre, përkushtimit për të mirën familjare e publike dhe një sinqeritet ndaj pushtetit politik si instrument për të marrë vendime të drejta për të mirën e shoqërisë dhe të shtetit.
Për më shumë, hulumtimet e ndryshme kanë treguar se etika e grave në qeverisje është në epërsi, sepse janë më pak të korruptuara. Pa dashur që të bëjmë paragjykime gjinore në këto çështje, të gjeturat e tilla sugjerojnë nevojën për të rimenduar një rol më të madh për gratë në proceset politike, ekonomike, vendimmarrëse dhe paqësore. Si pikënisje për vendime të tilla dhe për të qenë vendime të bazuara, e pakta që mund të bëhet, janë studimet strategjike për këtë forcë të re, që mund të investohet në përpjekjet e reja për një botë më të mirë, më të drejtë dhe më pak të varfër.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
275

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version