Ti je ketu: Ballina > Barazia Gjinore > Përjashtimit i femrës nga e drejta mbi pronën
E drejta e gruas në trashëgimi
Përjashtimit i femrës nga e drejta mbi pronën
“Nëse prindërit e mi që më lindën e më rritën, nuk kanë mëshirë për mua, e shkelin ligjin duke më përjashtuar nga e drejta në trashëgimi, pse duhet të pres që burri im i dhunshëm do të më ndajë hise?!”, këtë pyetje e parashtron G.L., nga Prishtina, e cila është kategorikisht kundër që t’i drejtohet gjykatës për të realizuar të drejtën e saj. Përjashtimi i femrës nga e drejta në trashëgiminë familjare, është pikënisja e diskriminimit të saj. Duke realizuar të drejtën mbi pronën, femra do t’i dilte zot vetes, nuk do ta duronte dhunën dhe nuk do të kishte nevojë për strehimore... Për angazhimin e institucioneve për ta ndryshuar këtë realitet të hidhur, për pasojat e këtij diskriminimi, për gjendjen në komunitetet e tjera në Kosovë, sa i përket këtij aspekti, për revistën “Teuta” flasin - Edona Hajrullahu, kryeshefe e Agjencisë për Barazi Gjinore, sociologët Shemsi Krasniqi e Artan Muhaxhiri, psikologu Besnik Peci, zv/drejtoresha e RTK-së, Anamari Repić, sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi, kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi, dy femra kosovare që po bartin pasojat e mohimit të së drejtës në trashëgiminë familjare, etj...

Shkruan Antigona Uka

“Kur i thashë vëllait tim se edhe unë kam hise në këtë shtëpi, ai nuk la të zezë pa më thënë. ‘Si s’po të vjen marre’, m’u drejtua në fund dhe përplasi derën para hundëve të mia”, kështu rrëfen, mes të tjerash, G.L. nga Prishtina, e cila aktualisht jeton me ndihmë sociale, ndërkohë që po rrit tre fëmijë. Për fat të keq, përvoja e saj nuk është një rast i rrallë, i shkoqitur nga realiteti. Trajtimi i saj është i ngjashëm me trajtimin e shumë femrave të tjera kosovare, të cilat diskriminimin e përjetojnë qysh në familje. Duke qenë e përjashtuar nga e drejta e trashëgimisë, femra në Kosovë përfundon e varur ekonomikisht, e si rrjedhim, jo rrallë përfundon si viktimë e dhunës në familje. G.L., çdo ditë përjeton dhunë psikike nga bashkëshorti i saj, i cili në pamundësi për të gjetur një punë stabile, tërë energjinë negative e shfryn mbi gruan. Por, femra në Kosovë mund të jetë edhe e punësuar, të siguroje të ardhura solide, porse ato janë të pamjaftueshme nëse pretendon të këtë në pronësi të saj një banesë apo shtëpi. Pavarësisht se e drejta në trashëgiminë familjare i garantohet me ligj, për shkak të traditës dhe normave kulturore, ajo nuk e gëzon këtë të drejtë. Në një sistem patriarkal, çfarë mbizotëron tek ne, babai e ndan pasurinë mes djemve të tij, duke i përjashtuar me një lehtësi të padurueshme vajzat nga kjo e drejtë. Në jetën bashkëshortore, pavarësisht nga kontributi i femrës, gjendja paraqitet edhe më e rëndë, kur bëhet fjalë për ndarje të pasurisë me burrin, në rast ndarjeje apo kur gruaja mbetet e ve. Shifrat tregojnë se vetëm 6 për qind të pronave të regjistruara në Kadastër janë në pronësinë e grave.

Konventat, ligjet, feja garantojnë të drejtën në trashëgimi, mungon zbatimi

Në përpjekjet për të ndryshuar këtë gjendje, Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka filluar një hulumtim në nivel vendi, të titulluar “Qasja e grave në pronë dhe burime natyrore”, me anë të të cilit do të dalin me rekomandime se si të trajtohet më konkretisht ky fenomen. “Hulumtimi do të merret me rishikimin e gjithë infrastrukturës ligjore mbi pronën dhe njëkohësisht do të analizojë praktikat dhe vlerat tona shoqërore. Në këtë mënyrë synojmë të ngushtojmë boshllëqet që ekzistojnë mes ligjeve në fuqi dhe praktikave nga jeta e përditshme”, kështu bën me dije znj. Edona Hajrullahu, kryeshefe Ekzekutive në ABGJ, duke shtuar se Ligji mbi Trashëgiminë përcakton në mënyrë të qartë që si djemtë ashtu edhe vajzat, janë të barabartë, dhe si të tillë kanë edhe të drejta të barabarta në përfitimin e trashëgimisë familjare. “Ndonëse Kosova ka një infrastrukturë ligjore mjaft të avancuar, tradita dhe normat tona kulturore po del të jenë sfida kryesore. E drejta në pronë është një faktor i rëndësishëm i cili është i lidhur drejtpërdrejt me fuqizimin ekonomik të vajzave dhe grave, dhe që njëkohësisht ndikon në eliminimin e deformimeve sociale, siç janë diskriminimi dhe dhuna në baza gjinore”, thekson znj. Hajrullahu. Ajo vë në pah faktin se nga studimet e bëra viteve të kaluara, kanë parë që Administrata Publike, vazhdon të jetë punëdhënësi më i madh për femrat në Kosovë, kurse në sektorin privat ato janë më pak të përfaqësuara. “Nëse femrat mbeten pa kërkuar të drejtën e tyre në trashëgimi dhe pronë, lejimi i kredive nga institucionet financiare, për inicim të ndonjë aktiviteti ekonomik, do të jetë shumë i vështirë, gati se i pamundur. Për këtë arsye, me gra të fuqizuara nga aspekti ekonomik do të thotë që gjithashtu do të kishim një numër më të madh të ndërmarrjeve private, dhe rrjedhimisht edhe një zhvillim ekonomik më të hovshëm të vendit, pasi do shfrytëzohej potenciali i gati gjysmës së popullsisë në Kosovë, të cilin e përbën gjinia femërore”, potencon kryeshefja e ABGJ-së. Aktualisht vetëm 3 për qind të kredive bankare për fillim të bizneseve i shfrytëzojnë gratë, ndërkohë që të papuna rezultojnë 57 për qind prej tyre. 
Në sistemin gjyqësor, prokurorial si dhe në atë policor mbahen trajnime të vazhdueshme për stafin me qëllim që në radhë të parë ata të vetëdijesohen për rëndësinë e të drejtave njerëzore të grave, për luftimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e kësaj pjese të shoqërisë. Po ashtu, në kuadër të institucioneve të Kosovës ekzistojnë zyrat për barazi gjinore të cilat japin kontributin e tyre drejt përmbushjes së një standardi jetik për gratë, atë të përfaqësimit të barabartë e pa diskriminim. Megjithatë, këta dhe mekanizma të tjerë kanë dhënë pak rezultate kur bëhet fjalë për çrrënjosjen e dhunës në familje, ngacmimin në punë, ndarjen e pronës, pushimin e lehonisë, emërimet e femrave në pozita udhëheqëse etj. 
Përpjekjeve për të ndryshuar pozitivisht këtë realitet u janë bashkuar edhe OJQ-të e huaja dhe vendore, shumë prej të cilave janë fokusuar në zbatimin në praktikë të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Kjo rezolutë kërkon pjesëmarrjen e plotë të grave në të gjitha aspektet e paqeruajtjes, nga negociatat e deri te rindërtimi pas luftës, si dhe riafirmon rolin që gratë luajnë në ndërtim të paqes. 
Por, jo vetëm rezolutat, ligjet e konventat garantojnë të drejtat e femrës, përfshirë këtu edhe të drejtën në trashëgimi. Edhe feja, si ajo islame po ashtu edhe ajo e krishterë, ia garantojnë femrës këtë të drejtë. Sipas sekretarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi, Islami çështjen e trashëgimisë, kur bëhet fjalë për femrën, e ka rregulluar në mënyrë meritore në një verset të Ku’ranit, ku thuhet: Nga pjesët, të cilën e lënë trashëgim prindërit dhe të afërmit, meshkujve u takon pjesa e tyre, sikurse nga po e njëjta pjesë u takon edhe femrave, pavarësisht është shumë apo pak”. Rexhepi sqaron se ky është parimi thelbësor në bazë të të cilit, femrës i mundësohet që ajo të ketë të drejtë posedimi të pasurisë”. Ai shton se e drejta e Sheriatit edhe përmes këtij segmenti femrën e ka respektuar në mënyrën më të mirë të mundshme duke i mundësuar asaj që të jetë pronare në plotni e trashëgimisë nga babai dhe të njëjtën të drejtë ia ka mundësuar edhe te burri. 
Ndërkaq, kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi, thotë se e drejta kishtare këtë çështje ia ka referuar kushtetutës së vendit. Pjesëmarrja e femrës në trashëgimi mund të rregullohet në bazë të kushtetutës së shteteve përkatëse e jo me ndonjë akt të paraparë nga e drejta kanonike. “Në frymën e kodit kishtar, pjesëmarrja e femrës në trashëgimi nuk përjashtohet, ngase ajo është e drejtë natyrore e saj, por as nuk e rregullon me ndonjë akt të veçantë”, sqaron Don Shan Zefi. Por, kur bëhet fjalë për zbatimin në praktikë të kësaj të drejte, predikuesit fetarë nuk janë treguar aq të zëshëm.

Gjendje e mjerë në komunitetin RAE, më e mirë në atë serb

Ngjashëm me traditën shqiptare, ndodh edhe në traditën e komuniteteve të tjera në Kosovë. P.sh., në komunitetin serb, Anamari Repić , ish-gazetare, tani zv/drejtoreshë e përgjithshme e RTK-së, tregon se në të kaluarën, pjesë e traditës serbe ishte që pasuria dhe trashëgimia t’u ndahej vetëm meshkujve të familjes. “Familjet e kanë festuar lindjen e meshkujve, sepse përmes tyre kanë kremtuar vazhdimësinë e familjes. Për gratë është konsideruar se, kur ato martohen, e ndryshojnë mbiemrin dhe me këtë pushojnë së qeni trashëgimtare, sepse tashmë i përkasin dikujt tjetër”. Pabarazia totale, sipas znj. Repić ishte e pranishme kryesisht në fshat, deri diku edhe në qytete. Në periudhën e transicionit, ajo tregon se ka ndodhur që motrat, për shkak të presionit të anëtarëve meshkuj të familjes, kanë hequr dorë nga trashëgimia, ndërkohë që gratë në zonat rurale nuk e kanë pasur vetëdijen e zhvilluar për të drejtat e tyre. Por, me ndryshimin e sistemit, me modernizimin, gjërat kanë ndryshuar pozitivisht në këtë drejtim, edhe për komunitetin serb. “Sot gratë janë të vetëdijshme për të drejtat e tyre, madje në qoftë se një anëtar mashkull i familjes dëshiron të jetë trashëgimtar i vetëm, femra të drejtat e saj i arrin përmes gjykatës. Sot, për shembull, në familjen time, në mënyrë të barabartë ndahet prona e të parëve të mi dhe çdo person i gjinisë femërore e trashëgon pjesën e vet”, tregon znj. Repić. 
Gjendja më e përkeqësuar paraqitet në komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian. Nora Huseinoviq nga Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve, e cila është duke zbatuar një projekt me gratë e komunitetit RAE, tregon se një nga ankesat e këtyre grave është cenimi i së drejtës për trashëgimi dhe i së drejtës për të poseduar pasuri nga anëtarët meshkuj të familjes, gjë që, sipas saj, rezulton në mungesë të kapitalit dhe që pamundëson nisjen e bizneseve nga këto gra. Në fakt, pozita e femrës në këtë komunitet është e mjerë për shkak të një varg shkeljesh të të drejtave të tyre.

Për ta ndryshuar gjendjen duhen riedukuar burrat dhe gratë

Analizuar nga aspekti sociologjik, fenomeni i përjashtimit të femrës nga e drejta e saj në pronë ndërlidhet me fuqinë fizike të burrave. “Për disa çështje familjare, zakonet dhe praktikat sociale të pashkruara, nganjëherë janë më të forta sesa ligjet dhe rregullat e shkruara. Kështu është rasti edhe me çështjen e trashëgimisë së femrës. Për të ndryshuar kjo praktikë, do të nevojitet kohë, punë e, mbi të gjitha, një riedukim i burrave dhe grave, i të rinjve dhe të moshuarve”, kështu shprehet sociologu Shemsi Krasniqi duke shtuar se e drejta e femrës në trashëgimi duhet të njihet, të lejohet dhe të zbatohet, ndonëse për këtë familja ende nuk është e përgatitur. “Një riedukim në frymën e së drejtës së gruas për trashëgimi, do të ndërronte shumëçka në strukturën familjare dhe shoqërore, sidomos në raportet mes gjinive dhe në përmirësimin e pozitës së gruas”, thekson z. Krasniqi. Ai potencon faktin se familja shqiptare me shekuj ka funksionuar sipas modelit patriarkal, ku femra rëndom është konsideruar pronë, e asnjëherë pronare, porse, sipas tij, ky model po transformohet dhe këtë transformim duhet ta lehtësojnë edhe burrat edhe gratë. Ngjashëm shprehet edhe sociologu Artan Muhaxhiri, i cili çështjen e ndarjes së pronës familjare e sheh si peng të një mentaliteti të paemancipuar sa duhet. Arsyetimi për këtë qasje ndaj pronës është se djemtë janë ata që kujdesen për prindërit kur ata e arrijnë moshën e shtyrë, prandaj edhe trashëgimia e pronës familjare nënkuptohet si një shpërblim për përkushtimin e tyre ndaj prindërve. “Kjo”, thekson z. Muhaxhiri, “vjen edhe si pasojë e mosrregullimit institucional të kujdesit ndaj të moshuarve, sepse me pensione minimale dhe vështirësi të mëdha në sigurimin e një pleqërie të dinjitetshme, të moshuarit janë domosdoshmërisht të varur prej vullnetit të mirë të fëmijëve të tyre”. 
Në anën tjetër, psikologu Besnik Peci është i bindur se përjashtimi i femrës nga e drejta e trashëgimisë e bën atë të ndihet e dobët, inferiore, pa mbështetje dhe pa vetëbesim. Së këndejmi, burri nuk has në vështirësi për ta nënshtruar, aq më tepër kur dihet se mungon edhe përkrahja institucionale në këtë drejtim. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, policia e Kosovës ka regjistruar 448 raste të dhunës në familje, ndërkohë që të dyshuar për shkaktimin e kësaj dhune janë 435 meshkuj e 27 femra. Z. Peci është i mendimit se rritja në një ambient me diskriminim gjinor lë pasoja afatgjata te femrat, ndaj, si institucione dhe si shoqëri, duhet të bëjmë çmos që ta ndryshojmë këtë realitet.
E drejta e femrës në trashëgimi vazhdon të jetë një temë tabu, si në familje, ashtu edhe në shoqëri. As mediet nuk i kanë kushtuar ndonjë rëndësi, ndërkohë që janë organizuar fare pak debate për këtë çështje. Presidentja e vendit, znj. Atifete Jahjaga, në një debat të tillë pati thënë se gruaja e cila posedon pronën, jo vetëm që ndihet më sigurt, por me administrimin e pronës bëhet një ndërmarrëse e devotshme e cila vepron dhe punon sipas ligjeve të tregut, duke menaxhuar kapitalin dhe duke e vënë në funksion të zhvillimit të saj, të familjes dhe të shoqërisë. 
Agjencia për Barazi Gjinore, përveç një klipi televiziv, me të cilin synon të sheshojë dhe të informojë të gjithë qytetarët për të drejtat në pronë, e që pritet të lancohet shumë shpejt, ka filluar gjithashtu përgatitjet për mbajtjen e një Konference Regjionale për këtë qëllim. Por, përpjekjeve të ABGJ-së duhet t’u shtohen përpjekjet e gjitha institucioneve, OJQ-ve e shoqërisë civile, nëse vërtet duam barazi gjinore, drejtësi e jetë me dinjitet për femrën kosovare.

“Babai ua ndau pasurinë vëllezërve, për mua as që u diskutua” 
“Jam në hall. Nuk durohet më kështu, po as zgjidhje tjetër nuk po kam... Unë kam bërë çmos që të shkollohem. Kam punuar, e njëkohësisht kam studiuar, dhe krahas plotësimit të nevojave të mia, kam ndihmuar edhe familjen. Por, duket se askujt nuk i kujtohet kontributi im. Madje, as prindërve të mi. Sot, kur jam në hall, ata më thonë të duroj, të tregohem më gjakftohtë..., nuk kanë zemër as guxim të më thonë se derën tek ne e ke të hapur. Pasurinë tashmë ua kanë ndarë dy vëllezërve të mi. Për mua, as që është diskutuar. As unë nuk ua kam përmendur kurrë. Nuk e dija se do të më vijë puna kështu. S’kam besuar kurrë se unë, që kam kritikuar gratë që i durojnë burrat e dhunshëm, do të përfundoja vetë si ato. Mendoja se me një burrë të shkolluar, që ka ecur me kohën, nuk do të kem probleme të kësaj natyre. Tani jam duke menduar për një zgjidhje afatgjatë. Dua t’i dal zot vetes. E kam të vështirë, e di. Janë këtu edhe dy fëmijët e mi. Përndryshe, do të rrezikoja qysh moti”. N. N. analizon gjerë e gjatë mundësitë e shpëtimit nga rrethi vicioz i dhunës, pastaj ndalet një copë herë, duke mos bërë zë, thua se po gjen dritën në fund të tunelit. Befas fillon të rrëfejë për njërën nga skenat e dhunës. “Herën e parë kur më goditi, isha shtatzënë. Ishim duke ngrënë darkë, të heshtur pas një hidhërimi disaorësh që kishte të bënte me kryerjen e disa obligimeve rreth shtëpisë. Isha me kafshatën e bukës në gojë, kur m’u drejtua i mllefosur se nuk do të më durojë gjatë kështu. Unë nuk fola, gjë që atij i pengonte. Vazhdoi sërish me frazat e njëjta, ndërkohë që unë po heshtja. Atë çast, si rrufe më erdhi një shuplakë e fortë për shkak të së cilës, po të mos isha mbajtur për tavoline, do të bija përtokë. Duke u vetëmbrojtur, veçanërisht me duar nga barku, i kam bërtitur ‘mos më prek’, por duke m’i shkulur flokët fort, ma afroi fytyrën e tij tek imja e më tha ‘të mbys krejt. Ose do të besh si them unë, ose të mbys”. Pas kësaj skene, prita disa ditë, pastaj, kur gjeta momentin e duhur, ia thashë tërë ato që më silleshin në mendje. I thashë se s’do ta lejoj të shkelë mbi dinjitetin tim, se nuk e duroj sot të më grushtojë e nesër të më puthë, se nuk lejoj ta rris fëmijën në ambient dhune e frike. E shumë ‘se’ të tjera. Më kërkoi falje dhe m’u betua se kjo s’do të përsëritej më kurrë”. Pas disa muajsh, gjatë një vizite të nënës së tij tek ne, ai harroi betimin e dhënë. Foshnja jonë disamuajshe po qante shkaku i ngërçeve në bark, ndërkohë që burri im po ankohej në paaftësinë time për ta qetësuar. Në momentin që nëna e tij u largua nga dhoma, i kërkova të ketë kujdes si sillet me mua para saj, por kjo e tërboi edhe më shumë dhe m’u sul me grushte e shqelma duke mos u ndalur as kur nëna e tij u kthye në dhomë. Ajo ndërhyri për ta larguar, ndërkohë që unë e poshtëruar mbulova fytyrën me duar dhe qaja me ngashërim”. N. N. nuk e ka problem të rrëfejë për secilin rast të dhunës, pjesë e së cilës tashmë janë bërë edhe dy fëmijët e saj, të cilët qajnë e bërtasin me frikë sa herë ngrihet zëri mbi nënën e tyre. Si një femër e emancipuar, ajo çuditet me durimin që ka treguar, ndërkaq nxiton të na sqarojë se viktima të dhunës nuk janë vetëm gratë e paarsimuara. “Dy nga katër shoqet e mia kanë pësuar kështu si unë. Edhe ato janë të punësuara, kanë të ardhurat e tyre, por ato janë të pamjaftueshme për t’i rritur fëmijët të vetme e pa një kulm mbi kokë. As ato nuk gjejnë mbështetje në familje të prindërve. Bile njërës prej tyre ia ka ndaluar vëllai edhe vizitat. As që bëhet fjalë për të drejtë prone a trashëgimie”, shton N. N., e bindur se në rrethana të tjera, pra duke pasur një pronë të trashëguar, siguria e saj e as ajo e shoqeve, nuk do të kanosej.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
273

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version