Ti je ketu: Ballina > Barazia Gjinore > Vjehrrat, faktor uniteti apo përçarjeje në familje?!
E drejta e gruas në shtëpi
Vjehrrat, faktor uniteti apo përçarjeje në familje?!
Dikur cilësohej si konflikt gjeneratash, ndërsa tani raportet problemore vjehërr-nuse po marrin emërtime nga më të ndryshmet. Raportet e ndërlikuara mes tyre, cilësohen e arsyetohen varësisht nga këndi, që zgjedhim për vlerësim e hulumtim. Këtë radhë revista “Teuta” është përpjekur të hedhë dritë në raportet vjehërr- nuse nëpërmjet rrëfimeve autentike të disa nuseve.

Shkruan Afërdita Uka

 

VJEHRRA MË NDAU NGA BURRI

Fikrija: Në fillim të martesës isha përpjekur të krijoja marrëdhënie të mira jo vetëm me burrin, por edhe me familjarët e tij, e në veçanti me vjehrrën. Për të, paraprakisht kisha një respekt të veçantë për faktin se kishte mbetur e ve me fëmijë jetim. Me kalimin e viteve, meqenëse unë nuk po mbetesha shtatzënë, ajo kishte filluar të më bënte aq presion, sa ishte bërë e padurueshme. Dikur filloi t’i bënte presion burrit dhe arriti ta bindte që të merrte një tjetër.
- Kush të pret ty gjithë jetën pa fëmijë, ma thoshte vazhdimisht, pa kurrfarë ndrojtjeje, derisa mua zemra po më copëtohej. Dikur fillova të humbja edhe përkrahjen e burrit, që nuk kishte bërë as përpjekjen më të vogël për të më dërguar te mjeku, apo për të kërkuar ndonjë rrugë për trajtimin tim, duke më akuzuar pa kurrfarë baze e padrejtësisht se unë isha fajtore. Atëherë, kur ai vendosi të merrte edhe një grua, ndërkohë që gjoja nga unë nuk donte të ndahej, u mbush kupa. Njoftova babanë, që të vinte të më merrte dhe, pasi babai i tha se nuk kishte vajzë për të jetuar me ortake, dola përgjithmonë nga ajo shtëpi. Jo vetëm atëherë, por gjatë gjithë këtyre viteve pas ndarjes, fajtore për këtë e konsideroj vjehrrën time.

 

"UNË NË RRUGË JU KISHA GJETUR 20 NUSE MË TË MIRA"

Fitorja: “Ti nuk je çikë hasreti këtu”, më ka thënë sa e sa herë vjehrra ime. Problemet mes nesh nisën kur ajo po përpiqej të më trajtonte mua sikur të isha një shërbëtore e saj pa pagesë. Isha duke i dhënë gji djalit tim, teksa me burrin po përgatiteshim për t’u nisur në punë, kur ajo hyri në dhomën tonë dhe krejt pa pritur e pa shkas nisi ta qortonte burrin. “Unë, në rrugë ju kisha gjetë 20 nuse më të mira se këto, që i keni marrë ju”, i tha ajo gjithë mllef. Ky ishte kulmi i gjithë marrëzirave, që nxirrte ajo nga goja vazhdimisht. Nuk munda të duroja më tepër. Kërkova prej saj ta dija shkakun e kësaj pakënaqësie, e këtij nënçmimi kaq të ulët për mua dhe kunatën time, që përpiqeshim të ishim dy nuse të shkëlqyeshme. Ajo, si gjithherë, vazhdonte të murmuriste fjalë pa kuptim, pa arritur t’i argumentonte ato që i thoshte. Shumë herë unë kisha shkuar te mjeku për të marrë qetësues, përndryshe do të çmendesha. Nuk munda të vazhdoja më tutje. Ia mora çelësat e veturës burrit dhe u nisa. Gjithë rrugën, deri në Prishtinë, kam qarë. Nuk isha në gjendje të hyja as në punë ashtu me sy të ënjtur, por as tek prindërit nuk guxoja të paraqitesha ashtu. E dija se babait tim nuk do t’i duhej më shumë se të më shihte ashtu, për t’u vërsulur kundër tyre. Ndërkohë, burri po më telefononte pa ndalur. Dikur vendosa t’ia hapja telefonin dhe u takuam në një kafeteri. Biseduam gjerë e gjatë. U përpoq më kot të më qetësonte. Pasi vazhdimi i jetesës në një kulm të përbashkët me vjehrrën time ishte bërë i padurueshëm, vendosëm që të zhvendoseshim në Prishtinë dhe të merrnim një banesë me qira. Prej atëherë, unë me burrin dhe fëmijët kemi një jetë pa andralla, ndërsa me vjehrrën vetëm raporte zyrtare.
    

SECILI T`I SHIKOJ PUNËT E VETA

Egzona: Unë e kam lehtë të flas e ta lavdëroj vjehrrën time, pasi nuk jetoj gjithmonë me të. Por, kur vijnë vjehrritë e mi tek ne, përpiqem t’i pres me të gjitha të mirat. Më pëlqen shumë tek vjehrra ime fakti që nuk përzihet kurrë në atë që bëj, aq më pak në raportin tim me burrin. Përkundrazi, vjehrri përzihet dhe më pengon shumë ky fakt, por të dy janë njerëz shumë të mirë në shpirt. Tash një ditë e lavdërova si nuk përzihet dhe ajo më tha: “Kur vjehrra punon, ka të drejtë edhe të flasë, kur nuk punon, duhet t’i vërë gojës ‘izolir”. Ndonëse nuk jetoj me ta, duke pasur prindër edhe vetë dhe duke parë çdo ditë pozitën e pafavorshme, në të cilën po vihen të gjithë prindërit, si vjehrri, unë u kam propozuar prindërve të mi dhe prindërve të burrit, që të shkojnë tek secili djalë nga një muaj. Si vajzë, më digjet zemra për prindërit e mi dhe, meqë kam përkrahjen e burrit, i ftoj herë pas here për të kaluar ndonjë natë tek unë. Ndërkaq, prindërit e burrit, mundohem t’i respektoj e t’u rri gati me ushqime në maksimum. Edhe ata janë shumë të mirë. Sekreti i të kaluarit mirë, mendoj se qëndron në faktin që secili t`i shikojë punët e veta e të mos përzihet në jetën e tjetrit. 

 

NJË VJEHËRR, SHEMBULL PËR TË MIRË

Lulja: Menjëherë pas martesës ne kishim filluar të jetonim me tim shoq në banesën tonë në Prishtinë. Si fillimi më, një jetë e qetë e pa brenga. Me ardhjen e fëmijës së parë në jetë, në fakt kur unë duhej të filloja punën pas tre muajsh pushimi lehonie, filluan telashet tona. Ku ta dërgojmë, si ta lëmë e çfarë të bëjmë? Ishin këto vetëm disa nga dilemat e shumta, që po na torturonin dhe nuk po gjenim zgjidhje në kokat tona. Gjithë ky lëmsh u zgjidh si me shkop magjik nga vjehrritë e mi, që shprehën gatishmërinë për t’u kujdesur për djalin tonë. Por, problemi ishte se ata jetonin në fshat. Kjo dilemë e radhës u zgjidh edhe më lehtë. Vendosëm që të shkonim të jetonim me ta dhe të udhëtonim çdo ditë deri në Prishtinë, pasi që përballë rehatisë së fëmijës, komoditeti ynë ishte krejt i parëndësishëm. Ajo që më ka mahnitur më pas është momenti, kur e kam takuar vjehrrën duke e pastruar djalin tim. Pasi ajo ka probleme me reumën në duar, aq sa nuk ka forcë të mbajë pesha, djalin po e mbante në dorë vjehrri, ndërsa vjehrra e pastronte. Në këtë mënyrë ata janë kujdesur për një kohë të gjatë pa na treguar as neve, që të mos merakoseshim dhe me qëllim që të mos ua merrnim nipin për ta dërguar në kopsht apo për të mos marrë ndonjë kujdestare për të. Prandaj, flas për veten time, pa dashur të paragjykoj nuset e tjera, vetëm të mendoj keq për ta më duket mëkat, e le më të flas për dy njerëz të moshuar, që janë kujdesur për fëmijën tim më mirë e më shumë se unë.

 

E SHKËLQYER SI GJYSHE, POR JO EDHE SI VJEHËRR

Suzi: Marrëdhëniet me vjehrrën time do t’i ndaja në dy kaptina: të mirën dhe të keqen. Si fillim, vjehrra më kishte pritur shumë mirë. Kisha menduar se ne do të ishim një shembull për të gjitha nuset e vjehrrat për raportet e shkëlqyera mes nesh. Por, jo gjithçka në jetën reale shkon ashtu siç i ëndërrojmë. Në atë kaptinën e mirë të raporteve tona do ta kategorizoja angazhimin e saj të palodhshëm si gjyshe gjatë rritjes së fëmijëve të mi. Ajo është një gjyshe e shkëlqyer, që nuk lodhet asnjëherë për t’ua plotësuar dëshirat dhe tekat në ushqim fëmijëve të mi. Është kujdesur pa përtesë për ta gjithmonë. Ajo është e pazëvendësueshme kur është fjala te përkujdesja për nipërit, atëherë kur jam në punë, kur nuk mungoj asnjëherë nëpër ahengjet e shumta, sidomos gjatë verës. Këtë e bën pa fjalë e ankesa. Është gjithashtu shumë e kujdesshme, kur përgatit ushqimet, derisa unë jam në punë. Ende pa shtruar tryezën, ajo në fillim e ndan një pjesë të bollshme të ushqimeve për mua e pastaj për të tjerët. Në këto dy aspekte, nuk di si do t’ia bëja pa të. Por, ajo di të jetë shumë e padurueshme në raportin tim me burrin. Përzihet së tepërmi në gjithçka, që flas e bëj unë. Ka raste kur edhe nuk arrij ta duroj e shkëmbejmë fjalë jo të mira në mes vete. Por, prapë, kur e kam parasysh atë anën e saj pozitive, që e përmenda, përpiqem të jem më tolerante dhe të gjejmë një lloj balancimi në raportin tonë.

 

PËRÇMOHESHA SE NUK LINDJA FËMIJË

Besa: Në fillim të martesës unë me burrin kishim një lidhje shumë të fortë mes nesh, por që trandej jo rrallë nga ndërhyrjet e vjehrrës sime. Vinim në situata të tilla gati para ndarjes, aq sa dikur kisha fituar përshtypjen se ajo ishte në gjendje të bënte gjithçka vetëm të na ndante. Kur shkonim në fshat dhe dikush, që më takonte për herë të parë i thoshte se - paska marrë një nuse të bukur, ajo bënte se krenohej me mua. Por, gjithmonë përkujdesej të më linte në një shkallë më poshtë nën burrin, i cili, sipas saj, ka pasur oferta të ndryshme e edhe më të mira për nuse, sado që unë nuk ngelja prapa tij as për sa i përket shkollimit e as bukurisë. Po bëheshin 10 vjet martesë dhe ne nuk kishim ende fëmijë. Po ngarendnim nëpër mjekë e kudo ku na thoshin me qëllim që të begatojmë jetën tonë me fëmijë. Ajo që më ka goditur më së tepërmi nga “spicat” e vjehrrës sime është momenti kur e kishim ndërtuar shtëpinë tonë dhe kur erdhi vjehrra të na uronte, tha: “A lihet gjithë kjo shtëpi pa fëmijë”. Isha lënduar shumë dhe i pata thënë burrit se unë po kthehem tek prindërit, sepse nuk dua ta mbaj peng atë. Por, fati e deshi që, me gjithë këto ndërhyrje të shpeshta e shumë të ulëta, ne e ruajtëm martesën tonë, që u begatua sidomos me ardhjen në jetë të fëmijëve tanë.

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.


 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
274

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version