Ti je ketu: Ballina > Barazia Gjinore > Zonjat super vizionare
Karriera të suksesshme
Zonjat super vizionare
Krijoni vizionin më të madhërishëm për jetën tuaj, ngaqë ju do të bëheni ajo që pretendoni. Le të shfrytëzojmë fuqinë e udhëheqjes së grave të suksesshme, përmes zbulimit të rrugës së suksesit të arritur dhe sfidave të tyre në jetë, në mënyrë që t’i inkurajojmë gratë e tjera për të arritur potencialin e tyre të plotë. Synimi ynë është që të avancojmë statusin e gjinisë femërore në të gjitha sferat e shoqërisë. Në këtë edicion flasin disa nga gratë e suksesshme në profesione të ndryshme.

Prof.Asoc.Dr.Violeta NUSHI, arkitekte

ZHVILLIM ME DEVOTSHMËRI

Krenohem me secilin sukses të arritur gjatë kohëve relevante të zhvillimit dhe ushtrimit të profesionit të arkitektit/es, që prej vitit 1989 e deri më tani, përgjithësisht, në të tri drejtimet e veprimtarisë dhe krijimtarisë, si projektuese dhe monitoruese e ndërtimit; pedagoge në vend e jashtë vendit; si dhe në nivelin hulumtues e akademik. Por, në veçanti krenohem me arritjet e të fituarit të titullit Doktor i Shkencës, i pari në nivelin e Kosovës në fushën e Arkitekturës (Qershor 2007); dhe së fundmi me ftesën e Universitetit të Shkencave të Zbatuara të Dortmundit, si mësimdhënëse (semestri pranveror, Mars 2016).
Përgjithësisht, ndihem e sfiduar në rastet e diskriminimit për hulumtime dhe performancë në forumet ndërkombëtare të kërkimit, pra kur arritjet individuale dhe/ose ekipore të hulumtimeve, të bëra në fushën e arkitekturës e të ndërtimit të Kosovës, duhen përfaqësuar me devotshmërinë e duhur. Meqenëse, në shumicën e rasteve, shpalosja e arritjeve modeste studimore është e krahasueshme me literaturën dhe praktikën ndërkombëtare, prapëseprapë proporcionalisht është më pak e avancuar në krahasim me potencialet ndërkombëtare. Meqenëse jam bashkëshorte, nënë, vajzë, nuse dhe motër, në njërën anë, e njëkohësisht edhe pedagoge e hulumtuese, në anën tjetër, ndihem kompetente t’u sugjeroj grave në mënyrë të përmbledhur: t’i kërkoni dhe t’i meritoni mundësitë për zhvillimin tuaj si femër me devotshmëri, në të gjitha realitetet sociale, kulturore, ekonomike e mjedisore. Gjithmonë brenda vetes duhet t’i kemi përgjigjet për pyetjet e përkatësisë sonë familjare, intelektuale, të mirëqenies materiale dhe kombëtare, gjatë tërë kohës së ndërveprimit të botës sonë femërore me botën mashkullore, kudo dhe kurdo. Pra, duhet synuar me zgjuarsi përmbushja e nevojës sublime, në hierarkinë e nevojave sipas Maslow-it, nisur nga nevojat fiziologjike, për siguri, për dashuri e përkatësi, për mirënjohje e deri tek nevoja e vetakualizimit. Kjo, doemos duhet të arrihet duke bërë ngritjen tonë sociale, intelektuale dhe të mirëqenies, hap pas hapi, në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme. 

 

Lejla Pula, pianiste

Qëndrueshmëria, vullneti, entuziazmi

Sinqerisht thënë, unë mendoj se aktiviteti artistik-koncertal nuk mund të identifikohet me ndjenja krenarie, por satisfaksion dhe përmbushje emocionale. Nëse e bëj një retrospektivë dhe e analizoj rrjedhën e karrierës sime koncertale nga fillimet e interpretimit pianistik, mund të konstatoj se e kam të pranishme në kujtesë njësoj paraqitjen time koncertale si nxënëse 14 vjeçe në Krime të Ukrainës, sikur edhe atë të vitit 1981 në "Lojërat Verore të Dubrovnikut", si soliste me Orkestrën e RTP-së, ose paraqitjen e fundit solistike në 2015 me Filarmoninë e Kosovës. Arti nuk njeh moshë, ndjenjat dhe ekspresiviteti i aktit të interpretimit muzikor mbesin të njëjta, normalisht se me një këndvështrim dhe pjekuri tjetër, e cila vjen gradualisht si rezultat i formësimit profesional gjatë perfeksionimit artistik. Vetë profesioni i instrumentistit/interpretit është sfidë e veçantë për të. Pas kohës së studimeve, fillojnë sfidat e vërteta të ballafaqimit të idealeve artistike me realitetin. Gjithashtu, edhe rrethi, shoqëria, familja, obligimet e panumërta, puna pedagogjike, të gjitha këto e sfidojnë posaçërisht gruan artiste, interprete, e cila duhet të sakrifikojë shumë kohë për përgatitje me përkushtim të plotë, me qëllim të perfeksionimit profesional. Këtu janë qëndrueshmëria, vullneti, entuziazmi dhe pasioni i vërtetë, veti që medoemos artistin e vërtetë e shpien drejt suksesit! Kemi shembuj të panumërt të grave të fuqishme në botë, fatmirësisht edhe në shoqërinë tonë kosovare. Mendoj se edukata familjare, po aq sa edhe karakteri i personalitetit, luan rol të rëndësishëm në qasjen e femrave ndaj vetvetes në jetë. Ndjenjat e natyrshme dhe të fuqishme të barazisë, sigurisë në vetvete dhe lirisë së shprehjes, duhet të kultivohen nga fëmijëria tek femrat në familje, në shkollë, në shoqëri, në punë. Duhet të luftohen guximshëm dukuritë ku femra nënshtrohet dhe të vetëdijesohen që të drejtat, suksesi dhe fjala e barabartë e femrave në shoqëri të jetë absolutisht e vetëkuptueshme. Unë mendoj se emancipimi i plotë i femrave është me rëndësi kruciale në shoqëri dhe që paraqet çelësin kryesor për avancimin dhe përparimin e çdo shoqërie.

 

Xhevahire Izmaku, deputete

Gjërat nuk ecin lehtë

Puna ime profesionale dhe puna ime aktuale është shumëpërfshirëse: Në sferën e artit e letërsisë, jam në fazën e botimit të librit të 4-t, në fushën e zhvillimit akademik, këtë periudhë jam në procesin e punimit të temës së doktoratës qe 3 vjet në Universitetin publik të Tiranës, drejtimi i gazetarisë. Duke njohur pedagogë, si prof. dr. Mark Marku dhe Artan Fuga, mund të them se po e plotësoj një ëndërr timen dhe të prindërve, se dikur ishte një mision i pamundur që ne të ndjekim studimet në Shqipëri. E sa për krenarinë, nuk e kam shumë faktor dominues, por ndihem përgjithësisht e realizuar dhe kur marr parasysh kushtet në të cilat është zhvilluar karriera ime, si një fëmijë mësuesi, edhe ndihem komode, por ambiciet ende s’më lënë rehat! Sfida ka të natyrave të ndryshme, unë këto i takoj në të gjitha aktivitetet e mia, sot në këtë nguti të përgjithshme shoqërore, asnjë gjë nuk ecën lehtë! Një sfidë e cila nuk lidhet me mua personalisht, por më atakon moralisht, derisa jam në një pozitë të tillë politike, është mungesa e vendeve të punës për të rinjtë! Pjesa tjetër ka të bëjë me studentët e mi, edhe pse ka vetëm 5 vjet që jam në rolin e ligjërueses, ndiej që roli im edhe këtu është në dy segmente: - si të jem sa më e saktë në drejtimin që mund t`u jap leksioni im, dhe - motivimi kur studentët më shohin edhe nga prizmi politik! Porosia ime është e thjeshtë; ndiqeni ëndrrën tuaj, sado që mund të ju duket e vështirë dhe rrugë e gjatë, edhe kur rrëzoheni, duhet të ngriheni përsëri, askush s’e ka të shtruar me lule rrugën e suksesit, është e vështirë, por kurrsesi e humbur. Krejt në fund, një thënie filozofike; `Suksesi vjen tek ata që janë shumë të zënë duke e kërkuar atë’ - Henry David Thoreau.

 

Prof. Dr. Iliriana Islami, juriste

Për të arritur një baraspeshë kërkohet sakrificë

Ngritja profesionale në karrierë është një vazhdimësi, një cikël që pothuajse nuk përmbyllet asnjëherë dhe që mund ta konsiderojmë një mishërim i punës, studimit, dedikimit, dhe angazhimit maksimal. Sukses janë rezultatet e punës, ndërsa rezultatet janë të lidhura gjithmonë me punën dhe përvojën profesionale.
Për mua të qenit gjyqtare e gjeneratës së parë të themelimit të Gjykatës Kushtetuese, sigurisht që është një arritje shumë e lartë në karrierën time. Megjithatë, një profesionalizmi për të arritur deri në këtë pikë, i ka paraprirë një punë shumë e gjatë akademike si dhe një përvojë e madhe e punës. Puna si asistente në Fakultetin Juridik dhe më pas si profesoreshë e këtij Fakulteti, përvoja dhjetëvjeçare në OSBE, përvoja në projekte të shumta, përfshirja në grupe të ndryshme punuese janë po ashtu arritje në karrierën time. Çdoherë për një grua e cila ka angazhime profesionale, pothuajse sfidë është familja. Puna shkencore kërkon kontinuitet, kërkon angazhim, e në anën tjetër edhe familja kërkon punë dhe angazhim maksimal. Për të arritur një baraspeshë kërkohet sakrificë, prandaj kur balancohen kërkesat e familjes me punën shkencore, e konsideroj sfidë po edhe në anën tjetër përmbushje dhe kompletim të personalitetit dhe të karrierës personale. Edukimi, mësimi, studimi, puna dhe, mbi të gjitha, devotshmëria në punë janë cilësi që e bëjnë çdo grua komplete në punën e saj. Fatmirësisht, shoqëritë demokratike kanë shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut, dy shtyllat kryesore mbi të cilat e kanë ngritur shtetin e tyre. Ne si shoqëri e re jemi duke aspiruar të arrijmë këtë rrugë, prandaj të drejtat e gruas janë pjesë e këtij sistemi demokratik dhe sigurisht që tregu, hapja e tregut, mundësitë do të sjellin edhe gruan në qendër të vëmendjes e përgatitja edukative ndihmon që gruaja të jetë e gatshme të jetë pjesë e shoqërisë, e barabartë në punë dhe në çdo angazhim tjetër.

 

Dr.sci. Zana B. Agani,  stomatologe

Të jesh femër e suksesshme – duhet të jesh këmbëngulëse

Nuk mund të cek në veçanti vetëm një sukses, pasi që në periudhën e dhënë kohore, suksese të caktuara më kanë bërë të ndihem shumë krenare. Fillimisht, si studente e Fakultetit të Mjekësisë-Dega e Stomatologjisë, dekorohem nga Rektorati i UP-së së atëhershëm me titullin Student i Dalluar; pastaj, pas diplomimit, në vitin 2000, nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega e Stomatologjisë, dekorohem me mirënjohjen e Studentit më të Dalluar në 10-vjeçarin e fundit. Pikërisht ky moment më ka dhënë shtytje dhe më ka ushqyer vetëbesimin që në të ardhmen të jem posaçërisht e përkushtuar që të jap maksimumin për pacientët e mi, si specialiste e Kirurgjisë Orale dhe studentët e mi, si asistente në lëndën e Kirurgjisë Orale. Sukses të veçantë e konsideroj përfundimin e specializimit nga lëmi i Kirurgjisë Orale, krahas realizimit të një varg aftësimesh profesionale jashtë vendit si dhe përfundimin e magjistraturës në Universitetin e Prishtinës dhe të Studimeve të Doktoraturës në Universitetin e Shkupit “Shën Kiril dhe Metodij”. Me sfida të shumta jam ballafaquar në jetë. Gjatë karrierës sime shpeshherë, për periudha të gjata kohore, më është dashur të largohem nga Kosova për avancime profesionale, si në Austri, Zagreb, Gjermani dhe ndarja nga më të dashurit e mi nuk ka qenë e lehtë. Gjithashtu, sfidues ka qenë edhe studimi i Doktoratës në Universitetin e Shkupit “Shën Kiril dhe Metodij”, të cilën më është dashur ta realizoj në gjuhën maqedonase. Të jesh femër e suksesshme, e sidomos në Kosovë, do të thotë të jesh parimore dhe shumë këmbëngulëse, të kesh të qartë qëllimin dhe të mos e pranosh pengesën si opsion. Me një qëndrim të tillë, të gjitha pengesat gjatë këtij rrugëtimi do t’i kalosh më lehtë. Femrave të reja u sugjeroj të ndjekin bukurinë e dijes, pasi ajo do t’i zbukurojë gjithë jetën. Fillimisht ta respektojnë vetveten dhe të fitojnë respektin e të tjerëve. Ky rrugëtim nuk do të jetë i lehtë, përkundrazi, kërkon përkushtim, shumë punë dhe vullnet, por, i gërshetuar në këtë mënyrë, rezulton me sukses të garantuar.

 


 

Dr. Mrika Kotorri, ekonomiste

Vetëbesimi, parakusht për të kontribuuar

Konsideroj se arritja ime më e madhe profesionale është që jam pjesë e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës dhe në atë amerikan RIT/AUK (Rochester Institute of Technology/ American Education in Kosovo). Në këto dy institucione, gjithnjë duke respektuar përgjegjësitë e mia të mësimdhënies, përpiqem që te studentët të dërgoj mesazhin se vetëm me mund dhe me punë të mirëfilltë mund të kapërcejnë çdo sfidë dhe të realizojnë qëllimet e tyre. Zhvillimi profesional i personelit akademik konsideroj se është proces i vazhdueshëm që na obligon të jemi gjithnjë të angazhuar dhe studentëve t’u sjellim më të rejat e shkencës. Duke u bazuar në këtë, në kuadër të publikimeve të mia shkencore ndërkombëtare, vitin që shkoi kam publikuar librin në fushën e ekonomiksit të migracionit. Ky libër është botuar nga një shtëpi botuese gjermane dhe si i tillë është renditur në Librarinë Kombëtare në Gjermani dhe Librarinë e Kongresit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithsecili prej nesh ballafaqohet me sfida në faza të ndryshme të zhvillimit profesional. Për mua sfidë ka qenë të qëndroj larg familjes gjatë shkollimit, studimeve për master dhe për doktoraturë në Staffordshire University, në Britaninë e Madhe. Megjithatë, me ndihmën e tyre kam arritur që kjo të mos ndikojë në cilësinë e zhvillimit tim profesional. Këtë vit kam një sfidë të re. Jam në përfundim e sipër të një punimi të ri shkencor i cili do të publikohet nga Peter Lang Publishing, shtëpi botuese akademike zvicerane. Publikimi do të jetë pjesë e një libri shkencor, ku do të përfshihen punimet e njohësve të ndryshëm nga fusha e shkencave sociale. Mendoj se dominimi i meshkujve dhe normat shoqërore, të cilat ndikojnë që gratë të ballafaqohen me kufizime në lirinë e tyre ideologjike, sociale dhe kreative, edhe pse më pak të shprehura, ende ekzistojnë. Për t’u ballafaquar me diskriminimin, nuk besoj se ekziston ndonjë formulë për të cilën ka konsensus shoqëror. Besimi në rëndësinë e shkollimit dhe besimi në vetvete janë mjete kyç për realizimin e qëllimeve. Prandaj, grave u rekomandoj që të besojnë në vlerën e shkollimit cilësor, si parakusht për zhvillimin e mendimit kritik dhe atij profesional. Këto të fundit do t’i ndihmojnë gratë të fitojnë forcën për t’u ballafaquar me sfidat. Po ashtu, u rekomandoj që të identifikojnë qëllimet e tyre dhe të besojnë në shkathtësitë e tyre për t’i realizuar ato. Vetëbesimi është parakusht për të kontribuuar me tërë kapitalin e tyre njerëzor në sfera të ndryshme të shoqërisë.

 



Laura Kryeziu, drejtoreshë ekzekutive

Formulë e suksesit, angazhimi 
 
Në fushën profesionale jam e angazhuare qysh prej vitit 1998, kryesisht me organizata të ndryshme joqeveritare. Një ndër përvojat të cilat më kanë ndihmuar rreth ndërtimit tim profesional, mendimit politik, shoqëror dhe kombëtar, është pjesëmarrja në vëzhgim e gjithë luftës në Kosovë përmes Misionit Diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Kosovë (KDOM). Më pas kam kaluar disa vjet duke punuar për Qeverinë Amerikane në Prishtinë (Ambasada Amerikane), derisa nuk kalova tërësisht në sektorin joqeveritar. Si Udhëheqëse rajonale e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, e Programit “Hope Fellowship” për më shumë se 14 vjet, kam arritur të përmbush një ndër pasionet e shumta, e ai është që të ndihmohet gruaja në rrugëtimin e saj drejt udhëheqjes në të gjitha fushat dhe veprimtaritë e shoqërisë sonë. Përmes këtij angazhimi kemi arritur që të fuqizojmë më shumë se 300 gra profesioniste, me ofrimin e përvojave si në vend ashtu edhe në SHBA. Tanimë ndihem shumë e përmbushur me konvertimin e gjithë këtij mundi në organizata vendore - LGC Këshilli për Udhëheqje dhe Zhvillim ( Leadership and Growth Council LGC ) dhe me përforcimin e rrjetit te grave profesioniste (PWN). Sfida më e madhe në jetën profesionale ka të bëjë me përpjekjet për ndryshimin e kulturës udhëheqëse nëpër sektorë dhe të kuptuarit e konceptit të udhëheqjes në përgjithësi. Shumë nga gratë, të cilat jetojnë në shtete me demokraci të brishtë, hasin në barriera të ndryshme përgjatë rrugëtimit të tyre profesional si dhe shoqëror. Kriza financiare që karakterizon këto shoqëri shtyn shumicën e tyre të merren me angazhime që mund të jenë më fitimprurëse për ato dhe familjet e tyre dhe në këtë mënyrë janë te detyruara të heqin dorë nga ëndrra e tyre dhe projeksionet që ato i kanë për vete. Këshilla ime e vetme është që në këtë rrugëtim të vështirë çdo femër duhet të mos humbë vetëbesimin dhe të identifikojë mangësitë dhe përparësitë që kanë për arritjen dhe përmbushjen e tyre profesionale. 
 
 
 
 
Majlinda Aliu, gazetare
 
Paragjykimet e mentalitetit
 
Guximi, sinqeriteti dhe dëshira e madhe për të mësuar, kanë qenë tre faktorë kyç që unë besoj se më kanë ndihmuar për të arritur suksese në punën time, e cila jo rrallë është vlerësuar dhe është shpërblyer, madje edhe nga juri ndërkombëtar Një nga arritjet e mëdha në karrierën time, që më pas u bë çelës suksesi për projektet e mëtutjeshme, ka qenë vlerësimi me çmimin e parë për gazetari të shkëlqyer në vitin 2010 nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese-BIRN. Temë kisha fatin e të vejave të luftës dhe përmes saj unë jam përpjekur të thyej një nga tabutë e shoqërisë sonë që ndërlidhet me “moralin” shoqëror. Si në çdo sektor tjetër, edhe në botën e medies në Kosovë, paragjykimet ndaj femrës janë shumë të theksuara. Ndonëse nuk thuhen deklarativisht, megjithëkëtë dominimi i botës mashkullore lë të kuptosh diskriminimin. Merr shembull të gjitha televizionet në Kosovë, pa përjashtim, dhe vëren që në pjesën dërrmuese të debateve serioze televizive në ‘prime time’ dominon bota mashkullore. Përveç udhëheqësve të emisioneve politike e ekonomike, edhe të ftuarit e tyre 90% janë burra. Ndërsa femrave u lihet hapësirë që të trajtojnë tema më të “lehta”, që kanë të bëjnë me çështjet sociale, modë apo shoubiz, ose në rastin më të mirë të lexojnë lajme. Pra, kjo mendësi maskuliste, që shpesh shoqërohet edhe me gjuhë seksiste, siç është “punë grash”, “mos u bëjë si grua” etj., që edhe i kemi dëgjuar madje edhe në debate televizive, tregojnë për mentalitetin maskulist të shoqërisë sonë. Dëshira e pamohueshme e meshkujve për të qenë “liderë”, sikurse femrave të tjera, edhe mua më ka vështirësuar punën dhe pa dyshim që vazhdon të mbetet ndër sfidat më të mëdha për të ecur përpara. Duke qenë kështu, mendoj se femrat në Kosovë duhet të angazhohen më shumë drejt përmirësimit dhe avancimit të pozitës së tyre në shoqëri. Të jesh pjesë e një shteti të ri në konsolidim e sipër të demokracisë, që për më tepër sapo ka dalë nga lufta, vështirësitë për të ecur përpara për një grua janë shumë më të mëdha. Shpesh jam gjendur në situata të papërshtatshme apo të pasigurisë, por nuk jam sprapsur. Kjo me kalimin e kohës më është shpërblyer, duke më pjekur profesionalisht. Suksesi im, krahasuar me shumë gra të tjera, mund të jetë modest, por për dikë edhe mund të jetë model. Unë mund të them që sukseset që kam arritur deri më tani, bazë kanë vetëm punën e pandërprerë dhe këmbëngulëse.
 
 
 
Elmaze Nura, regjisore
 
Secila grua e suksesshme ka sfidat nëpër të cilat ka kaluar
 
Vlerësimi si regjisorja më e mirë në një festival të madh ndërkombëtar “Saint Muse” dhe vend të largët për ne, siç është Mongolia, ka qenë një konfirmim për punën time. Unë kam edhe shumë festivale të tjera pas vetes, por shfaqja “AMOK” më ka sjellë më së shumti suksese dhe çmime. Gjithsesi, puna ime është vlerësuar edhe për shfaqjet e tjera, për të cilat janë shkruar kritika të mirëfillta në nivelin ndërkombëtar dhe vendor dhe të cilat po ashtu janë shpërblyer në shumë festivale siç janë: “Ëndrra e një nate vere”, “Tregimi zoologjik, “Parfumeria”, “Lisistrata”, “Çifti i hapur”, “Ku... çka ”, “Trojanet”, “Mendje djallëzore” etj. Udhëtimet nëpër vende të ndryshme të botës mundësojnë eksperienca të reja, të cilat janë të nevojshme për secilin artist. Puna si regjisore dhe pjesëmarrjet në aktivitete teatrore njëherësh e mbështesin punën time pedagogjike edhe si Profesoreshë e Regjisë së Teatrit në Fakultetin e Arteve të UP-së. Ëndrrat mbeten në sirtar, nëse qëllimi nuk është i qartë. Sa më e madhe të jetë dëshira për të arritur cakun, aq më lehtë kapërcehen sfidat. Duhet të dini se me çfarë të preokupoheni, në mënyrë që të mos ju mbërthejë përditshmëria. Nëse merreni më gjëra të mëdha, atëherë edhe jeta do të dijë t’ju shpërblejë me gjëra të vlefshme. Secila nga femrat e suksesshme nëpër gjithë botën kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë sfidat nëpër të cilat kalojnë, por forca e vullnetit të tyre për të arritur qëllimet e veta i mban në nivelin që janë. Unë u sugjeroj të gjitha vajzave që të ndjekin ëndrrën e tyre, duke u shkolluar dhe duke u profesionalizuar, sepse kjo është rruga e vetme që ju çon edhe drejt pavarësisë së vendimmarrjes dhe suksesit në jetë. Të kesh guxim, është vendimtare për të realizuar, sidomos idetë e mëdha.
 
 
 
Arta Avdiu, gazetare
 
Gratë – supernjerëz

Mendoj se gazetarët vazhdimisht duhet të punojnë dhe të zgjerohen profesionalisht. Të paktën kjo vlen për mua. Jam krenare dhe më mjafton që e bëj një punë e cila me gjithë sfidat e problemet, më pëlqen jashtëzakonisht shumë dhe nuk e imagjinoj veten duke bërë diçka tjetër. Është sidomos e jashtëzakonshme dhe me fat të jesh pjesë e një mediumi sikur KTV-ja. Pavarësia, liria për të kryer punën tënde dhe ndikimi që KohaVisioni ka në shoqëri, janë pjesë tejet e rëndësishme që e bën punën edhe më atraktive dhe të lehtë. Sfidat në gazetari janë të përditshme. Tani kur kanë kaluar më shumë se 9 vjet që e bëj punën e gazetares, nuk është se ballafaqohem me ndonjë sfidë të madhe dhe të tillë të pakalueshme, aq më pak sfida që do të mund të ndërlidheshin me idenë e të qenit gazetare grua. Të jetosh në Kosovë, është vërtet e vështirë për këdo, e veçanërisht për gratë. Si shoqëri, në shumë raste jemi dëshmuar se vazhdojmë të jemi patriarkalë dhe pre e sterotipeve në baza gjinore. Kjo ka ndikuar dukshëm që gratë të jenë të diskriminuara. Sugjerimi kryesor është se kur filloni të kryeni një punë dhe i keni vendosur vetes një cak, nuk bën assesi dhe kurrë të mendoni se pse ju jeni grua e keni vështirë të arrini qëllimin që ia keni vënë vetes. Sepse, shpesh problemi nis brenda nesh dhe kufizimet që gratë ua bëjnë vetes dhe ndoshta kjo ndodh kryesisht për shkak të paragjykimeve e gjykimeve shoqërore prej të cilave mund të kenë frikë. Mendoj, se është dëshmuar tashmë që koha kur punët dhe profesionet janë ndarë në baza gjinore, janë çështje të tejkaluara dhe sot në botë ka shkencëtare, gazetare, udhëheqëse shtetesh, që janë treguar shumë të zonjat, madje më shumë se kolegët e tyre meshkuj. Kjo mendoj se është shtytje dhe inspirim për këdo. Se mjafton të punosh dhe të besosh se edhe ti, sikur secili njeri tjetër, grua a burrë, je në gjendje të arrish sukseset e dëshiruara. E rëndësishme është që ju të besoni se mund dhe do ta arrini qëllimin tuaj dhe kjo i bie se më shumë se gjysma e punës është kryer, sepse gratë janë super njerëz që arrijnë të kryejnë secilën punë të mundshme. U duhet vetëm besimi dhe vullneti!
 
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

 

 

 

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
268

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version