Ti je ketu: Ballina > Barazia Gjinore > Kosova ka gra të zonja
Fuqizimi i gruas në aspektin e zhvillimit ekonomik
Kosova ka gra të zonja
Gruaja është shtyllë e familjes. Gruaja e arsimuar krijon familje të shëndoshë dhe të arsimuar dhe si rrjedhojë shoqëria do të jetë e zhvilluar. Gruaja e “fuqishme” ekonomikisht, krijon mjedis të përshtatshëm për jetë dhe avancim të familjes së vet. Prandaj, fuqizimi ekonomik i femrës është një parakusht për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Shkruan Zineta Daci, ekonomiste

Nevoja për të promovuar fuqizimin ekonomik të femrave në Kosovë nuk është një koncept i ri, mirëpo implementimi i këtij koncepti në praktikë – ende mbetet një sfidë. Nuk ka asnjë “rrugë të shkurtër” për të realizuar këtë qëllim: fuqizimi ekonomik i femrave përfshin implementimin e politikave të shëndosha publike, pra, përfshin një qasje holistike dhe angazhim afatgjatë nga të gjithë aktorët e zhvillimit.
Zhvillimi ekonomik dhe fuqizimi i gruas janë të ndërthurura: me zhvillimin e një vendi – pabarazia gjinore fillon të bjerë, madje edhe pa marrjen e masave të veçanta të cilat në shënjestër në mënyrë specifike kanë femrat. Dhe disa dëshmi tregojnë se politikat që synojnë përmirësimin e barazisë gjinore mund të ndihmojnë zhvillimin ekonomik të një vendi. Gratë kanë kontribuar gjithmonë për shoqërinë dhe ekonominë duke ndihmuar në bujqësi dhe në prodhimin e ushqimit në vendet në zhvillim, apo edhe në formë të punës me kohë të shkurtuar ose si punëtore të përkohshme në vendet e zhvilluara. Angazhimi i tillë bëhet pavarësisht nga obligimet dhe roli i tyre si zonja shtëpie, aktivitet i cili ende nuk është vlerësuar edhe ekonomikisht. Në fakt, të dhënat e fundit statistikore të OKB-së tregojnë se 53% e punës në vendet në zhvillim është kryer nga gratë. Edhe pas një kontributi aq të lartë, nuk ekziston ndonjë njohje apo pranim publik lidhur me rolin e femrës në të gjitha sferat e jetës. Problemi në fakt duket se është shumë më i madh se ajo që ne e përceptojmë dhe për këtë arsye çështja nuk lidhet vetëm me fuqizimin ekonomik të grave. Kjo në fakt ka të bëjë me paragjykime të rrënjosura thellë në shoqëri dhe me diskriminimin kundër femrave, që është i përhapur në shoqëri.
Kosova ka gra shumë të zonja për të menaxhuar dhe për të udhëhequr qoftë organizata qoftë biznese. Kolegët e mi burra do të ma zënë për të madhe, mirëpo, si profesioniste, si grua dhe si nënë, me bindje të plotë them se gratë tona nuk janë mjaft të pranishme në vendet dhe proceset menaxhuese dhe udhëheqëse. Ne dimë shumë më mirë dhe me shumë përgjegjësi të udhëheqim shtëpitë dhe familjet tona, prandaj edhe dimë të udhëheqim biznese apo organizata. Mirëpo, në cilin sektor biznesi është treguar më e suksesshme gruaja kosovare? Mendoj që gratë tona më së miri janë akomoduar në fushën e financave dhe kontabilitetit – si dhe implementimi i këtyre dy segmenteve në të gjitha degët ekonomike, veçanërisht në prodhim dhe tregti, ku ato kanë dëshmuar kujdes të posaçëm në investime të sigurta në fushat në të cilat kanë dije dhe përvojë, menaxhim të mirë të shpenzimeve – pra kursime aty ku nevojitet, si dhe angazhim të pakufizuar personal.
Në shoqërinë kosovare gratë e talentuara e kanë vështirë të arrijnë në pikat më të larta të menaxhimit në një organizatë. Këtu përsëri më duhet të ndërlidhem me atë që e thashë edhe më parë – së pari për shkak të vetëbesimit të lëkundur dhe pastaj për shkak të faktorëve të tjerë përreth. Gratë në zonat rurale e kanë më së vështiri të realizojnë biznes të suksesshëm, duke përjashtuar këtu disa raste individuale. Kjo për shkak të, së pari, mungesës së përkrahjes së mirëfilltë financiare, qoftë nga institucionet financiare qoftë edhe nga shteti, në një anë, dhe, së dyti, nga fuqia blerëse shumë e vogël në anën tjetër. Organizata të ndryshme joqeveritare – vendore dhe ndërkombëtare mundohen të ndihmojnë, mirëpo shteti duhet të jetë ombrella që ofron siguri dhe mbështetje.
 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
264

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.net  ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version