Ti je ketu: Ballina > Barazia Gjinore > “Trungu i gjakut” dhe “Trungu i qumështit”
Pabarazia e trashëgimisë
“Trungu i gjakut” dhe “Trungu i qumështit”
Është evidente se në Kosovë dominojnë praktikat tradicionale të trashëgimisë dhe të posedimit të pronës. Këtë diskriminim nuk e ka zbehur aspak legjislacioni për barazinë gjinore si dhe përfshirja e barazisë gjinore në ligjet që rregullojnë marrëdhëniet pronësore dhe familjare. Është fakt se në Kosovë tradicionalisht burrat janë favorizuar në trashëgimi. Sot 90 për qind e gjithë pronës në Kosovë është në duar të burrave. Nuk është aspak e re të thuhet se pabarazia e trashëgimisë dhe e posedimit të pronës rrit pasigurinë ekonomike të grave dhe kufizon mundësitë e tyre për mëvetësi.

Shkruan Vjollca Krasniqi, sociologe
Foto Fadil Berisha

 

Ligjet në Kosovë janë tejet të avancuara për sa i përket barazisë ekonomike dhe politike të grave. Janë disa ligje që mbrojnë të drejtën për qasje të barabartë pronësisë dhe trashëgimisë. Si edhe në instancat e tjera, praktikat diskriminuese ndaj grave në Kosovë mund të shihen si de facto (të përdor gjuhë juridike) dhe jo de jure; ligjet garantojnë barazinë mes burrave dhe grave, por praktika e jetës së përditshme është e pabarabartë mes burrave dhe grave. Tek ne, e drejta e trashëgimisë arrihet ose me ligj ose me testament. Në të vërtetë, në raste shumë të rralla dhe shumë pak njerëz në Kosovë, lënë pas vete testament. Kjo e bën gjyqin autoritetin primar për ndarjen e pasurisë. Kështu, arritja e së drejtës së trashëgimisë me ligj aplikohet në rastet kur nuk ka ndonjë testament. Ligji për trashëgimi në Kosovë qartë parasheh se të gjithë personat kanë të drejtën e barabartë të pronësisë. Ky ligj parasheh ‘linjën e parë’ të personave me të drejtën e trashëgimisë: burri apo gruaja dhe fëmijët, me pjesëmarrje të barabartë. Aty ku nuk ka fëmijë, të drejtën e trashëgimisë e ka ‘linja e dytë’ e trashëgimtarëve sipas gjakut. Vajzat dhe djemtë kanë të drejtën e barabartë të trashëgimisë dhe ata/ato mund të tjetërsojnë pronën e trashëguar, duke e regjistruar si pronë të përbashkët.

Injorimi i të drejtave të grave për trashëgimi
Praktika është ndryshe nga përcaktimet ligjore për barazinë mes burrave dhe grave dhe djemve e vajzave për trashëgimi dhe pronë. Burrat/djemtë trashëgojnë pronën dhe vajzat ‘zgjedhin’ të heqin dorë nga pjesa e tyre e pronës, dhe i ofrojnë vëllait/ vëllezërve, apo kushërinjve më të afërt. Trashëgimtaret femra ‘refuzojnë’ pronën e tyre për avantazh të vëllezërve. Kjo praktikë është sfiduar në rrafshin juridik. Ligji për barazinë gjinore në Kosovë (seksioni 16.3) parasheh që “trashëgueset/sit femra dhe meshkuj, mund të marrin dhe mund të kërkojnë pjesën e tyre të pronës, pas regjistrimit të pronës së trashëguar.” Studimet e pakta empirike tek ne tregojnë se marrëveshjet për ndarjen e pronës ndodhin shumë para regjistrimit të pronës në gjyq, gjë që e bën shumë të lehtë injorimin e të drejtave të grave për trashëgimi. Marrëveshjet familjare për ndarjen e pronës bëhen paraprakisht nga gjyqi dhe shpeshherë gjyqtarët nga familjet kërkojnë të arrijnë ‘marrëveshje’ për ndarjen e pronës, që më pas gjyqtari të përdorë për ndarjen e pronës së trashëguar. Si rezultat, kemi praktika ligjore dhe kulturore të përcaktimit të pronës dhe trashëgimisë përmes raporteve të pabarabarta të fuqisë. Nuk do shumë koment se në sferën e jetës private dhe të familjes burrat kanë fuqinë dhe autoritetin, që bartet në sferën publike, pa u kontestuar, dhe një nga shembujt e kësaj zhvendosjeje të autoritetit nga familja në publik shihet në ndarjen e trashëgimisë, të bazuar në marrëveshjet familjare, para se të shkohet në gjykatë.
Është fakt se përgjithësisht familjet në Kosovë ‘udhëhiqen’ nga burrat, ka edhe një numër të familjeve që udhëhiqen nga gratë (nënat vetëmbajtëse të familjes), të cilat kanë mbetur të veja. Derisa ka pak burra të ve në Kosovë, gratë e veja, të cilat kanë humb burrin dhe kanë fëmijë, është normë që ato nuk martohen.

Praktikat e pabarabarta të trashëgimisë
Një nga shprehjet e pabarazisë mes grave dhe burrave shfaqet në rrafshin simbolik dhe atë material/strukturor. Por, është marrëdhënia mes gjinisë, pronës dhe pushtetit, në njërën anë, dhe kulturës e përgjigjeve institucionale (ligjeve), në anën tjetër, që formësojnë ndarjen e fuqisë dhe rregullimet e roleve gjinore. Në të vërtetë, këto qëndrojnë të ndërvarura njëra me tjetrën dhe rindërtohen në vazhdimësi, krahas ideologjive gjinore dhe kuptimet kulturore për feminitetin, maskulinitetin, të drejtën e posedimit të pronës dhe seksualitetit etj. Në rrafshin kulturor, marrëdhëniet gjinore përcaktohen në marrëdhënie me pronën dhe të drejtën e trashëgimisë. Linja patrilineare siguron principet e trashëgimisë për gjininë mashkullore. Kjo përcaktohet në të drejtën zakonore – ‘Kanunin e Lekë Dukagjinit’. Këtu qartë theksohet se të drejtën e trashëgimisë e kanë vetë djemtë mbi moshën pesëmbëdhjetë vjeç. Në rregullimin e marrëdhënieve familjare, gjinore, dhe pronësore, Kanuni i Lekë Dukagjinit zhvillohet përmes ndarjes në opozitë njëra ndaj tjetrës mes ‘trungut të gjakut’ dhe ‘trungut të qumështit’. E para i referohet linjës patrilineare – babait, dhe e dyta linjës së nënës. Ky sistem rregullimi i regjimeve gjinore dhe familjare, përfshirë edhe të drejtën pronësore dhe të trashëgimisë, përjashton gjininë femërore simbolikisht dhe materialisht si bartëse të pronës dhe të trashëgimisë. Derisa djemtë/gjinia mashkullore mundësohen të posedojnë dhe të krijojnë pronë/pasuri dhe kjo pasuri duhet gjithmonë të mbetet brenda ekonomisë politike patrilineare dhe, në anën tjetër, gjinia femërore konsiderohet të jetë pjesë e ekonomisë politike patilineare të burrit. Në të dy skenarët, gjinia femërore është pjesë përbërëse dhe kontribuuese në ekonominë familjare, por pa të drejtë për të kërkuar çfarëdo pjese nga ajo ekonomi dhe pronë.

Të jesh grua
Ky riprodhim i ekonomisë familjare shkon paralelisht me konstruktimin kulturor dhe shoqëror të gjinisë dhe të qenit grua. Të jesh grua është shoqërisht status pune për të mirëmbajtur ekonominë familjare në mënyrë, që lehtëson botën dhe punën e burrit, derisa kjo punë dhe emocionet e investuara në këtë mbarështim në sferën e familjes dhe marrëdhënieve intime, nuk konsiderohet punë dhe zhvlerësohet nga gjykimi në kanonet ekonomike. Mirëpo, puna e grave brenda dhe jashtë familjes është në rritje për shkak të trysnive gjithnjë e më të mëdha të gjeneruara nga tregu: papunësia dhe puna e pasigurt. Rolet gjinore të grave, përfshirë rolet prodhuese, riprodhuese dhe ato që kanë të bëjnë me punën e grave në komunitet, kanë pësuar ndryshim dramatik. Në shikim të parë, zgjerimi i roleve të grave përtej kufijve të sferës private, mund të shihet si revolucion gjinor që ka sjellë mundësi për zhvillim për shumë gra. Në të vërtetë, rikonfigurimi i roleve gjinore, ka shtuar punën e grave, tani e quajtur ‘puna e grave në tri ndërresa.’ Me këtë nuk është prekur bazamenti patriarkal në të cilin zhvillohet ekonomia politike, përfshirë punën, pronën dhe të drejtën e pronës.
Në përmbledhje, ky tekst vë në pah marrëdhënien formuese të pronës dhe të punës, në njërën anë, dhe kulturën e gjinisë, në anën tjetër. Ka argumentuar se jo vetëm rregullat tradicionale të familjes dhe farefisnisë garantojnë dhe mirëmbajnë pronësinë mbi pronën, por edhe kontrollin mbi seksualitetin, të burrave si grup, por edhe në praktikat institucionale (MacKinnon, 1989) ky dominim i burrave vazhdon të mbetet i pasfiduar. Prania e së drejtës de jure dhe mungesa e së drejtës de facto në praktikat e trashëgimisë në Kosovë dëshmon për mirëmbajtjen e pushtetit të burrave në traditë, kulturë, ekonomi dhe zbatim të ligjeve.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version