Ti je ketu: Ballina > Barazia Gjinore > Gruaja dhe zhvillimi kombëtar
Barazia gjinore
Gruaja dhe zhvillimi kombëtar
Në mesin e shumë problemeve e çështjeve madhore, shtrohet pyetja se a ka kuptim të flasim për barazi gjinore? A është barazia gjinore luks me të cilin duhet të merremi kur i zgjidhim këto probleme, apo barazia gjinore dhe emancipimi i gruas është çelës për t’i zgjidhur problemet e për të ndihmuar zhvillimin shoqëror e kombëtar?

Shkruan Teuta Sahatqija

 

Mendoj se barazia gjinore dhe emancipimi i gruas paraqet komponent tepër të rëndësishme dhe të domosdoshëm për një zhvillim të mirëfilltë shoqëror e kombëtar. Le të marrim një shembull të suksesshëm.

­Shembulli i shteteve skandinave
Shtetet skandinave, të cilat shpesh i marrim si shembull të funksionimit të mirë shtetëror, të një mirëqenieje shoqërore, të zhvillimit ekonomik, në fakt janë shtete të cilat merren si shembull jo vetëm për zhvillim ekonomik por edhe për barazi gjinore. Këto shtete jo shumë larg në histori, kanë qenë shtete të pazhvilluara ekonomikisht, nga të cilat janë larguar qytetarët për në Amerikë dhe në vende të tjera, atëherë më të zhvilluara. Por, këto shtete qysh atëherë kanë vendosur që zhvillimi i shoqërisë së tyre, i shtetit dhe i kombit, mund të ndodhë nëse angazhohen të gjitha resurset kombëtare. Shtetet skandinave ishin shtete të cilat kanë vënë para vetes prioritetin e fuqizimit të gruas dhe atë të barazisë gjinore, për të pasur fuqinë e plotë për ballafaqim me sfidat dhe problemet e shumta të asaj kohe. Sot, këto shtete, ndër më të zhvilluarat ekonomikisht në botë, janë shtete ku barazia gjinore tashmë është arritur dhe ruhet me xhelozi e përkushtim.

Ku jemi ne sot?
Potenciali i gruas në Kosovë, por edhe në të gjitha trevat e banuara me shqiptarë, është ende i pashfrytëzuar sa duhet. Gruaja ende është larg të qenit partnere e barabartë në fusha të ndryshme të zhvillimit shoqëror, ashtu siç jemi ne si shtete e si komb larg një zhvillimi të mirëfilltë ekonomik e shoqëror. Prandaj, nisur nga shembujt që funksionojnë, edhe ne duhet të vendosim që, nëse duam zhvillim dhe nëse duam që vendin tonë ta shohim në arenën ndërkombëtare, atëherë duhet të ndërtojmë politika të përbashkëta kombëtare të emancipimit të gruas dhe të fuqizimit të rolit të saj në shoqëri. Të gjithë e dimë se një nënë e emancipuar do ta bëjë një familje të emancipuar. Një grua e pavarur financiarisht është një familje pa brenga dhe e kursyer nga dhuna. Institucionet ku ka barazi gjinore janë institucione më funksionale dhe vendimmarrja ku janë të dy gjinitë është vendimmarrje e drejtë, sepse i merr parasysh kërkesat, nevojat, brengat e gjithë shoqërisë. Ne sot mund të lavdërohemi se kemi pasur një Presidente të Kosovës grua, kemi përfaqësim 30% në nivelin komunal dhe parlamentar, që janë arritje vërtet të mëdha, por përfundimisht jo të mjaftueshme.

 

Çka duhet të bëjmë?
Është lajm i mirë që lidhjet e vendosura më herët mes grave në trevat e ndryshme po forcohen dhe po kanalizohen në një agjendë të përbashkët, të cilën duhet jo vetëm ta mirëmbajmë, por edhe ta fuqizojmë me iniciativa të përbashkëta për emancipimin e gruas me plane të strukturuara dhe të koordinuara në fusha të ndryshme, siç janë - arsimi me kurrikulat e përbashkëta dhe pa stereotipa, fusha e artit dhe e kulturës, fusha e medieve, e biznesit dhe fuqizimi ekonomik, lufta kundër dhunës, fusha e politikës, e diplomacisë etj. Me fuqizimin e gruas, nuk e fuqizojmë vetëm atë si individ, por tërë familjen, rrethin shoqëror, kombin tonë. Prandaj është e rëndësishme që prioritet duhet t’i jepet përkrahjes dhe emancipimit të gruas në shoqëri duke e fuqizuar rolin e saj dhe se Barazia Gjinore duhet të jetë në qendër të zhvillimit kombëtar.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
264

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.net  ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version