Ti je ketu: Ballina > Intervista > Dashuria e jetës sime...
Speciale
Dashuria e jetës sime...
I shohim në harmoni, të qeshur e të lumtur dhe pyesim me vete, ‘a thua ku qëndron sekreti i këtyre martesave të suksesshme?!’ Për “Teutën”, flasin gratë e tre politikanëve, Ardiana Gjinolli, bashkëshortja e Shpend Ahmetit, Mika, bashkëshortja e Lutfi Hazirit dhe politikania Justina Pula – Shiroka, bashkëshortja e Blerim Pulës - duke zbuluar sekretin e martesave të tyre të suksesshme

Bisedoi Antigona Uka

 

ARDIANA GJINOLLI
Mos sakrifikoni asgjë nga ëndrrat tuaja!

Ardiana Gjinolli, hulumtuese në Institutin për Studime të Avancuara (GAP), njëherësh bashkëshortja e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, tregon se janë bashkë qe 18 vjet, ndërsa janë martuar qe 14 vjet. “Jemi martuar të rinj dhe kemi edhe dy fëmijë së bashku, Tean dhe Anrin”.

Jemi njohur në vitin 2000. Shpendi sapo ishte kthyer nga studimet në Bullgari, e unë punoja në një organizatë ku punonte edhe një shok shumë i afërt i Shpendit. Aty e pashë se vizitat e Shpendit tek shoku i tij u shpeshtuan”, shprehet duke qeshur Ardiana dhe shton se “shumë shpejt filluam të dalim”. Në vitin 2002 Shpendi shkon në studime në Harvard dhe menjëherë pas kthimit nga magjistratura vendosin të martohen dhe po atë verë e bëjnë dasmën. “Muajin e mjaltit e kaluam në lojërat olimpike në Athinë, ku punonim për qytetin e Athinës si vullnetarë”, tregon bashkëshortja e Shpendit.
Se si ka qenë dasma e çiftit, Ardiana bën me dije se ka qenë një dasmë modeste, me familje e shoqëri, ku janë respektuar edhe traditat. “Jemi marrë të dytë me organizimin. Shpendi është marrë me anën teknike, me muzikën, me menynë, ndërsa unë jam marrë me anën estetike, me ftesat, me dukjen e sallës dhe shumë e shumë detaje të tjera. Por, mund të them që çdo gjë e kemi bërë bashkë”.
Tani, kur si familje ulen dhe shikojnë fotot e dasmës, Ardiana, suksesin e martesës së saj e bazon në respektin e ndërsjellë të çiftit. “Respekti, kur jeni vetëm, respekti para të tjerëve. Kur ka respekt, të cilin nuk po mund ta shpjegoj vetëm me një fjali, atëherë patjetër se do të ketë sukses”, potencon ajo. Për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të gjatë, pa dyshim se nuk mjafton vetëm dashuria mes çiftit, “nevojitet punë dhe përkushtim. Çdo gjë në jetë, e cila ka vlerë, kërkon punë dhe përkushtim. Në anglisht thuhet se gjërat e tilla nuk duhet t’i marrim "for granted", d.m.th., si të garantuara. Në qoftë se mendon se edhe burrin/gruan dhe familjen i ke të garantuara, atëherë gabon, prandaj duhet t’ia dish vlerën partnerit dhe familjes”, thotë Ardiana. Në çdo martesë, sado e suksesshme qoftë ajo, ka edhe momente dhe ditë të vështira, të cilat, bazuar në përvojën e saj, Ardiana mendon se duhet kapërcyer vetëm duke biseduar me njëri-tjetrin, duke shprehur ndjenjat tërë kohën, “sepse vetëm atëherë zgjidhen problemet”. Martesa është e mirë në qoftë se të dytë në martesë shohin vlerën. Unë jam shumë feministe dhe nuk bëj dallime se çka duhet të bëjë gruaja apo burri. Të dytë i kanë përgjegjësitë të barabarta”. Krahas privilegjeve që sjell të qenit gruaja e një politikani të njohur, e pyesim Ardianën, a ka pasur momente kur është ndier e lodhur nga mungesat e bashkëshortit dhe angazhimi i tij politik. “Nuk mendoj se ka privilegje të mëdha politika”, përgjigjet ajo duke theksuar se “gëzimi më i madh imi është kur shoh ndonjë ndryshim dhe kemi arritur që si familje t’i japim diçka Prishtinës e komunitetit. Pra, çdo gjë që e bën Shpendi, unë e shoh si kontribut të gjithë familjes tonë, edhe të fëmijëve, të cilët mundohemi t’i ndihmojmë për çdo ditë me mbështetje. Kjo nuk është e lehtë gjithmonë sepse koha e cila na takon neve reduktohet në minimum”. Ardiana ka një këshillë për vajzat, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e fatit të jetës, “zgjidhni atë që dëshironi ta bëni në jetë me njeriun me të cilin doni ta kaloni jetën. Mos sakrifikoni asgjë nga ëndrrat tuaja”.
 

 

MIKA HAZIRI
Të kesh në krah një njeri, i cili të plotëson dhe të mbështet në jetë 

Mika, këngëtare e muzikës popullore dhe bashkëshorti i saj, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, janë në prag të 22-vjetorit të martesës.

Në tetor të këtij viti, bëhen 22 vjet të plotë që jemi martuar së bashku dhe kemi ndërtuar një familje. Kemi tri vajza dhe një djalë”, nis të flasë për jetën bashkëshortore Mika, duke bërë me dije se me Lutën, siç ajo e thërret bashkëshortin, është takuar për herë të parë, para 25 vjetëve. “Jemi njohur në kuadër të aktiviteteve kulturore të rinisë, që janë organizuar atëherë e që Luta i ka udhëhequr në atë kohë në Gjilan. Kemi filluar së bashku pikërisht më 17 maj, 25 vjet më herët. Tre vjet kemi qenë së bashku dhe më pas jemi martuar”, tregon ajo. Në vitin ’96, kur çifti është martuar, Mika kujton faktin se atëbotë mbizotëronte situatë okupimi dhe depresioni kolektiv në Kosovë. “Bëmë një dasmë të madhe familjare në hotelin e qytetit dhe ftuam shumë mysafirë e miq”, kujton ajo duke vënë në pah se ka qenë numri 7, që njihet si numër fati, ai që ka vulosur data të rëndësishme për çiftin, “propozimin për martesë e kemi më datën 7 janar, pastaj me 7 maj kemi vendosur fejesën dhe me 7 tetor të të njëjtit vit jemi martuar. Faktikisht, viti 1995 është viti i martesës, ndërsa në vitin ’96 neve na ka lindur fëmija i parë, vajza Kënga”, shprehet e emocionuar këngëtarja.
Dasma, pa dyshim që ishte me krushq. Bile, Mika kujton faktin se ka qenë kolonë e madhe e krushqve, “prej Gjilanit deri në Përlepnicë”, e nusja, si çdo vajzë kur largohet nga familja e prindërve, e kishte përjetuar këtë ndarje me lot. Por, hareja ishte rikthyer në mbrëmje, me pjesëmarrjen në dasmë të dy familjeve dhe miqve. “E kemi kthyer nga një gjendje e rëndë në të cilën ishte vendi, në një gëzim të përbashkët familjar”.
Pas njëzet vjet martese, Mika është e sigurt se nuk ka recetë dhe as kod për një martesë të suksesshme. “Ka respekt të ndërsjellë, ku burri e respekton gruan dhe gruaja burrin. Ky është çelësi i suksesit. Me një fjalë respekti i ndërsjellë, angazhimi i përbashkët, sakrifica e përbashkët, bën një familje të mirë, funksionale, të lumtur dhe të suksesshme në fund”, thekson ajo, duke shtuar se “është dashuria ajo kërthiza e krejt suksesit të një familjeje, e të tjerat pasojnë”.
Duke pasur bashkëshortin politikan, Mika ia ka ndjerë shumë herë mungesën, por nuk ka reshtur kurrë së mbështeturi të zgjedhurin e saj, si në kohën e burgosjes së tij gjatë luftës, në gjendjen e rëndë pas lufte dhe në çdo moment të ndjeshëm jetësor. “Mbështetja ka qenë e ndërsjellë dhe jemi këtu së bashku pas gjithë këtyre viteve, gati në të njëjtën gjendje që kemi qenë edhe para lufte të angazhuar. Luta në politikë, e unë në kulturë, edhe sot e asaj dite vazhdojmë bashkë dhe jemi mbështetës të njëri-tjetrit”, shprehet Mika, e cila këshillon vajzat e reja që të kërkojnë partnerin që në kuptimin e plotë të fjalës, është njeri. “Asgjë më shumë nuk duhet, sesa ta gjejmë një njeri, i cili të plotëson dhe të mbështetë në jetë”.
 

Justina Shiroka
Nga nusëria deri tek ditët e mrekullueshme me nipa e mbesa

Politikania Justina Shiroka – Pula dhe bashkëshorti i saj Blerimi, inxhinier i energjetikës, po i afrohen 40-vjetorit të martesës, por dasma e tyre edhe sot kujtohet si një nga dasmat më të veçanta, moderne dhe madhështore.

Pas gati pesë vjetësh në lidhje dashurie, 7 maji i vitit 1977 ishte caktuar si datë për ta kurorëzuar këtë dashuri me martesë. Dasma ishte organizuar në një nga restorantet e pakta në kryeqytet, ndërsa të ftuar kishin qenë rreth 200 veta. Sot, kur evokon kujtimet e asaj dite, Justina pohon se “kam pasur dëshirë që dasma të jetë e bukur dhe gracioze, ndërsa për buxhetin janë kujdesur familjarët tanë. Në fakt, ne jemi tri motra, ndërsa unë isha vajza e parë dhe prindërit e mi kishin dëshirë që dasma ime të ishte e madhe dhe e bukur si dhe të mos kishte asnjë ndryshim nga dasmat që organizohen për djemtë”. Meqë çifti kishin vendosur ta bënin dasmën të përbashkët, edhe për organizimin e saj ishin kujdesur dy familjet, atëbotë nusja e ardhshme ishte kujdesur për disa detaje të ditës së saj. Për humorin e të ftuarve, ishte kujdesur orkestra e Gjakovës me këngëtarët Esat Bicurri, Zekiria Çarkaxhiu etj.”. Ndonëse bëhet fjalë për 41 vjet më parë, Justina nuse, me fustan të bardhë e kapele të madhe në kokë, mbante në duar një shportë dekorative me lule dhe bonbone të dekoruara me emrat e çiftit dhe datën e martesës, me të cilët u shërbyen të gjithë mysafirët e dasmës. “Tani ky simbol nuk është interesant, por për atë kohë ishte një e papritur e këndshme”, kujton tani bashkëshortja, nëna dhe gjyshja Justinë. Dasma e çiftit, ishte tradicionale dhe moderne. Siç e do zakoni, farefisi i bashkëshortit kishin shkuar me vetura për ta marrë nusen. “Të gjithë mysafirët, dhëndri, prindërit e tij, së bashku me burra dhe gra të tjera, pa i ndarë në ambiente të ndryshme, erdhën në shtëpi, i pritëm sipas traditës sonë, duke i shërbyer me ushqim dhe pije, por nuk munguan as muzika dhe vallëzimi”, rikujton politikania. E largimi nga shtëpia ngelet momenti më emocionues. Tani kur reflekton për jetën e përbashkët martesore, Justina është e bindur se kur je i ri, dita e dasmës është dita më e bukur e jetës. “Pas një kohe ditën më të bukur ta bëjnë fëmijët dhe suksesi i tyre, e pas një kohe ditën më të mrekullueshme ta bëjnë mbesat dhe nipat”.
E pyetur nëse më vështirë është të bëhesh nuse apo vjehërr, ajo duke qeshur pohon se kjo është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur, pastaj potencon se e gjitha varet nga qasja që zgjedh. “Nëse e do nusen dhe e pranon si vajzë dhe si anëtare të familjes, nuk ka shumë dallime. Kur nusja dhe vjehrra kuptohen shumë mirë, dalin, pinë kafe bashkë, nuk e kanë problem drekën e darkën, kur vjehrra e ndihmon nusen rreth fëmijëve e nusja ka konsideratë ndaj vjehrrës, nuk ka vend për mospajtime. Në këtë jetë moderne dhe të avancuar që po jetojmë, duhet ta ndihmojmë njëra-tjetrën”, dhe ky raport është ndërtuar në familjen e znj. Justinë, e cila këtë vit shënon 41-vjetorin e një martese të suksesshme.


© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
268

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version