Ti je ketu: Ballina > Intervista > Intervistë
Intervistë

E pret një periudhë mbrëmjesh muzikore, gjatë të cilave ajo kënaqet e feston bashkë me të ftuarit, pa e vrarë mendjen për paratë që do t`i fitojë. Pak pushim që mbetet do ta shijojë me bashkëshortin e saj, para familjes të së cilit, njësoj si para familjes së saj, zhvishet nga petku i këngëtares, qet çaj e kafe, gatuan e sillet si çdo njeri normal. Në këtë intervistë për revistën “Teuta”, këngëtarja, që s’ka nevojë për ekstravagancë, Yllka Kuqi, shpalos shumë të pathëna nga jeta e saj private.

Antigona Uka-Lutfiu
Foto Fadil Berisha


 

 

E angazhuar si këngëtare në dy dasma gjatë një fundjave, realizimi i intervistës me Yllka Kuqin në këtë periudhë ishte i pamundur. Në ditë të tilla, pa dyshim që duhet kompensim i orëve të humbura të gjumit, pas të cilave, këngëtarja me zërin e veçantë, bukurinë e rrallë dhe modestinë që e karakterizon, gjen kohë t`u përgjigjet pyetjeve tona.

Duke ju falënderuar për intervistën, fillimisht na lejoni t`ju urojmë suksese në klipin e ri, “Je dashnia”. Sa kanë rëndësi klikimet e klipeve për Yllkën? A janë ato dëshmi e suksesit të një kënge/klipi sot, apo matës i gabuar i famës së një këngëtari?
Faleminderit për urimet. Klikimet janë të rëndësishme pasi që youtube është një adresë që mund ta vizitojnë të gjithë dhe të shohin sa është i ndjekur e i pëlqyer një artist-këngëtar. Por klikimet nuk e tregojnë gjithë suksesin e këngës dhe pëlqyeshmërinë e artistit.
Tingëllon i çuditshëm fakti pse këngëtaret kosovare nuk realizojnë koncerte në Prishtinë. Nëse një shumice prej tyre u mungon vokali, kjo, për fat të mirë, nuk mund të thuhet për Ju. A mund të thoni pse nuk ju kemi parë me një koncert të madh në Prishtinë dhe nëse rastësisht keni në plan një të tillë?
Ky është një plan dhe dëshirë e hershme imja. Por, koncerti i madh nuk varet vetëm nga vokali, ka shumë më tepër se kaq. Ka shumë punë, shumë organizim, dedikim, kohë dhe, mbi të gjitha, ka kosto. Kërkohet edhe angazhim i shumë njerëzve të tjerë dhe përkrahje e madhe financiare. Po flas për koncert të madh dhe kualitativ. Pothuajse pjesën më të madhe të projekteve të mia i financoj vetë dhe kjo ka kosto, por për një koncert duhet investim i madh, gjë që vetë nuk mund ta mbuloj.

Zemërimi me Astritin nuk na zgjat shumë
Në tërë këto vite karrierë, keni dhënë shumë intervista për mediet e shkruara dhe elektronike, por gjithmonë jeni shfaqur e rezervuar për jetën private. Po kërkojmë me ngulm që këtë herë ta thyeni akullin dhe të na tregoni, p.sh., pse jeni grindur herën e fundit me Astritin?
Jetën private, që moti e kam bërë publike, p.sh., ju e njihni Astritin e dini kur jemi lidhur, që jemi të martuar etj., etj.. D.m.th., po ta kisha mbyllur, nuk do ta kishit ditur as këtë (qeshet). Grindjet i kemi për gjëra të vogla gjithmonë, pothuajse të parëndësishme, por thjesht çështje egosh, që na zbutet shpejt, fatmirësisht edhe pajtohemi shpejt, nuk na zgjat zemërimi shumë.
Sa ju ka ndihmuar profesioni prej psikologeje, që të menaxhoni situatat e vështira në jetën bashkëshortore dhe ato stresuese në karrierë?
Më së shumti. Në fakt, edhe përvoja në jetë me situata të ndryshme, të mira e jo të mira, më ka pjekur personalisht shumë dhe, bashkë me edukimin në psikologji, më kanë pasuruar, jo veç me dije, por edhe që të bashkëndiej më shumë me të tjerët, t’i arsyetoj e t`i kuptoj më shumë, rrjedhimisht të fal më shumë. Pjekuria më e madhe është të arrish të falësh.
A jeni ende duke e ushtruar profesionin e psikologes dhe nëse po, si, konkretisht?
Edukimin e kam, si në master ashtu edhe në specializim për psikologji klinike dhe psikoterapi, dhe jam e licencuar për punë të pavarur në këtë profesion, por aktualisht, nuk jam duke punuar, derisa të gjej një modalitet ku mund të jap angazhimin tim, por të mbaj edhe aktivitetet muzikore, edhe pse është e vështirë të bëhen dy karriera në të njëjtën kohë. Këtë gjë e kam bërë gjatë gjithë këtyre viteve dhe jam sforcuar shumë herë, ka qenë e lodhshme, por që ia ka vlejtur dhe nuk jam pishman.

E lus Zotin të më falë gabimet
Çfarë u thoni zakonisht njerëzve që kanë nevojë për fjalën tuaj?
Kur është çështja serioze, nuk flas vetëm sa për të thënë diçka. U them atë që duhet, por gjithmonë kam parasysh nëse fjala ime mund ta lëndojë tjetrin, prandaj kam kujdes që, së paku, me atë që them, të ndihet mirë, edhe nëse është kritikë ose këshillë a diç tjetër. E rëndësishme është të kemi konsideratë për ndjenjat e njerëzve, kur u themi ose veprojmë diçka kundrejt tyre. Këtë ia them edhe vetes dhe mundohem ta bëj.
Nëse do të krijohej mundësia që t’i bënit Zotit një pyetje, cila do të ishte ajo?

Këtë s’e kam menduar ndonjëherë, ndoshta pse përgjigjet mundohem gjithmonë t’i gjej vetë. Por, Zotin vetëm e kisha falënderuar për të gjitha të mirat që gëzoj dhe e kisha lutur të më falë gabimet që mund t’i kem bërë e i bëj, pa qellim për ta lënduar dikë e që rrjedhimisht dikush mund të jetë lënduar.
Cili është mësimi më i mirë që keni marrë gjatë jetës?
Ka plot. Kam gabuar plot herë, gjithmonë duke u nisur nga vetja dhe qëllimet e mira. Ne si njerëz jemi qenie shumë të mira, por rritemi ndryshe dhe kjo na bën të ndryshëm, ndonjëherë edhe të egër dhe me negativitet.
Mësimi më i mirë është, prano ndihmën e të tjerëve, por bazohu në forcat e tua më së shumti. 2) Jep sa më shumë dashuri e ndihmë, nëse do të marrësh kur të kesh nevojë. 3) Gabo një herë, por të dytin mos e bëj me të njëjtin njeri. Mund të më lëndojë një herë dikush qëllimisht, ndoshta e fal brenda vetes dhe përpiqem ta bëj, por nuk e lejoj të më lëndojë prapë. Kam mësuar shumë dhe vazhdoj të mësoj ende. Më duket është proces i pafund.
A e ndieni veten të privilegjuar?
Po, e ndiej. Më së shumti me pjekurinë personale, për të cilën fola, dhe me dashurinë që marr nga njerëzit e mi dhe nga fansat e publiku im.

Ndihem rehat me një hundë pak më të madhe
Në rrjetet sociale ka foto të ndryshme nga pushime e vizita që keni bërë, e shoqëruar nga Astriti, në vende të caktuara evropiane dhe në Amerikë. Pavarësisht nga qëllimi i udhëtimit, a ju ndodh që kur hyni në shtëpi, ta thoni me zë thënien e famshme “Home sweet home”?
Po, kjo ndodh gati çdoherë. Por, nuk jam e varur nga shtëpia, të dy jemi lehtë të adaptueshëm.
Po ku jeni duke jetuar aktualisht dhe çfarë duhet të ketë patjetër në ambientin tuaj familjar - lule, ndriçim, luks apo ambient të ngrohtë, në kuptimin e mobilimit të shtëpisë?
Aktualisht jetoj në Prishtinë më shumë dhe në Gjakovë pjesën tjetër, përveç punës dhe udhëtimeve gjithkah tjetër. Ambienti im patjetër duhet të ketë ngrohtësi, dritë, rehati.
Keni ironizuar me fenomenin e operacioneve plastike, i pranishëm posaçërisht te këngëtaret, duke pyetur në një foto të postuar në rrjete sociale, ‘nëse duhet të pres hundën apo të fryj buzët’? Pse jeni kundër ndërhyrjeve të tilla?
Vërtet? Mmm, ajo që kam shkruar ka qenë më shumë për humor sesa ironizim, bile hiç ironizim s’ka pasur. Çështja e ndërhyrjeve kirurgjike e botox-it është temë diskutimi në çdo tavolinë. Modifikimet bëhen kur, thjesht, nuk ndihesh mirë me atë që ke dhe do që ta ndryshosh, kjo është thjesht nevojë për t’u ndier më mirë dhe nëse ndërhyrjet ta mundësojnë këtë pse të mos i bësh. Nuk e gjykoj askënd që i bën. Sa më pëlqen mua për ta bërë vetë, është çështje tjetër. Unë i di mangësitë e mia dhe jam munduar t’i pranoj, kështu që, me një hundë pak më të madhe që e kam, ndihem rehat deri tash; në momentin që filloj ta kem kompleks, do ta ndryshoj, se mundësitë janë. Nëse do të fillojnë rrudhat e plakjes të më shfaqen, normalisht që do të doja të intervenoja. Por, nuk më pëlqejnë ndryshimet e mëdha që do të ngjasonin në një Yllkë tjetër, për të tjerat jam OK dhe mund t’i bëj ndërkohë. Në fund të fundit, secili dhe secila, si njerëz të rritur që jemi, kemi trupin, fytyrën dhe jetën tonë në përgjegjësinë tonë dhe mund të bëjmë atë që duam. Përgjegjësinë për të gjitha e mbajmë vetë, keq ose mirë.

Qes çaj, kafe, kur kam kohë edhe gatua­j
Yllka, mbase në çdo shoqëri, por sidomos në shoqërinë tonë, ndërhyrja në privatësinë e tjetrit është një nga veset, pothuajse më të këqija. Një çift, sapo martohet, pyetja më e shpeshtë që u bëhet është ‘a ka diçka të re?’, në kuptim të rritjes së numrit të familjes, domethënë sjelljes në jetë të një fëmije. A jeni lodhur nga kjo pyetje dhe si u përgjigjeni kureshtarëve të pandreqshëm?
Jam mësuar tashmë dhe nuk i jap shumë rëndësi. Ne jemi të mësuar kolektivisht të shikojmë nga e ardhmja dhe e tashmja na ikën pak; nuk fokusohemi tek ajo që kemi arritur tash dhe të kënaqemi e ta shijojmë atë që kemi, por gjithmonë shikojmë se çka kemi mangut, çka s’kemi. Këtë e shohim te vetja dhe te të tjerët e kërkojmë të njëjtën, çka s’ka Yllka, p.sh.?! Nëse shikon ashtu, gjithmonë ka nevojë për diçka shtesë, gjithmonë gjen mangësi, por, nëse mundohesh ta shijosh atë që ke, do të kënaqesh dhe e sheh sa të vlefshme e ke jetën, para syve të tu, veçse duhesh ta shikosh më afër dhe e vëren. Këtë gjë mundohem ta bëj në jetën time private, t’i vlerësoj e të kënaqem me ato që kam, pastaj karriera, normalisht, është me më shumë ambicie.
Çfarë raporte keni me familjen e Astritit? Para tyre, Yllka, a është nusja e traditave shqiptare, që u shërben kafe/çaj, i fton në dreka?
Edhe me familjen time, edhe me familjen e Astritit, sillem normalisht, nuk mund ta kesh të njëjtin rol gjithkund. S’mund të jem në shtëpinë time e me njerëzit e mi VIP, ata kanë nevojë për njeri normal, si gjithë tjerët. Thjesht, Yllkën e famshme nuk e marr me vete në shtëpi, jam normale. Qes çaj, kafe, gatuaj ndonjëherë, kur kam kohë. Modifikimet nga tradicionalja i bëj për shkak të kohës dhe kërkesës së jetës profesionale, angazhimeve, por jo pse jam e famshme. Famën e lë jashtë derës së shtëpisë.
Cila është marrëdhënia juaj me gatimin?
Më pëlqen shumë, për qejf kisha gatuar çdo ditë, por s’kam kohë, edhe pse përpiqem të paktën një shujtë ta ha në shtëpi dhe e bëj me shumë qejf.
Po ajo me gjumin?
Kam nevojë për më shumë gjumë për të funksionuar mirë. Jam mësuar edhe pa gjumë të funksionoj, por nuk mund ta bëj për një kohë më të gjatë. Normalisht, për shkak të natyrës së punës, netët janë më të gjata e paraditet më me shumë gjumë.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
269

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version