Ti je ketu: Ballina > Opinione > Mirupafshim Prishtinë!
Shkrim me shkas
Mirupafshim Prishtinë!
Prej kohësh e kam pritur takimin me Prishtinën, si një ëndërr apo zhgjëndërr. Ai ka qenë pjesë e pandarë e vetvetes. Ka gjëra që nuk shpjegohen asnjëherë, rrënjët i kanë në themelet e honeve të thella të shpirtit njerëzor, si në bazamentin e një ndërtese, që ngre katet një e nga një.

Eglantina Mandia, shkrimtare

Vite e vite të shkuara, u nisëm nga brigjet e liqenit të Shkodrës, një delegacion nga Lidhja e Shkrimtarëve; Dritëro Agolli, Shefqet Musarai, Zija Çela, Helena Kadare dhe unë. E kaloja për herë të parë në jetë kufirin me Malin e Zi.
Liqeni kishte atë ngjyrën e plumbtë, ngjyrën e fjetur të përgjumur të ujërave në fund të vjeshtës, kur nisin shirat. Shavarët e shelgjet përkulnin ballin. Zogjtë e vonuar iknin të trembur në shtegtime të largëta. E ne qëndronim në kufijtë e TOKËS, të lashtë përtej lashtësive.
Në anën tjetër të kufirit prisnin, Shkrimtari i njohur kosovar Nazmi Rahmani dhe poeti i ri Sabri Hamiti. Shiu na pengonte të shihnim fytyrat. Ai binte aq i dendur, si të donte ta bënte më të gjatë hapësirën e shkurtër, ku hidhnim hapat drejt njëri-tjetrit. Ishte e pamundur të fiksoje njeriun në atë rrjetë të dendur shiu. Fytyrat rrëshqisnin nëpër ujë si shtatore të ngujuara. Vetëm kur u afruam fare pranë, kur kaluam KUFIRIN dhe shtrënguam duart e njëri-tjetrit, mbushur me një ndjenjë plot dhimbje e dashuri të thellë vëllazërore, vetëm atëherë menduam se do të qemë edhe ne po aq të zbehtë, të lagur nga shiu e të malluar, të dy palët të sforcuar në buzëqeshjen tonë të ngrirë nga akujt e Jutbinës, mot stërmoti.
Ajkuna ishte dhimbja e madhe e ndrydhur në kullat e Jutbinës. Ajkuna ishte pritja e gjatë pa mbarim. Priste Mujin, priste të birin. Ajo e donte kreshnikun dhe kishte frikë për të birin. Diçka janë të afërta këto Ajkunat e Lugjeve të Verdha. E bora e madhe rëndonte ahet e çetinat për t’i thyer. Njeriu ngrinte në atë akullnajë. Ishte me të vërtetë dimër i madh, si dimri i Jutbinës i Shqipërisë e i botës. Kosova vlonte në luftë. Këto mendime më shoqëruan gjithë ditën deri në mbrëmje, kur befasoi Prishtina me formën e zgjatur në hapësirë, dhe reklamat e HOTEL GRAND PRISHTINA.
Këto po mendoja atë mëngjes (që, për çudi, kish të njëjtën datë, 27 tetor 2017), kur vraponim plot gëzim në një udhëtim privat me motrën time Edith dhe dy mbesat, Shqipe e Liri, në autobusin urban PRISHTINË-TIRANË.
Katër orë rrugë në autostradat tona moderne, pa kaluar fare male të larta të thepisura dhe kufij me pasaporta…
Kjo qe mrekullia vetë.
Prishtina me afër se Shkodra dikur!?

Më kish marre malli sa s’thuhet për miken time të shtrenjtë, Sanije Gashin, së cilës iu luta të na rezervonte dy dhoma në GRAND. Sanija me takt, si përherë, tha se nuk ish GRANDI si dikur. Unë nuk e harroja se reklamat vetëtitëse së largu të atij hoteli, ishin grishja e parë e Prishtinës, për ne të përtej largësive, ku na ndante vetëm një vijë e hollë kufiri, si të qenë telat me gjemba të një kampi të madh përqendrimi. Ishte dhimbje e jashtëzakonshme të copëtoje jetën e një Kombi në atë farë feje. Po ne të katërta ishim shumë të gëzuara që po shkonim në një ditë të bukur me diell, me urban, në Prishtinë. Prishtinasit e donin shumë diellin, apo gjeneralin e mirë diell, siç e quante motra ime, Edi. “Gjenerali” na qëndroi besnik i mirë, në ditët e Prishtinës. Na ngrohu shpirtin e zemrën. Prishtinën asnjëherë nuk mund ta shohësh të tërën, ngaqë ka konfiguracion kodrinor. Veçse Diellin e gjen kudo. Që nga Arbëria, Dardania, Kodra e Diellit. Sanije Gashi, Zonja e Madhe e Kulturës Shqiptare, ishte edhe ndryshimi më i bukur, i atij takimi të përmalluar. Kultura unifikon.
Rrugët shkurtojnë distancat, që të mos ketë më ndarje me lot në sy. Koha ka punuar për ne, që pamë tmerret e luftës gjenocide dhe mbijetesën e pavdekësisë, të një shpirti më të thellë se oqeanet e detet, ku morën njerëzia arratinë nga sytë këmbët. Takimi u bë në hotel grand Prishtina. Sanija erdhi së bashku me vajzat e saj, Rina e Nera, vajza të thjeshta, plot finesë, mençuri e hijeshi. Dy BUKURI TË RRALLA. Vajza sa moderne aq edhe tradicionale, bashkëpunëtore e botuese të Revistës më cilësore në Ballkan, “TEUTA”. Çdo prind do të ishte krenar, po edhe miq të vërtetë, përjetësisht, do ta mbanin ballin lart. Motra e mbesat e mia u miqësuan menjëherë dhe e ndien veten si në shtëpinë e tyre. Prishtina i rrëmbeu në krahët e saj të butë gjithë dhembshuri. E ne dolëm nëpër rrugë, si të qemë takuar prej vitesh. Asnjëra nuk po e besonte se në orën 7 të mëngjesit të asaj dite ishim në stacionin urban të autobusit Tiranë-Prishtinë, e në orën 2 po hynim në shëtitoren e Prishtinës. E bukur është Prishtina, sidomos në mesnatë, veçanërisht kur lulëzon bliri. Po edhe të dielave, herët, kur nuk ka qarkullim, kur mund të bësh një shëtitje për qejfin tënd, mbushur me imazhe dielli e zëra fëmijësh të gëzuar e çamarroke është ajo shëtitore - ai shesh rrethuar me restorante, prindër të rinj të kujdesshëm prapa makinave lodra, sheqerxhinjve, gështenjapjekësve, akulloreve e librarive. Në Prishtinë lexohet e blihen librat, veçanërisht ata që tregojnë të vërtetën lakuriqe të jetës. Shiten edhe librat e Sanijes, në dy gjuhët, shqip dhe anglisht. “Histori të tmerrit, 1998-1999, Dosje krimesh të luftës, rrëfime të grave”, dhe “MONOGRAFI UNIKE – PRISHTINA”. Për këta libra Sanija mori titullin e lartë, Zonja e Madhe e Kulturës Shqiptare, për të cilin as që ka dëshirë të flasë.
Ajo beson si çdo krijues serioz, që libri e bën rrugën vet, jeton krejtësisht i pavarur nga autori. Rrugëtimi ynë vijoi edhe të nesërmen. Dielli nuk na u nda për asnjë çast. Që nga Memoriali i Heroinave, Universiteti, Biblioteka, ku dhuruam edhe ne, ardhacaket, ca libra. Nuk e dinim dhe as e merrnim me mend, kur bëmë ca foto tek Memoriali i Heroinave, që Sanija ish bërë një zë i fuqishëm i atyre që heshtnin, ajo pati ngritur zërin për një shtatore (një pllakë përkujtimore në shenjë nderimi për gratë e përvuajtura, që përjetuan Luftën 1998-99.) Të paktën një herë në vit, të përkulemi para dhimbjes së GRUAS, për t’i dhënë një fllad shpirtit të lënduar, me pak imazhe dielli!

Edhe ne u larguam nga Prishtina, mbushur shpirtin me imazhe dielli, falur miqësisht nga Prishtina. Kjo qe edhe: “LAMTUMIRA PA LAMTUMIRË”. MIRUPAFSHIM, PRISHTINË!

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
267

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version