Ti je ketu: Ballina > Opinione > Lavdërimet e tepruara në rrjetet sociale
Lavdërimet e tepruara në rrjetet sociale
Unë nuk po u besoja veshëve, edhe pse gruaja që fliste nga ana tjetër e ekranit ishte për t’u besuar: e kuruar deri në detaje, e zgjedhur në fjalët që përdorte dhe, natyrisht, e shëtitur sa nuk ka.

Albana Beqiri

Me një fjalë, kishte parë botë me sy! Ishte drejtuese e një agjencie turistike nga Tirana, e ftuar në panelin e një emisioni të njohur të një televizioni po aq të njohur, për të diskutuar për trendët e turizmit në Shqipëri. Ndërsa biseda stërzgjatej si zakonisht me bashkëbisedues që i ndërhynin njëri- tjetrit pa pardon (megjithatë, jo në mënyrë aq agresive sa në emisionet politike), gruaja në fjalë filloi të tregonte se cilat ishin tendencat e shqiptarëve për turizëm, domethënë vendet ku shkonin, plazhet që zgjidhnin etj., etj. Po e dëgjoja pa ndonjë vëmendje të posaçme, thjesht për forcë zakoni, kur ajo, duke qeshur, tha: pjesa dërrmuese e njerëzve që zgjedhin destinacione, t’i quajmë, ekzotike për ne, e bëjnë këtë për hatër të fëmijëve. Po, po, për hatër të fëmijëve -, përsëriti ajo për të satën herë. Ka prindër, e ata nuk janë pak - që vijnë në agjenci dhe kërkojnë paketa për destinacione të largëta e të panjohura, jo se duan e është zgjedhja e tyre, por vetëm e vetëm se fëmijët ua kërkojnë. Dhe këtë, sa për të bërë foto për instagram... Unë nuk u besoja veshëve, habi shprehën edhe panelistët e emisionit, por gruaja që drejtonte agjencinë turistike ishte aq bindëse në atë që thoshte.
Natyrisht që bëhej fjalë për njerëz, të cilëve ua mbante xhepi të bënin pushime të tilla, jashtë Shqipërisë dhe në destinacione pasanikësh, e që në të vërtetë nuk ishin pasqyrë e realitetit shqiptar. E, megjithatë, e kisha gati të pamundur ta konceptoja një gjë të tillë! Nuk mund të besoja se kishte prindër të tillë, marrëzia e të cilëve mbërrinte deri aty, sa pushimet t’i zgjidhnin në bazë të nevojës së fëmijëve të tyre për të shkrepur një foto në vendet turistike më trendi e me të cilat do t’u mburreshin shokëve në instagram... Nuk doja ta besoja që snobizmi mund të mbërrinte deri në këtë pikë.

Kjo ka ndodhur disa vjet më parë. Më habiti atëherë, vazhdon të më habisë edhe sot, kur e di se rrjetet sociale janë pashmangshmërisht pjesë e realitetit që na rrethon: mbivendosje ose dyzim i tij dhe ekspozimi në to, më tepër se gjithçka tjetër është një nevojë e brendshme e njeriut për t’i dëshmuar vetvetes se është pikërisht ai njeriu i suksesshëm që u dëshmohet të tjerëve përmes postimeve ne rrjetet sociale.
Një lundrim, qoftë edhe sipërfaqësor, në rrjetet sociale e dëshmon këtë. Facebook-u, Instagrami e të tjera rrjete sociale janë të mbushura me profile adoleshentësh e të rinjsh (kryesisht vajza) që të bombardojnë me foto të pambarimta, që, po t’i shohësh me kujdes, një e nga një (edhe pse do të duhej koha e gjithë botës për ta bërë këtë), ngjajnë me ditarë fotografikë: një foto për mirëmëngjesi nga shtrati, pastaj një foto duke larë dhëmbët, pastaj një tjetër me një mëngjes të bollshëm përpara, pastaj një tjetër foto nga kafja, një tjetër nga rruga, një tjetër akoma nga dreka me peshq e karkaleca, foto me mace e me qen, foto nga gym-i, foto nga restoranti, foto me shoqen e ngushtë, foto që tregon linjat (sipas modelit kardashian e foto të këtilla janë disa gjatë gjithë ditës), foto me një gotë pijeje përpara, foto me adidaset e reja, me Lui vuitttonin e sapoblerë (në pjesën dërrmuese imitim i pashije kinez), foto me atë e me këtë e në fund, për mbyllje, sërish një foto për gjumë të mirë po nga shtrati, mundësisht me ndonjë pjesë të trupit të zbuluar si rastësisht. Ky lloj aktrimi i një jete pa brenga e luksoze (falë teknologjisë dhe një telefoni celular, gjithçka tanimë është e mundur, qoftë edhe të bësh check in nga secili cep i globit, kur ndërkohë je e shtrirë në shtratin e dhomës tënde), vazhdon të mbetet çudia më e madhe për mua. Një habi vërtet filozofike!...
Ndërkaq, mania e adoleshentëve ose të rinjve pas rrjeteve sociale dhe ekspozimit të jetës së tyre deri në detaje shumë intime, duket gati e pafajshme në krahasim me maninë e disa kategorive të tjera të përdoruesve fanatikë të rrjeteve sociale. Nuk janë as adoleshentë e as të rinj: janë burra e gra, nëna dhe baballarë të këtyre
adoleshentëve, që duket sikur garojnë me fëmijët e tyre në këtë furi virtuale. Pa kujdesin minimal për mesazhin dhe shembullin që u përçojnë fëmijëve të tyre, ndërtojnë një jetë të rrejshme virtuale, përmes së cilës duan t’i ikin realitetit. Për shembull, fqinja ime është shumë aktive në Facebook: jeta që ajo ekspozon në murin e saj është jetë përrallash, do ta kishte zili edhe secila princeshë në botë. Ndërkaq, unë, shumë të tjerë të njohur, familjarë ose miq të saj, por edhe ajo vetë, e dinë fare mirë se jeta e saj e vërtetë është skëterrë në krahasim me jetën virtuale që ajo ekspozon pa pikë droje a marreje. Jo më larg se para disa ditësh u grind aq shumë me bashkëshortin, sa u hynë në mes fqinjët për t’i ndarë. Por sikur të mos kishte ndodhur kurrgjë nga këto, sikur askush të mos i kishte parë ose dëgjuar, në mbrëmje ajo postoi një përkushtim dashurie të zjarrtë për bashkëshortin, shoqëruar me një fotografi në çift, diku në një restorant peshku... E njëjta fqinjë, më kërkoi një ditë të intervenoja te filan profesor universiteti, pasi, si detektive e Facebook-ut, e kishte parë që unë e kisha mik në FB... Nuk ishte punë ta bindja që tipin në fjalë e kisha thjesht mik virtual, që nuk di as vetë nga dhe pse kishte hyrë në listën e miqve të FB-së... Një tjetër fqinjë m`u zemërua dhe nuk më përshëndeste as në shkallë tek shkëmbeheshim, pasi kisha bërë gabimin e pafalshëm: nuk e kisha uruar në FB për ditëlindjen e djalit!... Marrëdhëniet me të i normalizova vetëm atëherë kur vura mend e nuk e përsërita më gabimin. Tash jam aq e kujdesshme sa të gjithë miqve realë, të cilët i kam edhe miq virtualë, ua uroj ditëlindjet e tyre, të bashkëshortëve, të fëmijëve, prindërve, motrave e vëllezërve, ua uroj përvjetorët e martesave, suksesin e lartë të fëmijëve (e keni parasysh atë sezonin e fundvitit shkollor kur FB- ja mbushet me dëftesa 6-7-8-vjeçarësh me sukses të shkëlqyeshëm?!...), u bëj like postimeve të tyre idiote, veçmas kur publikojnë thënie nga filan filozofi botëror, ua uroj fejesat, martesat e nipërve dhe mbesave, synetitë, daljen nga spitali të ndonjë daje a xhaxhai, e sidomos jam shumë e kujdesshme për ngushëllimet në rastet e vdekjeve. Aq shumë kam uruar dhe ngushëlluar virtualisht, sa do të më kishte shkuar gjysma e jetës sikur këto qoka t’i kisha bërë fizikisht...
Kaq me tepri, dashni, lumturi, begati, luks e sukses ka gjithandej në FB, sa shpesh më vjen keq për veten sa e varfër jam në këtë drejtim. Nuk kam bërë martesë klasike, ndaj nuk kam një datë përvjetori martese; nuk kam fëmijë, ndaj nuk kam kujt t’ia shpreh dashurinë pa kushte në FB, nuk kam një dëftesë me 5, që ta publikoj në FB për të dëshmuar suksesin e fëmijës gjeni, bashkëshorti im nuk ka FB, që t’ia bëj tag ndonjë urim për ditëlindjen e tij, ku do t’i shpreh dashurinë e përjetshme, nuk di të bëj selfie për t’i treguar tërë dynjasë dashurinë tjetër të përjetshme; atë për vetveten, nuk jam aq e pasur sa t’i kaloj fundjavat nëpër botë, as aq snobe sa të jetoj për të tjerët, as aq e pafytyrë që të ekspozoj foto ushqimesh e pijesh të shtrenjta nga vakti në vakt... Kur e shoh listën e gjithë këtyre mungesave të mia virtuale, filloj e dyshoj nëse do të ma falë Facebook-u dhe gjithë mileti virtual mëkatin e të mos pasurit përvjetorë, përkushtime dashurie, përkushtime ose krenari mëmësie...

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
274

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version