Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Gjethet e vjeshtës
Meditim kohe
Gjethet e vjeshtës

Shkruan Antigona Qena


Fundgushti gjithherë më zgjon një ndjenjë plogështie e pikëllimi, ngase vera po mbaron e me të edhe ditët e ngrohta. Ato ditë, të lara me diell, sado përcëlluese që ishin, na joshnin me lehtësinë e të jetuarit këndshëm, pa kërkesa të mëdha, të bindur se çdo gjë e bukur e magjike mund edhe të ndodhë, nga Qershori deri në Gusht. Mirëpo, gjethet e shtatorit, si përshëndetjet lamtumirëse të verës, të zverdhura, me vallëzimin e fundit fluturues, dinë të na zgjojnë nga kotësia e ëmbël në realitetin tonë.

Mendimet mund të jenë armiku ynë më i madh, të zgjuara nga një shikim, nga një fjalë, nga një veprim, nga një ndodhi, që kujton se e ke harruar, por ja që, krejtësisht papritur, kthehet e të turbullon mendjen, lukthin e shpirtin. Dhe, unë nuk e di saktësisht ç’ishte ajo që më ktheu në kohë, për t’m’i trazuar sërish kujtimet. Ishte, vallë, dëshpërimi në sytë e një aktoreje, ishte një lloj shkrimi i një aktori të vjetër, apo një monografi e një kompozitori (që sapo doli nga shtypi), apo ndoshta tingujt dhe vargu i këngës "Autumn leaves" (Gjethet e vjeshtës), kompozuar më 1947 nga Josef Kosma dhe kënduar edhe nga Nexhi ynë, në shqip:

"Dikur na dy, të g`zushëm ishim, dikur për ne maji lulëzoi,
të përqafuem kem pas shëtitë, me përshpëritje të zemrave tona,
mirëpo zverdhun ashtë porsi gjethi, që po bjen tash, prej degësh gjithkund
dhe e tanë dashnia ashtë nji andërr që zemrën e ftoftë po ma nxenë"

Sido që të jetë, diçka më shtyu përsëri të jem klithje e një kujtese të harruar, m’u kujtua koha, kur u ktheva nga Osloja në Prishtinë, menjëherë pas luftës, sado që gjithë kohën e lidhur isha me ngjarjet e situatën, përmes punës sime, si korrespondente për redaksinë tonë të mbetur informative, nga Radio Televizioni i Prishtinës, e pashë që ai jaz 10-vjeçar i territ informativ, kishte krijuar një gjeneratë krejtësisht të paditur për gjithë krijimtarinë e dikurshme të krijuesve kosovarë. Njerëzit, që dikur kishin vënë themelet në lëmenj të ndryshëm të kulturës sonë, po edhe në lëmenj të tjerë krijues, kishin mbetur të mjerë e të nënçmuar. Provoja të gjeja mënyra që t`ia prezantoja kësaj gjenerate, të përzgjedhurve në kolltukët e institucioneve përkatëse, krijuesit tanë dhe dëshpërimin e tyre, ngase ishte kohë kur kultura e arti, po edhe sporti e arsimi, kishin humbur vlerë dhe, me injorancë, njerëzit, krijuesit, krijimet e gjithë asaj kohe të paraluftës, konsideroheshin se i përkisnin një regjimi shumë të urryer, prandaj do të duheshin harruar, do të duheshin fshirë e do të duhej shkatërruar e tërë ajo krijimtari, sado që ishte pronë e historisë dhe e kulturës së këtij vendi dhe e krijuesve tanë, që, në gjuhën e bukur shqipe, ishte krijuar në kohë të vështira, me një rebelizëm të madh, për të dëshmuar vlerën e aftësinë, gjithnjë frymëzuar nga historia e nga trashëgimia jonë kulturore.

I prezantova në emisione televizive e në shkrimet e mia mbi 87 krijues të dikurshëm, sado që në këtë shtegtim hulumtues, kishte disa krijues të dikurshëm, që, kur i ftoja në emision, të dëshpëruar e të mbyllur në vete nga neglizhenca e kohës, më refuzonin, duke më thënë se s`kanë çka e kujt t’i flasin për veten. Njëri nga aktorët e shquar, që, megjithatë, pranoi të ishte në emision, në fund të intervistës më tha: "Ta zymtësova emisionin, ta zymtësova, por s’kam çka të bëj, e tillë është situata në kulturën tonë".
Sidoqoftë, unë me kokëfortësi doja të kujtoja e të dëshmoja se kemi pasur qytetërim; teatër, aktorë e regjisorë, muzikë, këngëtarë e kompozitorë, se kemi pasur shkrimtarë, Universitet e mendje të ndritura, se kemi pasur mjete të shkruara të informimit, gazetarë e krijues të tjerë, se kemi pasur Radio e Televizion, në nivelin e barabartë me të gjitha qendrat e tjera televizive në atë Jugosllavinë e atëhershme, me drama e filma televizivë, të shpërblyera me çmimet më të larta, në festivale më prestigjioze, se kemi pasur...
Dhe, nuk mundem e nuk bën të pajtohem vetëm me kaq, duhen palosur gjithë këto rrëfime e dëshmi të kësaj gjenerate frymëzuese në një libër. Kjo mund edhe të bëhet, pse jo, dhe këtë do ta bëj. Përsëri në dyluftim me mendimet, gjeta qetësinë e rrejshme.
Jam e bindur se për secilin nga krijuesit tanë, që ende frymon në këtë hapësirë e në këtë kohë, në çastin kur të ndahen nga kjo botë, do të shkruhet e do të gjendet një minutë respekti, nga krerët e institucioneve... Eh, ajo minutë kishte bërë aq shumë, po të shfrytëzohej tash, sa janë ende në mesin tonë.
Po jap vetëm një shembull, se si veproi një ministre e kulturës.

Kur në vitin 1990 ministre e kulturës në Norvegji - Oslo, u zgjodh muzikantja e çmuar, Åse Kleveland, që në ditën e parë të detyrës, i ftoi të gjithë, absolutisht të gjithë krijuesit e gjeneratës së vjetër, nga të gjithë lëmenjtë e kulturës e të sportit, i ftoi për bisedë e për një kafe me ta, duke u thënë se - në këtë pozitë ka ardhur vetëm për ta përmirësuar gjendjen e artit, të kulturës e të sportit dhe se pa këshillat e tyre, që kanë lënë vulë e kanë trasuar rrugë për gjeneratat e reja, nuk mundet e nuk di ta bëjë këtë, duke i falënderuar për gjithë rrugëtimin e tyre krijues, dashurinë ndaj vendit, në të cilin besnikërisht qëndruan e krijuan, sado që patën mundësi që talentin e tyre ta jetësonin në vende të tjera. I luti Ministrja që ta ndihmonin me këshilla, me informata ndër më të ndryshmet, për dëshirat e hallet e tyre, për njerëzit, për krijimet e për historinë, që të mund ta ruanin së bashku dinjitetin, që të mund t`u jepte respektin e duhur ky vend, e të mos ndiheshin të harruar për asnjë çast dhe se dera e Ministres do të ishte e hapur përherë, në çdo çast, për ta (Sado që krijuesit në Norvegji kanë respektin e pensionin e merituar, nuk harrohen dhe angazhohen vazhdimisht).

E kam të qartë se askush nuk e ka shkopin magjik, por secili aty, në rrethin më të ngushtë, mund të bëjë ndryshime e mrekulli, ashtu siç bëjnë talentet tona me forca vetjake.
Prandaj, megjithatë, siç ka thënë aktori Robin Williams - "Pa marrë parasysh se çka ju thonë njerëzit, besoni se fjalët dhe idetë mund ta ndryshojnë botën."
Dhe, unë jam e prirur ende të besoj se realitetin e hidhur mund ta zbukurojë edhe një dorë e zgjatur respekti, një përjetësim në fletët e librit, ndonjë buqetë lulesh, bashkë me gjethet e vjeshtës, sa janë ende të pavyshkura.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Lexuar 2179 herë.
#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version