Ti je ketu: Ballina > Opinione > Nga këndi im
Nga këndi im

O, i mjeri unë, që të kam kushërirë

"Ç`e ke këtë?" Shtangu pasi e lexoi kushëriri i largët nga mamaja. "A më kërkove CV?" `Pse, kështu do të fillosh punë ti?`

Miranda Haxhia

Curriculum vitae: Emri - Miranda, por për kushërinjtë, Lali, për shoqet e ngushta, Mira. Kam ngrënë shegë nga ato te babai i Vanes dhe te xhaxhai Simit, kur isha e vogël.
Kam bërë hartimet e shokëve të klasës, gjithmonë. U dashurova me një çun klase në gjimnaz, por nuk ma vari kurrë. Kur dola për herë të parë me Maksin në xhiro, për pak më humbi varësja 8-qindëshe me gur, që ma dha borxh Ilda Gjika, një mësuese nga Berati, por që e gjeta rastësisht, varur mes reçipetave të këputura.
Shofer në dasmën time dhe ai që na solli nga materniteti i Elbasanit me gjithë Marselin 2.5 kg, ishte i njëjti dhe i vetmi taksixhi i Lushnjes, Saliu i famshëm, që e njohin të gjithë lushnjarët. Kur isha mësuese, i kam nxjerrë njëherë nxënësit e kl. V jashtë pa leje, që të luanin me dëborën dhe që ta njihnin si fenomen të rrallë. Mora vërejtje nga drejtori që kishte inatin se i kishte vdekur gruaja. Kam ëndërruar të iki me anijet, por mezi erdha deri në Tiranë. Kur më zinte migrena në shkollë, dilja te muri i shkollës, nxirrja vrer jeshil dhe kthehesha përsëri në klasë për mësim. Nuk mungoja kurrë.
Kur me propozoi Bardh Rustemi, ish dr. i drejtorisë Arsimore në Lushnje, qe të bëhesha drejtore shkolle, mbaj mend që i kam thënë: "Kur më fejuan, thashë `PO` pa e kuptuar mirë se ç`vlerë kishte. Ngaqë jetoj me vjehërr, kam frikë se i kam humbur ndjesitë e menaxhimit, apo të drejtimit. Por, po them `PO` sa pa na sjellë ndonjë drejtor burrë, siç zakonisht ndodh dhe nuk na kupton kurrë ne grave, kur vijmë në punë me sy të ënjtur.`
Herën e parë që kam parë Tiranën, isha me Gonin, që kishte veshur shoshonet e reja të mamasë; bleva petulla dhe ia çova mamasë sime dhe hallë Dekos që t`i provonin.
Në Tiranë u jam mirënjohëse njerëzve të mirë, që më kanë ndihmuar të gjej veten e të ushtroj një profesion që më kishte ngecur në sepet, qysh kur isha 18 vjeç, të shkruaja e të bëja gazetaren. Tani, as në Shqipëri nuk e duan, por shyqyr, seç është një italian e një prej Kosove që m’i duan ende shkrimet. Bereqatversën, do të thoshte gjyshja ime, po të ishte gjallë. Kam tri fustane, dy kostume, një pallto dhe dy palë këpucë, një motër, një vëlla dhe dy kalamaj. Bëj ndonjëherë sherr me Maksin, por jo për xhelozi. Thjesht, nuk po biem dakord për dyshekun dormeo. Ia vlen ta blejmë, apo jo? Ah, kam blerë edhe atlete Rebook. (Ai ishte sikleti, se te Gabi, hiqem si garipe unë, por në dyqan firme... ngec e skuqem nga turpi. Se nuk më besojnë që i kam paret për ato çmime.)
Në dasmën e Nimetes, kushërirës, qe rasti i fundit që kam qëruar patate, pastaj më morën për të rregulluar pjatat, meqë kisha dorë në qëndisje. Se, më vonë, dasmat u bënë në restorant. E aftë në marrëdhënie ndërpersonale, punë me grup, se kur mblidhemi me gratë e lagjes, i dëgjoj me respekt e dashuri recetat e tyre. Përdor shumë mirë kompjuterin, facebook-un, kam disa faqe të preferuara interneti; byrekët dhe pitet e së shtunës i qaj, vdes për filma të vjetër. Sa herë shkoj në fshat, shkoj në varreza. Dhe kur kthehem te mamaja, ajo më gatuan makarona me zog fshati. Lexoj shumë e fle pak. Natën nuk shoh ëndrra se më griu fejsbuku. Popull i madh aty. Ca të vërtetë e sa të rremë. Si në ëndërr.
P.S: Kërkoj të punoj mësuese në sistemin arsimor shqiptar.
Një pyetje: Po të kesh 22 vjet në mësimdhënie, ke nevojë për testime?
Pres përgjigje për punë.
Ashtu si është tipi i CV-së, ku nuk kam çuar. Dhe hiç. As konkursin për mësues nuk e kam fituar dot."
"O, i mjeri unë, që të kam kushërirë ty!!!`
`O Berti, mos më shit dokrra mua, se po të ulesh e të më shkruash CV-në tënde, do të dalësh me gjysmë shkolle e gjysmë surrat partie. Sa herë të them për punë, më gënjen, më thua më jep një CV. Aty asgjë nuk është gënjeshtër.` Ja, më thuaj ti, zj. Ministre, meqë i njeh shumë mirë mësuesit e shkolluar në shtet, thjesht, ngaqë dallojnë prej diplomës së tipit UFO, e që e njeh personalisht: - kujt i beson, CV-ve që lodhen si ta mbushin mësuesit që duan dhjete vjet të bëhen mësues, apo kësaj CV+22 vjet punë derrçe në arsim.
 

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
269

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version