Ti je ketu: Ballina > Opinione > Mirëmëngjesi PARIS
Udhëshkrim
Mirëmëngjesi PARIS
Për ta shënuar një përvjetor të rëndësishëm, si dhuratë ma bënë më të dashurit e mi - udhëtimin pesëditësh në Paris, ndërsa më e bukura e gjithë kësaj ishte se, ishim së bashku në këtë udhëtim. Nuk munda e të mos e ndaja me lexueset e TEUTËS këtë përjetim të rrallë, thuaja përrallor.

Shkruan Antigona Qena Kaçaniku

Të gjendesh në Paris pak para se të fillojë pranvera, aq sa është bukur, aq është edhe emocionuese. Kur mendon se kjo bukuri magjepsëse ka mundësi të jetë akoma më e bukur, atëherë të pushton një ndjenjë plogështie e dhimbshme. Pavarësisht asaj që ndien e përjeton, përsëri mbetesh e pangopur, sepse ajo më e mira do të vijë, e ti nuk do të jesh aty.
Rrugëtimi për ta takuar Mona Lizën, dëshirë e kamotshme, shumë para se të studioja pikturën e historinë e artit, filloi të bëhej realitet. Qysh nga çasti kur shkela në gurët e shtruar të lagjes Opera të Parisit, ndjeva gjithë barrën e një së kaluare, aq të pasur, me ndodhi të jashtëzakonshme, me njerëz të mrekullueshëm, që frymonin e i jepnin vulë këtij qyteti.
Që të mund ta shohësh e njohësh Parisin për aq pak ditë sa kishim, të duhet një energji maratonisti në mënyrë që të vraposh nga një mrekulli tek tjetra për ta parë, ndier dhe prekur vetëm për një çast, që do të mbetet i vulosur përgjithmonë në kujtesë.
Dhe kudo që të shkosh nëpër Paris, do të pushtohesh nga kultura e arti, bile edhe nga kafenetë e vogla e të panumërta, që do t’ju japin një ndjenjë magjie se këtu frymonin artistët e mëdhenj.
Dhe mëngjesi në Paris fillon në kafene me café au lait dhe crousant, kështu hyhet në frymën e shijen parisiene.
Fillojmë nga simboli më specifik i Parisit, Kulla e Ajfelit, që mban emrin e arkitektit të saj Gustave Eiffel dhe e cila gjatë ndërtimit të saj, më 1889, me rastin e një ekspozite universale për të shënuar 100-vjetorin e revolucionit të Francës, u ndërtua për dy muaj, nga 18038 pjesë çeliku, të rënda mbi 7300 tonë, atëbotë e konsideruar nga njerëzit më eminentë si gjëja më e shëmtuar, që vetëm prish bukurinë e qytetit, por shpëtohet nga shembja, vetëm ngase kishte shërbyer jashtëzakonisht mirë si antenë meteorologjike dhe radio televizive, kritikat e vazhdueshme dhe apelet e peticionet, për ta larguar nga aty, me vite u zbehën dhe Kulla e Ajfelit u bë simboli më karakteristik i Parisit. Për të hipur deri në majë të saj, ju duhet të pritni në rend për bileta e pastaj edhe për të hipur në disa ashensorë, por këto mundime do t’i harroni sapo të shihni pamjen mahnitëse që shtrihet para jush - qyteti përrallor dhe ti ke një ndjenjë se e mbisundon hapësirën, si një zog nga lart, për ta sfiduar mendjen e shëndoshë e gravitacionin. Thonë se deri më sot Kullën e Ajfelit e kanë vizituar mbi 230 milionë vizitorë. Parisi, qytetet i artit dhe i modës, me meritë mban epitetin si qyteti më romantik nga të gjitha qytetet e botës, prandaj nuk është aq i pakapshëm fakti se këtë qytet të dashurisë, në vit e vizitojnë mbi 22 milionë vizitorë.

Në Boulvard Des Chanselise
Si më i shtrenjti në botë, në çdo anë të këtij bulevardi të madh, keni dyqanet e firmave më të njohura botërore nga Louis Vuitton, Prada e deri tek Mercedes benz, të parfumeve e gurëve të çmuar, prandaj edhe vetëm soditja në vitrina është një përjetim i posaçëm.
Në bregun Monmarter, të njohur si bregu i martirëve, ku dikur jetonin artistët e mëdhenj, si: Monet, Renoir e Picasso, prej nga shtrihet pamja më e bukur e Parisit, aty qëndron me mburrje kisha Sacré-Coeur, zemra e shenjtë, nga viti 1877, e konsideruar shumë kohë si shembull i shëmtisë, përderisa në shekullin XIX, kur ndërrohen pikëpamjet e artit, ajo merr vendin e merituar në trashëgiminë kulturore të Parisit, ashtu si edhe katedralja Notre Dam, që me siguri do t’ju lërë të magjepsur, e të cilën, nga shkatërrimi e shpëtoi shkrimtari Victor Hugo, i cili atëbotë i mblodhi njerëzit më me nam, që të kontribuonte në renovimin saj, për të qenë sot e kësaj dite qendër prej nga fillon e gjithë historia dhe ndërtimi i Parisit. Dhe, nga bregu Montmartre lëshoheni në rrugicën me sharm të posaçëm ngase është përplot me piktorë, që i krijojnë veprat aty, në mes të rrugës dhe në afërsi veni tek sheshi i Pigallit me kabaretë e shumta, që si më e njohura nga ta njihet - Moulin Rouge, me lojtaret e njohura - can can. Mënyra më e shpejtë dhe me e lirë që të udhëtoni nga lagjja në lagje nëpër Paris, është metroja e njohur e Parisit, si shumë funksionale dhe e shpejtë, që në çdo 4 minuta vjen treni nëntokësor.

Në Muzeun më të famshëm në botë - Musee Du Louvre
Këtë muze e vizitojnë në vit 8 milionë vizitorë. Në të hyhet përmes piramidës së qelqit, tashmë të bërë gjithashtu, një simbol me vlerë i qytetit, pra këtu në këtë ndërtesë banon e jeton, përjetësisht, Mona Liza, së bashku me thesarin më me vlerë të artit, nga i gjithë rruzulli tokësor. Ngutem në takim, nëpër korridoret e Luvrit, nuk më ndalë asnjë pikturë, që me mburrje qëndrojnë të varura në këtë tempull arti, jam e vonuar aq shumë, aq shumë vite, aq shumë pritje, dua ta takoj, dua...
Dhe takimi ndodhi: ja, qëndroj para saj, sado e rrethuar dhe e burgosur qe është, me xhamin e hekurt, ajo është aty, e shkrirë e tëra me dorën e gjeniut, Leonardo da Vinci, të ardhur, enkas për të në këtë botë ngase si mund të përshkruhet, që pas 5 shekujsh qëndron aq e freskët, si në çastin kur piktori ngjeu brushën dhe e bëri lëvizjen e fundit, duke mos u ndarë as për një çast nga ajo, edhe për 16 vjet, në rrugëtimin e tij jetësor deri në largimin për në amshim, duke i lënë botës të shijojë veprat madhështore, ende as sot krejtësisht të shpjeguara, por mbi të gjitha më misteriozen, gjithnjë sfiduesen e të paarritshmen - Mona Lizën.
Para saj qëndrojnë të magjepsur miliona vizitorë, buzëqeshja e saj është hyjnore, më lë pa frymë ky çast, kjo ndjenjë.
Dhe, duke shijuar art e kulturë në çdo hap, nuk mund e të mos kërkoj thelbin e asaj që quhet art. Ç`është arti? A janë flatrat e imagjinatës, që na shpijnë në arsyen e krijimit të gjithësisë, apo është fashë shëruese e shpirtit, ushqim i substancës mendore, një aftësi hyjnore, të cilën askush nuk guxon e nuk mundet të na e ndalojë, as së krijuari e as së shijuari.
Gjithsesi, duhet të shihni edhe qendrën e Georges Pompidou-së, një ndërtesë e paparë arkitektonike, arkitektët Renzo Piano nga Italia dhe Richard Rogers nga Anglia, bënë një konstruksion që bëri kthim në arkitekturën moderne.
Janë shumë e shumë vende të tjera, që janë të panumërta në Paris e që ju duhet, vërtet, një qëndrim i gjatë në të, që t’i shihni e shijoni të gjitha.

Të përjetosh Parisin, me njerëz që i ke të afërt të zemrës, është një kënaqësi e posaçme, mund të mahnitesh, të lumturohesh, të impresionohesh dhe nga lodhja të ulesh e të çlodhesh me ta, në njërën nga kafenetë e shumta, aq romantike, duke kuptuar se lumturia është aq e thjeshtë dhe aq e kapshme, por askund dhe asnjëherë e përsëritshme, si në po atë çast, në të cilin je dhe i cili ja, po shkrihet me tiktakun e orës...
Në Paris çdo gjë është e bukur mbresëlënëse, aq shumë histori, aq shumë pasuri në një thes magjistari, por asgjë s`do të mund ta përsërisë ndenjën e të privilegjuarit, si takimi me Mona Lizën.
Do t’i kthehem vendlindjes, me ndjenja të përziera, bukurie, kënaqësie e mallëngjimi. Do ta lë Parisin që ta takoj Pranverën dhe të bëhet edhe më e bukur, sesa është dhe do të lutem që një Pranverë më me vlerë e dinjitet të lulëzojë edhe në vendin tim. Duke mos harruar pamjen mbresëlënëse nga maja e Ajfelit në ndarje i pëshpërita Parisit - Mirupafshim në një takim tjetër! Au revoir!

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
269

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version